Prishtinë, 05 tetor 2009
Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi
Më lejoni të theksoj rëndësinë e një bashkëpunimi në fushën e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe t’ju përgëzoj bashkëpunimin e deritanishëm si dhe të shpreh gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim më të thellë me EULEX-in në të ardhmen.
Sundimi i ligjit është jetik për të ardhmen e Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka prioritet vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës; ka synim primar luftimin e dukurive negative, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ky përkushtim është jetik dhe këto sfida, janë të përbashkëta – Qeverisë së Kosovës dhe të autoriteteve të EULEX-it.
Ne, do të kemi sukses vetëm me bashkëpunimin tonë të thellë dhe ky bashkëpunim vetëm sa do të avancohet.
Bashkëpunimi ynë në sektorë të rëndësishëm në këtë drejtim, në veçanti të gjyqësisë, policisë dhe doganave, ka për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit, por edhe funksionalizimin dhe fuqizimin e institucioneve tona në këto drejtime.
Krijimi i mekanizmave institucionalë të bashkëpunimit dhe komunikimit efektiv janë shumë të rëndësishëm për vendosjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe është në interes të të gjithë qytetarëve të vendit.
Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për një bashkëpunim të tillë dhe shpreh gatishmërinë e plotë që kjo të ndodhë në mirëbesim dhe në kuadër të akteve legale që aplikohen në Kosovë.
Ne do të vazhdojmë me përkushtimin tonë jashtëzakonisht serioz dhe të përgjegjshëm në sundimin e rendit dhe ligjit, do të shprehim vazhdimisht vullnetin politik për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe dukurive tjera ilegale.
Po krijojmë një infrastrukturë të mirë legale dhe po rrisim kapacitetet tona institucionale, për çka dëshiroj që, si Kryeministër i Kosovës, t’ju inkurajoj edhe sot të gjithë juve.
Qeveria e Kosovës konsideron se vendosja e rendit dhe ligjit në tërë territorin është parakusht për ndërtimin e paqes, stabilitetit, zhvillimit ekonomik, mirëqenies së qytetarëve dhe kushteve më të mira për jetë të harmonishme në mes të grupeve etnike në Kosovë. Andaj, në këtë drejtim, do të jemi vazhdimisht të fokusuar.
Si Kryeministër, besoj shumë në kapacitetet dhe vullnetin tonë të përbashkët për të vënë rendin dhe ligjin, në krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët tanë.
Edhe një herë, në emër të Qeverisë së Kosovës, emrin tim personal, dëshiroj të shpreh përkushtimin dhe zotimin tonë për një bashkëpunim edhe më të ngushtë me EULEX-in dhe njëkohësisht të shpreh përkrahjen tonë të vazhdueshme në arritjen e objektivave të këtij misioni.
Dëshiroj të theksoj se bashkëpunimi duhet të jetë i ndërsjellë dhe transparent. Andaj, ju ftoj që të vazhdoni të ofroni edhe më shumë bashkëpunim dhe një bashkërendim të aktiviteteve, të misionit të cilin e kemi në Kosovë.
Objektivat tona janë objektiva të përbashkëta, prioritetet tona janë prioritete të përbashkëta, qëllimi final, është qëllim i përbashkët.
Kosova është një shtet i ri, që po kalon në fazën e tranzicionit, fazë në kuptimin e integrimeve, dhe ku po përballet me sfidat e natyrave të ndryshme. Qëllimet tona duhet të jenë të bashkërenduara mirë dhe të harmonizuara, në mënyrë që në tërë territorin e Kosovës, të mbizotërojë sundimi i ligjit, që është prioritet numër një i institucioneve të Kosovës.
Ne kemi bërë shumë në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por bashkërisht, e di se mund të bëjmë edhe më tepër dhe do të vazhdojmë të jemi të pakompromis.
Duhet të bëjmë edhe më tepër në luftimin korrupsionit në dogana, që është problem ndër më kryesorët, dhe në këtë drejtim kërkojmë përkrahjen tuaj, z.Kermabon. Ky është shqetësim prej më kryesorëve aktualisht për Qeverinë e Kosovës dhe institucioneve të saj.
Falënderoj të gjithë ata njerëz, të cilët janë duke e bërë një punë të mrekullueshme, pro kërkohet edhe më tepër angazhim në këtë drejtim.
Gjithashtu, edhe sa i përket aspektit gjyqësor, kërkohet punë edhe më e madhe.
Unë dua të potencoj fuqishëm se ne, do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht që të kemi një luftë të pakompromis ndaj dukurive negative.
Kosova do të jetë e suksesshme vetëm me sundimin e plotë të ligjit, vetëm me luftimin e pakompromis të dukurive negative. Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht, jemi të përkushtuar maksimalisht.
Kosova ka të ardhme të sigurt evropiane. Kjo e ardhme evropiane arrihet vetëm me vazhdimësinë e qeverisjes së mirë, efektive dhe efikase, të sundimit të ligjit, të luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të transparencës në punë dhe, natyrisht, funksionimit të drejtësisë dhe ikjes ndaj çdo lloj ndikimi.
Ju faleminderit!
