Prishtinë, 23 tetor 2013
I nderuari Kryeministër Erdogan,
I nderuari Kryeministër Rama,
I nderuari kryetar i Parlamentit Krasniqi
Të nderuara zëvendëskryeministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Ministra të Qeverisë së Shqipërisë, të Qeverisë së Turqisë,
Të nderuar përfaqësues të korit diplomatik,
E nderuara ambasador e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jacobson
E nderuara ambasadore e Francës
Të nderuar të gjithë ju ambasador
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare
Të nderuar deputetë
Përfaqësues të të gjitha institucioneve të vendeve tona që jemi mbledhur sot këtu
Të nderuar mysafir,
Zonja dhe zotërinj
Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të qytetarëve të vendit, t’iu uroj të gjithëve mirëseardhje në këtë ditë të madhe për Kosovën, në këtë ditë historike për Republikën e Kosovës.
Ndjehem tepër mirë dhe shumë krenar që sot miku im dhe kryeministri i Shqipërisë evropiane, ishte ai së bashku me Lindën , udhëtarët e parë që sot zbritën në pistën evropiane të aeroportit evropian të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu ndjehem mirë dhe shumë krenar që sot jemi së bashku këtu me njeriun i cili është ndër të parët në botë që e njohu Republikën e Kosovës, bile mund t’iu them shumë hapur se kryeministri dhe miku Erdogan, një natë para se të shpallnim Kosovën të pavarur dhe sovrane, më ka telefonuar dhe më ka deklaruar se Turqia vendimin e ka gati, prandaj nesër do t’iu shikojmë live, dhe gjatë deklarimit tuaj, populli turk dhe Turqia do ta njeh Republikën e Kosovës. Prandaj ju faleminderit shumë i nderuari kryeministër Erdogan për vendosmërinë tuaj por edhe në të njëjtën kohë më lejoni që t’iu falënderoj edhe për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për rritjen e njohjeve për Republikën e Kosovës, dhe sot i kemi 104 njohje.
Sot edhe si qytetar , por edhe si kryeministër i vendit, jam shumë i emocionuar. Teksa po vizitoja para pak ditësh punimet kolosale në këtë terminal, kujtesa më ktheu në fëmijërinë dhe rininë time dhe të gjeneratës sime. Për mua dhe për gjeneratën time ky aeroport ka qenë i mbyllur. Unë vijë nga një rajon që ishte historikisht i shtypur dhe i diskriminuar. Si fëmijë, mbajë mend me shokët shpesh shikonim qiellin dhe fluturimi me aeroplan dhe vizitat jashtë Kosovës për ne ishin një ëndërr e pa arritshme.
Shtypja dhe kushtet e vështira ekonomike detyruan gjysmën e familjes sime të migrojë jashtë vendit për të na siguruar neve që mbetëm këtu mbijetesën. Kur isha student, për shkak të angazhimit tim në përpjekjet tona për liri dhe pavarësi, u dënova në mungesë nga Serbia, dhe u detyrova që përkohësisht të migroja jashtë vendit. E kalova në këmbë kufirin Kosovë-Shqipëri shpeshherë. Dhe nga aty, për herë të parë fluturova me aeroplan për në Zvicër.
I nderuari mik Rama, fluturimi im i parë ishte nga aeroporti i Rinasit. Fatkeqësisht, si unë, ashtu edhe qytetarë të vendit tim u detyruan të marrin rrugën e mërgimit, të shtyrë nga shtypja dhe diskriminimi.
Vetëm pse ishim shqiptarë.
Dhe kështu vazhdoi rrugëtimi im me vite. Nga Cyrihu në Tiranë me aeroplan, dhe në këmbë maleve të bukura e të larta nga Shqipëria në Kosovë. E kam bërë dhjetëra herë këtë rrugë. Kjo ishte rruga e lirisë së Kosovës. Dhe kështu të nderuar të pranishëm jemi sot këtu.
Të nderuar kryeministra,
I nderuari vëlla Tayip
I nderuari vëlla Edi
Të nderuar mysafir,
Lufta e popullit tim për liri hapi dyert e këtij aeroporti për mua. Për herë të parë nga ky aeroport, që ishte një barakë, kam udhëtuar me një aeroplan ushtarak francez, nën mbrojtje amerikane dhe shteteve tjera të NATO-s, bashkë me delegacionin e Kosovës për në Rambuje në mars të vitit 1999. Është një udhëtim që nuk do ta harroj kurë në jetën time. Lufta heroike e popullit tonë për liri solli Rambujenë. Rambujeja solli intervenimin e NATO-s. Kosova fitoi lirinë. Po drama e aeroportit të Prishtinës nuk përfundon këtu. I kemi ende të freskëta kujtimet e ditëve të para të zbarkimit të forcave të NATO-s në Kosovë. Aeroporti mbeti për një kohë i mbyllur për qytetarët, për t’i hapur dyert me 15 tetor të vitit 1999.
I nderuar Kryeministër Rama,
I nderuar Kryeministër Erdogan
Të nderuar të pranishëm,
Ndava me ju këto kujtime sepse ky aeroport dhe ky terminal që po përurojmë sot ka një vlerë të shtuar përtej asaj ekonomike dhe materiale. Është detyra jonë si lidership politik, dhe para së gjithash e imja si Kryeministër që këtë infrastrukturë moderne, këtë investim publiko-privat, që arrin vlerën mbi 100 milion euro, ta shndërrojmë në një mundësi të re të lidhjes së Kosovës me botën.
Kosova është gati për botën, por edhe bota ka hapur dyert për Republikën e Kosovës në mënyrë meritore.
Ta shndërrojmë Kosovën në një pikë lidere dhe qendër rajonale të aviacionit. Dhe jo vetëm kaq. Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” edhe sot ka numrin më të madh të pasagjerëve në rajon. Është detyra ime dhe e kolegëve të mijë që të punojmë që qytetarët tanë të mund të udhëtojnë shpejt pa viza, nëpërmjet aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës. Jo për të migruar, si unë dhe familja ime dikur, por për të marrë përvoja të reja. Për të krijuar miqësi të reja. Për të sjellë investime.
Ndërtimi i këtij aeroporti, tregon se Kosova edhe pse vetëm gjashtë vite shtet, me 104 njohje ndërkombëtare, është një vend i ri, është një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive evropiane.
Ne bashkërisht të gjithë, po e shndërrojmë Kosovën në një kantier ndërtimi. Sot një muaj ne gjithashtu do të përurojmë autostradën më të mirë në rajon, punimet që do të përmbyllen përtej kryeqytetit të Republikës së Kosovës, Prishtinës.
Pra, kështu të gjithë së bashku po e ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën si atdhe të të gjithë qytetarëve të saj, po e ndërtojmë Kosovën e ëndrrave tona, Kosovën evropiane.
Dhe për t’u kthyer sërish në Kosovë, në këtë rrugëtim tonin global, përmes aeroportit që me krenari mbanë emrin e komandantit Adem Jasharit, që është vet sinonimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Ju faleminderit të gjithëve
Urime të gjithëve, juve që jeni këtu dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Urime në çdo familje.
