Kryeministri Thaçi: Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian


Image


Image

Prishtinë, 25 tetor 2013

Të nderuar zëvendëskryeministra,
Të nderuar ministra,
Të nderuar të pranishëm,

Sot jemi mbledhur për të diskutuar progresin në procesin e liberalizimit të vizave dhe vlerësimin e përgatitjeve për fillimin e negocimit të MSA-së respektivisht zbatimin e kritereve afatmesme.

Këto takime tashmë janë të rregullta dhe ju falënderohem për angazhimin dhe seriozitetin tuaj që e keni treguar në adresimin e të gjitha kritereve për liberalizim të vizave dhe përgatitjeve për negocimin e MSA-së.

Agjenda evropiane tashmë është në rrugë të mbarë, dhe na takon neve, që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë ta shtyjmë këtë agjendë edhe më tutje përpara, e kjo arrihet vetëm me një angazhim dhe përkushtim edhe më të madh nga të gjithë ne së bashku.

Në këtë drejtim, kam kënaqësinë që të diskutoj me ju të arriturat dhe sfidat në të gjitha blloqet për liberalizim të vizave si dhe në zbatimin e kritereve afatmesme që kanë dalë nga  studimi i Fizibilitetit të Komisionit Evropian.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave presim rezultate konkrete në të gjitha blloqet, presim që në procesin e ripranimit të rrisim numrin e marrëveshjeve për riatdhesim me shtetet e Bashkimit Evropian, të rajonit si dhe me shtetet e transitit dhe origjinës siç janë Turqia, Afganistani.

Në aspektin e ri-integrimit na duhet të krijojmë kushte sa më të mira për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, posaçërisht rastet e rënda me nevoja të veçanta shëndetësore, por edhe për komunitetet të cilat kanë nevojë për përkujdesje institucionale.

Ne duhet gjithashtu fokusuar edhe më tutje në përmirësimin e sigurisë së dokumenteve në nivel komunal, konkretisht zyrat komunale të gjendjes civile duhet të ngritin sigurinë e objekteve, pajisjeve dhe hapësirave ku veprojnë ata. Gjithashtu zyrtarët komunal që janë të angazhuar në këto zyra duhet pa përjashtim ta shfrytëzojnë sistemin e ri të gjendjes civile, përndryshe disa nga këta zyrtarë nuk do të certifikohen dhe atyre zyrave do të ju merret leja e lëshimit të dokumenteve personale.

Sa i përket Menaxhimit të Integruar të Kufirit, shpresoj që ky të jetë prioritet i të gjithëve dhe të trajtohet si i tillë. Shpresoj që nuk do të ketë mungesë të vullnetit, përkushtimit apo financave për të zbatuar MIK-un në kapacitetin e plotë, ashtu  siç edhe është e paraparë me ligje dhe strategjisë në fuqi.

Në këtë drejtim pres bashkëpunim të plotë të Policisë Kufitare, Doganës, dhe Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë si dhe presim rezultate edhe më të mira në luftimin e krimit ndërkufitarë.

Zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave siç është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të institucioneve për zbatimin e ligjeve. Për të gjitha këto na nevojitet përkushtim, angazhim dhe veprim i pa kompromis ndaj të gjitha dukurive negative. Ky është një prioritet i tërë shoqërisë tonë dhe jo vetëm i procesit të liberalizimit të vizave, për këtë arsye luftimi i dukurive negativë ka qenë dhe do të mbetet prioritet për të gjithë ne.

Të gjitha këto por edhe sfida tjera duhet adresuar me seriozitetin më të lartë, pres nga ju që të angazhoni tërë kapacitet e juaja në dispozicion që të arrijmë rezultate të matshme të cilat do të ia prezantojmë përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian.

Të nderuar,

Siç e dini të hënën fillon negocimi zyrtarë për MSA. Ky tashmë është motiv shtesë për punë dhe përkushtim edhe me të madh për të gjithë ne. Tani më Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë  dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar  dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë.

Në këtë drejtim, ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të ofroni përkrahjen e nevojshme për krijimin e parakushteve për të siguruar zbatimin efektiv të agjendës Evropiane për Republikën e Kosovën.

Ju faleminderit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors