Prishtinë, 2 tetor 2009
Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefi i Misionit Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith kanë marrë pjesë në një konferencë shtypi në Media Qendrën në Çagllavicë.
Kryeministri Hashim Thaçi dhe shefi i ICO-s Pieter Feith në hapje të kësaj konference për media kanë dhënë opinione lidhur me zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë dhe më pas u janë përgjigjur interesimeve të gazetarëve.
Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Thaçi dhe përgjigjet në pyetjet e gazetarëve të redaksive shqiptare dhe atyre serbe.
Të nderuar,
Ndihem mirë që sot jam bashkë me ju këtu në Qendrën Mediale në Çagllavicë.
Më lejoni që të shpreh gatishmërinë tonë që të prezantojmë opinionet tona për shumë çështje.
Jemi pak kohë para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, të cilat janë një mundësi e jashtëzakonshme dhe shumë të rëndësishme për ne, për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të dëshmuar se institucionet e Kosovës dhe çdo qytetar i Kosovës mund të realizojë zgjedhje të lira, demokratike, të drejta dhe të pranueshme.
Këto zgjedhje, janë zgjedhje, të cilat qytetarët e Kosovës mund të luajnë rolin e vet duke ushtruar detyrën qytetare dhe duke shprehur vullnetin e tyre si pjesë përbërëse dhe pjesë e barabartë e shoqërisë demokratike dhe shumë etnike në Kosovë.
Prandaj, do të dëshiroja sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin në zgjedhje. Ju bëj thirrje që të përfaqësohet interesi i tyre, vullneti i qytetarëve; në mënyrë që të përfitohet pushteti nëpërmjet këtyre zgjedhjeve.
Natyrisht, këto janë zgjedhjet e para të lira, demokratike në Kosovën e pavarur.
Është mjaft inkurajues certifikimi i shumë e shumë partive politike i të gjitha komuniteteve. Para së gjithash, ndjehem tepët mirë që kemi krijuar bashkërisht me autoritetet ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës, institucionet e saj, ICO-ja, partnerët tjerë ndërkombëtarë, klimën për pjesëmarrje sa më të gjerë dhe sa më gjithëpërfshirëse, respektit politik qytetar, qoftë shqiptar apo joshqiptar në këto zgjedhje.
Gjithashtu, ndjehem tepër mirë që kemi krijuar një ambient shumë të përshtatshëm për një pjesëmarrje edhe më masive të komunitetit serb.
Kësaj radhe, kemi certifikimin e numrit më të madh të partive, subjekteve, organizatave apo individëve, personaliteteve serbe në zgjedhjet lokale.
Prandaj, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë të Kosovës, për pjesëmarrje në zgjedhje. Kosova është vendi ynë, atdheu ynë dhe duhet ta ndërtojmë bashkë, por duhet edhe të participojmë bashkërisht në jetën demokratike, në mënyrë që të ndërtojmë institucione lokale, demokratike efektive dhe efikase.
Këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen e të gjithë qytetarëve, janë të rëndësishme për qeverisjen e mirë, për participim, për agjendën tonë shtet ndërtuese, agjendën multietnike, agjendën me perspektivë evropiane.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e zotuar që të rris mirëqenien e gjithë qytetarëve kudo që jetojnë ata dhe çfarëdo komuniteti që të jenë.
Sot, Qeveria e Republikës së Kosovës është duke punuar dhe ndihmuar në ndërtimin e Kosovës së qëndrueshme, ku të gjithë do të mund të jetojnë dhe të rrisin fëmijët e tyre në paqe dhe prosperitet.
Gjatë këtij viti dhe vitit të kaluar, ne kemi kryer shumë projekte edhe për komunitetin serb.
Para dy ditësh, unë mora pjesë në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të 29 shtëpive për familjet me gjendje të rëndë sociale në fshatin Bostan të komunës së Novobërdës. Janë këto shtëpi për serbët, romët, por edhe për shqiptarët. Është projekt multietnik dhe unë dëshiroj të falënderoj komunitetin për mikpritjen, për gatishmërinë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, me Qeverinë e saj. Edhe ky projekt ka qenë drejtpërdrejt I koordinuar nga Zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës.
Tashmë, edhe me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, ICO, Pieter Feith, duke respektuar në plotni edhe dokumentin e presidentit Ahtisaari, I kemi edhe komunat e reja, Graçanicës, Kllokotit dhe komunën e Ranillugut . Së shpejti do të kemi edhe atë të Mitrovicës së Veriut dhe Parteshit.
Këto komuna të reja, me shumicë serbe, komuniteti serb do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në participim elektoral, të jetës demokratike dhe pastaj edhe në vendimmarrje, me kompetenca menaxheriale, si pjesë e një sistemi efikas të demokracisë së drejtpërdrejt të qeverisjes lokale në Kosovë.
Ne jemi duke respektuar dhe punuar që të implementohet në përpikëri dokumenti i presidentit Ahtisaari. Kosova është vend i mundësive. Serbët janë qytetarë krenarë të Kosovës. Ne organizojmë zgjedhje për të gjithë qytetarët. Natyrisht, pjesëmarrja është shumë e mirëpritur dhe do t’I kryejmë të gjitha obligimet tona kushtetuese, ligjore për pjesëmarrjen sa më masive edhe të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e 15 nëntorit.
Këto zgjedhje janë një mundësi e re për pjesëmarrje të qytetarëve serbë në jetën e re demokratike, por edhe pastaj, në vendimmarrje në komunat ku ata do të udhëheqin.
Prandaj, edhe sot, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë ju bëj ftesë për pjesëmarrje më masive, sepse e ardhmja e tyre është në atdheun e tyre, serbëve të Kosovës, gjithë qytetarëve të Kosovës, aty ku jetojnë, andaj duhet t’i marrin përgjegjësitë që ju takojnë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i kryej në përpikëri të plotë të gjitha obligimet legjitime që ka, me gjithë autoritetin, qofshin në nivel qendror, qofshin në atë lokal.
Ndihem tepër mirë që sot Kosova ka institucione multietnike, në nivel qendror dhe atë lokal.
Tash do të kemi edhe një vlerë të re të participimit edhe më të madh të serbëve.
Pastaj, dua të theksoj se, kësaj radhe kemi një pjesëmarrje më të madhe prej pas luftës, të subjekteve serbe në Kosovë në zgjedhje.
Prandaj, zgjedhjet dhe demokracia nuk duhet të identifikohet me një etni, por me parimin bazë të demokracisë qytetare.
Nuk ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar të Beogradit sa i përket kësaj çështje dhe është inkurajues vullneti që vetë qytetarët të vendosin për të ardhmen e vet aty ku jetojnë dhe duam të besojmë se do të kemi një qasje në përputhshmëri me realitetin e ri të krijuar në Kosovë. Kështu që, të mos krijojmë një përceptim të panevojshëm apo të ekzagjeruar, të paqëndrueshëm sa i përket atij qëndrimi.
Ne gradualisht do të lëvizim drejt demokracisë qytetare dhe njerëzit e përkatësive të ndryshme etnike do të votojnë për parti të ndryshme etnike.
Me rëndësi është që të jenë njerëz që zgjidhen në mënyrë legjitime, të udhëheqin mirë, drejt, të instalojnë qeverisje të mirë dhe mesazhi im edhe për shqiptarët që jetojnë Graçanicë, është të marrin pjesë në zgjedhje, të zgjedhin njeriun, që ata mendojnë se mund të qeveris më së miri, dhe, edhe ai që zgjidhet kryetar i Graçanicës, do ta ketë mbështetjen dhe partneritetin e plotë timin dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ftoj të gjithë serbët që jetojnë në trevat tjera të Kosovës, ku nuk ka kandidat që ata do të mendonin që mund t’i përfaqësonte, të marrin pjesë në zgjedhje dhe të zgjedhin njerëzit që ata mendojnë se mund të punojnë më së miri. Ai është vullneti i tyre, por participimi është jetik për ndërtimin e demokracisë në Kosovë.
Votimi i serbëve për shqiptarët ose i ndonjë shqiptari për ndonjë kandidat serb, dua ta marrim si vlerë dhe assesi dobësi, si perspektivë dhe assesi si kthim mbrapa.
Në pyetjen lidhur me Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) , kryeministri Thaci u përgjigj se kjo çështje nuk duhet të politizohet.
Ne vazhdojmë të mbajmë qëndrim korrekt dhe të drejt sa i përket Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne i besojmë atij opinioni që do të jepet për realitetin e Kosovës së pavarur, sovrane, demokratike dhe multietnike.
