Prishtinë, 24 mars 2010
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar ministra,
Të nderuar investitorë,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Fillimisht, do të doja që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovë t’ju dëshiroj mirëseardhje duke ju uruar qëndrim të këndshëm në shtetin më të ri, në Kosovë.
Jam i sigurt se gjatë qëndrimit tuaj në Republikën e Kosovës, ku do të njiheni më për së afërmi me progresin e arritur në Republikën e Kosovës dhe mundësitë e shumta për investime që ofron vendin ynë.
Pjesëmarrja juaj në numër kaq të lartë, sot është treguesi më i miri i interesimit tuaj të madh për investime dhe afarizëm në Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Jam thellësisht i bindur se kjo konferencë do t’ju ndihmoj juve të nderuar investitorë për t’i kuptuar edhe më për së afërmi mundësitë që ofron tregu kosovar i telekomunikimit.
Kjo konferencë do të na ndihmoj edhe neve si Qeveri e Republikës së Kosovës, për të adresuar çështje të ndryshme që janë ngritur dhe do të ngritën nga ju të nderuar investiture, në lidhje me këtë proces që është shumë i rëndësishëm dhe jetik për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kosova është shtet i ri, me një stabilitet të sistemit financiar dhe bankar që ofron siguri të lartë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallime etnike apo fetare.
Ne jemi anëtar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, e së shpejti do të jemi edhe anëtarë të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ne jemi duke investuar gjithandej në Kosovë në fushën e infrastrukturës publike. Në të njëjtën kohë, ky investim publik është edhe një parakusht kyç për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, krijimin e perspektivës evropiane, përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe krijimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Qeveria e Kosovës si aksionar i vetëm i ndërmarrjeve publike në Kosovë ka vendosur që t’i hap rrugë përfshirjes dhe pjesëmarrjes së sektorit privat në kompanitë publike, duke qenë të bindur se kjo i shërben zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës.
Këtë po e bëjmë po ashtu me qëllim të hapjes së një perspektive më të gjerë për zhvillim ekonomik të vendit dhe përmirësim të performancës operuese së këtyre kompanive publike.
Posta dhe Telekomi i Kosovës është kompani mjaft profitabile dhe tërheqëse për investitorë duke ofruar një varg shërbimesh dhe produktesh për një klientelë të gjerë.
Zonja dhe zotërinj,
Jemi të bindur që pjesëmarrja e sektorit privat në PTK është e domosdoshme për rritjen e mëtutjeshme të profitabilitetit të saj dhe ofrimin e shërbimeve më të mira, kualitative, dhe të lira për qytetarët e Kosovës.
Për këtë qëllim Qeveria e Republikës së Kosovës është në implementim e sipër të projektit për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK.
Për më tepër, me futjen e kapitalit privat në PTK ne synojmë që kjo kompani të vazhdojë ta mbajë pozitën e fuqishme që e ka aktualisht në treg, ta vazhdojë modernizimin e saj si në zgjerimin dhe përmirësimin e rrjetit ashtu edhe në futjen e shërbimeve të reja.
Shteti i Kosovës dëshiron që të konsultohet me investuesit potencial, partnerët privat si dhe miqtë e Kosovës – partnerët tanë strategjikë dhe donatorët gjatë të gjithë procesit në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të mira duke siguruar kështu një proces tërësisht transparent dhe të hapur.
Ne jemi të sigurt se nga ky proces do të dalin të fituar të gjithë, Qeveria e Republikës së Kosovës si aksionare e vetme e kompanive publike në Kosovë dhe investitorët potencial privat, të cilët do të fusin kapitalin e tyre në këtë kompani. Por, jemi thellësisht të bindur se nga ky proces më së shumti do të fitojnë pronarët e vërtetë të pasurisë publike të Kosovës – qytetarët e Kosovës.
Për kryerjen me sukses të procesit të pjesëmarrjes së sektorit privat në PTK dhe për arritjen e efekteve pozitive të këtij procesi, shteti ynë ka ndërmarrë masat e nevojshme përgatitore. Ekziston infrastruktura e nevojshme ligjore si dhe politikat e zhvillimit sektorial të telekomunikacionit për pjesëmarrjen e sektorit privat në PTK.
Një parakusht tjetër i rëndësisë së veçantë është se Kosova tashmë ka një treg liberal të telekomunikimeve dhe rregullatorin e telekomit (ART) të zhvilluar në nivel të kënaqshëm.
Në fund, do t’ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithë investitorëve që të konkurrojnë për pjesëmarrje me kapitalin e tyre në Postën dhe Telekomin e Kosovës.
Kosova ka potenciale të mëdha, ndërsa ne si Qeveri e Republikës së Kosovës ju garantojmë se do të ofrojmë një proces plotësisht transparent dhe në pajtueshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare për transaksione të tilla.
Investitorë të nderuar,
Të jeni të bindur se çdo investim i juaji do të jetë i mbrojtur me ligjet e Kosovës, të cilat bazohen plotësisht në kornizën legjislative të Bashkimit Evropian.
Para së gjithash dhe mbi të gjitha u siguroj se i gjithë procesi i pjesëmarrjes së sektorit privat në PTK-ë do të jetë fer, transparent dhe i hapur.
Sfidat në Kosovë janë reale si edhe në çdo vend tjetër. Megjithatë, mundësitë janë të jashtëzakonshme.
Ju bëj thirrje dhe ju ftoj që t’i shfrytëzoni këto mundësi për investime pasi përfitimet si për ne po ashtu edhe për ju, të nderuar investitorë, janë të mëdha.
Sikur që e kam thënë më parë, Kosova është një shtet i ri, me mundësi të reja dhe të mëdha. PTK është një nga këto mundësi.
Ju faleminderit!
