Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Interpelancën Parlamentare për veriun e Kosovës
Prishtinë, 27 tetor 2011
I nderuari Kryetar i Kuvendit,
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Fillimisht, më lejoni të theksoj se e mirëpres kërkesën për interpelancë parlamentare për çështjen e situatës politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.
Unë dua të besoj se kërkesa për interpelancë është bërë me qëllimin më të mirë, që të diskutohet për situatën në veri të vendit, në mënyrë që të forcohet edhe më shumë uniteti i gjithë spektrit politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, për hapat vendimtar që po ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës, në koordinim të plotë me NATO-n, EULEX-in, Bashkimin Evropian, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vendosjen e sundimit të rëndit dhe ligjit në atë pjesë të territorit tonë.
Në këtë drejtim, unë mirëpres çdo ide tuajën të dobishme që i shërben këtij qëllimi madhor, e që për mua është prioritet mbi prioritete, është përgjegjësi shtetërore, dhe jo debat me motive elektorale.
Natyrisht, se sot nuk është hera e parë që ne po diskutojmë për çështjen e cila që nga fillimi i qeverisjes sime ka qenë prioriteti kryesor në agjendën e Qeverisë së Kosovës, dhe ky rast mua më jep mundësinë që këtu para jush të paraqesim angazhimet dhe punën tonë të deritashme si dhe sfidat në shtrirjen e sundimit të ligjit dhe integrimin e gjithë territorit të Kosovës.
Të nderuar deputetë,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të gjithë e dimë që situata në veriun e Kosovës nuk është krijuar tani, as para tri viteve. Situata në veri të Kosovës është trashëguar që nga përfundimi i luftës tonë çlirimtare dhe vendosja e Administrimit ndërkombëtar të UNMIK-ut në Kosovë.
Ne të gjithë i dimë dhe ende i kemi të freskëta veprimet gjenocidiale të Serbisë dhe politikën e saj të spastrimit etnik ndaj Kosovës.
Fatkeqësisht, kjo politikë e shekullit të kaluar, ende përdoret nga Serbia në relacion më Kosovën, por tani në një formë të kamufluar për shkak të përpjekjes për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar për veprimet e saja kriminale në Kosovë.
Pas vitit 1999, megjithëse Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë kishte përgjegjësinë në bazë të rezolutës 1244 për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në pjesën veriore të Kosovës, UNMIK nuk e bëri një gjë të tillë dhe situata atje është përcjell nga një kaos total ndërsa politika e administrimit ndërkombëtar të OKB-së ka pasur qasje të ndara dhe të ndryshme të administrimit të Kosovës veriore dhe pjesës tjetër të Kosovës.
Duke shkelur mandatin e vet dhe duke vepruar në një formë jo transparente, Administrata e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës ka ndihmuar në ndarjen de fakto ndërmjet serbëve dhe bashkësive të tjera etnike që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kështu, duke lejuar papengesë veprimtarinë ilegale të strukturave paralele, Administrata e UNMIK-ut atje në formë direkte ose indirekte ka ndihmuar strategjinë e Beogradit në vendosjen e strukturave për kontrollimin e territorit në pjesën veriore të Kosovës dhe kështu ka shkelur integritetin territorial të Kosovës por edhe vet Rezolutën 1244.
Trashëgimia e rëndë e luftës, vazhdimi i dhunës ndëretnike në veri, incidentet e ndryshme dhe të vazhdueshme që nga 1999, 2004, 2007, veprimi i organizatave ekstreme si rojat e urës, prestarët e MUP-it, të Mbrojtjes Civile Serbe, BIA-a, grupet e shumta kriminale që kontrollojnë krimin e organizuar dhe kontrabandën, kanë krijuar një situatë të mungesës së vazhdueshme të rendit dhe ligjit si dhe jetës së ndarë në qytetin e Mitrovicës dhe në komunat tjera të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Tolerimi i funksionimit të pjesshëm të pikave kufitare 1 dhe 31, mosfunksionimi i gjykatave në veri, krijimi i monopoleve ekonomike të qendrave të krimit të organizuara dhe përkrahja e këtyre strukturave nga ana e Beogradit kanë krijuar situatën e tanishme në veri të Kosovës.
Unë sot, nuk dua të drejtoj gishtin për të fajësuar qeveritë e mëparshme, që nuk kanë bërë pothuajse asgjë për ta ndryshuar gjendjen e rëndë të krijuar në veri të vendit.
Nuk dua të bëj një gjë të tillë sepse mendoj se sot është koha që ne jemi të bashkuar si kurrë më parë, në qëllimin tonë legjitim për ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës dhe vendosjen e sundimit të rëndit dhe ligjit.
Mirëpo duhet pranuar se një gjendje e tillë e akumuluar me vite si dhe shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka nxitur reagimin edhe më të madh dhe të planifikuar të ekstremisteve serbë duke djegur pikat kufitare, shtimin e kriminalitetit dhe sfidimin e sundimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës.
Përveç këtyre faktorëve, gjendjen e ka vështirësuar edhe qëndrimi jo i qartë apo neutral ndaj Pavarësisë së Kosovës i disa misioneve ndërkombëtare që kanë vepruar dhe janë duke vepruar në Kosovë.
Megjithatë përpjekjet dhe aktivitetet e Qeverisë në drejtim të ndryshimit të situatës dhe integrimit të këtij territori kanë qenë të vazhdueshme.
Me këtë rast konsideroj se gjendjen në veri të Kosovës dhe angazhimet e institucioneve mund ti ndajmë ne tri periudha:
1. Periudha deri në vitin 2008, pra deri me shpalljen e Pavarësisë dhe e cila u përshkrua nga mungesa totale e sundimit të ligjit dhe rendit në atë pjesë të Kosovës, dhe mungesa e iniciativës dhe përpjekjeve të institucioneve të nivelit qendror për të shtrirë sovranitetin.
2. Periudha që nga shpallja e Pavarësisë deri me 25 korrik 2011, dhe
3. Periudha pas 25 korrikut 2011 dhe deri më tani.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe si reagim ndaj kësaj dihet se kishte aktivitete të shtuara të grupeve kriminale dhe strukturave paralele të cilat në fillim rezultuan me djegien e pikave kufitare, ndërprerjen e funksionimit të gjykatës në veri, dhe thellimit dhe rritjes së aktiviteteve kriminale dhe strukturave paralele në këtë pjesë të territorit.
Këto aktivitetet ishin po ashtu të përqendruara në presion ndaj popullatës shqiptare që jeton në atë pjesë për të lëshuar vendbanimet e tyre.
Ndërsa në anën tjetër në si Qeveri për herë të parë filluam programet e investimeve të shtetit të Kosovës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve tanë në atë pjesë dhe për të krijuar kushte afatgjata për sundim të ligjit dhe luftim të kriminalitetit.
Të nderuar deputetë,
Më lejoni t’iu rikujtoj se qytetarët e pjesës veriore të Kosovës për herë të parë e kanë ndier ndihmën e dorës së shtetit të Kosovës pas vitit 2008.
Ndihma për këta qytetarë nuk ka qenë e pakët.
Qeveria gjatë kësaj periudhe ka investuar me miliona euro në infrastrukturë rrugore, rindërtim të shtëpive dhe ofrim sa më të mirë të shërbimeve ndaj të gjithë qytetarëve tanë të asaj pjese.
Si rezultat, vetëm pas vitit 2008 kemi fillimin e kthimit të banorëve shqiptarë në shtëpitë tyre të rindërtuara në pjesën veriorë të Kosovës.
Po ashtu qasja e Qeverisë ka qenë në drejtim që qytetarët serbë në atë pjesë të Kosovës të pranojnë përpjekjet tona si një mundësi për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe standardit të jetesës së tyre.
Siç e dini, angazhimet e Qeverisë në veri janë zbatuar përmes një kornize strategjike dhe të planifikuar mirë si dhe të koordinuar me strukturat përgjegjëse ndërkombëtare, KFOR-in dhe EULEX-in.
Strategjia për veriun ishte një përkushtim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Nuk ka dyshim se të gjitha institucionet e Kosovës kanë qenë të angazhuara për zbatimin e ligjit dhe zhbërjes së strukturave paralele dhe grupeve kriminale.
Në kuadër të veprimeve tona, ne kemi emëruar Koordinatorin për Zbatimin e Strategjisë së Veriut, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, kemi hapur Zyrën për Regjistrim Civil dhe kemi vazhduar investimet si në rindërtimin e shtëpive për të kthyerit në pronat e tyre ashtu edhe në sektor të tjerë.
Në sektorin e Bujqësisë, është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrinë e Bujqësisë për të ndihmuar qytetarët e asaj ane me subvencione të ndryshme për punimin e tokave bujqësore.
Të nderuar deputetë,
Kthesa vendimtare për lëvizjen nga status quoja për situatën ne veri të Kosovës me plot bindje e them se ka qenë vendimi i 25 korrikut.
Vendimi për ndërhyrje për vënien në kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31 nga ana e policisë së Kosovës ka qenë një vendim i menduar mirë, i planifikuar dhe koordinuar shumë mirë.
Ky vendim dhe veprim nuk ka qene i lehte, por ka qene vendim i drejte dhe i domosdoshëm.
E dini mjaft mirë se ai ka sjell edhe rezultatet e veta, ndërsa rezultati përfundimtar pa dyshim do të jetë integrimi i asaj pjese të Kosovës dhe vendosja përfundimtare e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Prandaj më lejoni që këtu para jush të paraqes situatën që ka shpjerë drejt 25 korrikut dhe pas 25 korrikut:
Siç edhe ju kam informuar në paraqitjet e mia të mëhershme para Kuvendit të Kosovës, të nderuar deputet, 25 korriku ka qenë një vendim i domosdoshëm, i drejtë dhe sovran i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ky vendim është marrë në koordinim të plotë me të gjitha strukturat e sigurisë në Republikën e Kosovës, qofshin ato struktura vendore por në një masë të konsideruar edhe ndërkombëtare.
Ky vendim ishte vendim sovran i Qeverisë së Kosovës, nëse dikush dëshiron që ta personalizoj, le ta personalizoj. Unë jam kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe e udhëheq Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Normalisht, si në çdo vend demokratik të pavarur dhe sovran, barra kryesore e vendimmarrjes dhe metodologjia e zbatimit të vendimit bie tek ata që qytetarët e Kosovës dhe Kuvendit i Kosovës iu kanë dhënë besimin për të qeverisur me vendin , pra tek Qeveria e Republikës së Kosovës.
Secili vend demokratik do të vepronte në mënyrën që kemi vepruar edhe ne.
Prandaj më lejoni të paraqes disa arsye kryesore të marrjes së këtij vendimi:
– Kontrabanda masive dhe zhvillimi i krimit të organizuar në këtë pjesë të territorit dhe përmes kësaj pjese në pjesën tjetër të territorit të Kosovës
Kosova që nga çlirimi i saj dhe në kohën e administrimit ndërkombëtar kurrë nuk e pasur nën kontrollin e saj veriun e Kosovës.
Kontrollin në atë pjesë e kanë bërë strukturat kriminalë shpesh të ndihmuara dhe përkrahur nga shteti Serb.
Si rezultat në 12 vitet e fundit në atë pjesë ka lulëzuar kontrabanda dhe krimi i organizuar duke i shkaktuar shtetit të Kosovës humbje dhe dëm në fusha të ndryshme dhe shumë aspekte.
Shteti i Kosovës vetëm për një vit si rezultat kontrabandës ka humbur të ardhura diku mbi 150 milion €.
Zhvillimi i kontrabandës në këtë pjesë dhe ndikimi edhe në pjesët tjera të Kosovës, jo vetëm që ndikon në ngecjen e zhvillimit ekonomik të vendit por edhe në ngecje në plotësimin e standardeve evropiane, për të cilat jemi të obliguar nga ana e kritereve të integrimit evropian.
Zhvillimi i kësaj dukurie ka ndikuar edhe në zhvillimin e aktiviteteve tjera kriminale nga ana e grupeve të organizuara dhe të mbështetura nga shteti serb.
– Rritja e krimit të organizuar
E gjithë kjo kontrabandë është kryer nga grupe kriminale dhe ka ndikuar në rritjen e rrjetit të tyre kriminal në pjesën veriore të Kosovës.
Lulëzimi i krimit dhe arritja e një vetëdije të paprekshmërisë ka ndikuar në mbajtjen peng të mbi 40 mijë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre, peng të dëshirave dhe urdhrave të këtyre grupeve kriminale kështu duke penguar jetën normale të qytetarëve.
Këta qytetarë kanë jetuar në frike dhe agoni nga këto struktura prandaj dhe ne vlerësojmë se ka qenë dhe mbetet obligim jo vetëm i Qeverisë së Kosovës po i gjithë spektrit përfaqësues në Kosovë që këta qytetarë të lirohen nga frika dhe agonia e jetës së krijuar atje nga krimi dhe bandat e organizuar.
Për më shumë, këta kriminel janë duke u përpjekur për të sfiduar shtrirjen e kushtetutshmërisë dhe sovranitetit në të gjithë territorin e Kosovës duke pasur ndikim negative në synimet tona nacionale për integrime Euro-Atlantike.
Prandaj edhe ka lindë nevoja e ndërmarrjes së masave për vendosjen e rendit dhe Ligjit në këtë pjesë të Kosovës.
Dhe dua t’iu siguroj, që ky është fillimi pasi që vendosja e rendit dhe ligjit është proces i vazhdueshëm dhe ne do të jemi të palëkundur në synimet tona.
– Vendosja e masave të Reciprocitetit
Më lejoni edhe njëherë të ritheksoj, sa i përket dialogut, u dëgjuan edhe akuza dhe mllefe të ndryshme.
Dëshiroj të theksoj edhe njëherë, dialogu mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është rezultat i obligimeve ndërkombëtare që ka pranuar ky Kuvend i Kosovës, koalicioni i mandatit të para katër viteve, është një obligim ndërkombëtar të cilin e kemi pranuar të gjithë në Kuvendin e Kosovës.
Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës vetëm zbaton vendimet e Kuvendit të Kosovës, dhe gjithë ky angazhim dhe përkushtim i Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë për çështje teknike, është një përgjegjësi për implementimin e modeleve evropiane për çështjet teknike ndërshtetërore, diçka që ne e kemi bërë edhe me Shqipërinë, me Maqedoninë por edhe me Malin e Zi.
Do të vazhdohet të ketë takime tjera sa i përket telekomunikacionit, energjisë, marrëdhënieve regjionale, si dhe çështjeve tjera gjyqësore.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti Serb ka vendosur njëanshëm sanksione kundër shtetit të Kosovës me theks të veçantë në produktet e Kosovës.
Këto sanksione kanë qenë në kundërshtim të plotë me marrëveshjen CEFTA.
Qeveria e Kosovës në bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe jashtë Kosovës, ka pranuar dialogun teknik me Serbinë.
Ky dialog, siç edhe e kam deklaruar, vije si obligim ndërkombëtar dhe si nevojë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
Përkundër përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe konstruktivitetit tonë në bashkëpunim rajonal dhe dialog teknik me Serbinë, Serbia nuk hoqi dorë nga sanksionet e vendosura kundër Kosovës.
Për më tepër, pavarësisht konkluzave të BE-së për disa aspekte të arritura në Bruksel si pjesë e dialogut, Serbia u tërhoq nga vazhdimi dialogut kur u vendos të diskutohet për çështjen e vulave doganore.
Kjo sjellje e vazhdueshme destruktive e Serbisë nuk i la rrugëdalje tjetër Kosovës pos të vendosë masa reciproke ndaj produkteve serbe.
Por për të vendosur këto masa, vendime të vështira është dashur të merren në mënyrë që masat e vendosura të reciprocitetit të mund të zbatohen.
Prandaj vendimi i marrë me 25 korrik dhe veprimet për zbatimin e këtij vendimi kanë sjellë
rezultatet, ku masat e reciprocitetit janë zbatuar në plotëni dhe asnjë produkt i Serbisë nuk ka mundur të futet në Kosovë derisa vendimi i tillë ka qenë në fuqi.
Ndërsa rezultatet e këtij vendimi tashmë i dimë të gjithë.
Të nderuar deputetë,
Është e panevojshme që të thuhet se gjendja e krijuar në vazhdimësi në veriun e Kosovës ka pasur ndikimin negative më së shumti mbi qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh etnicitetin e tyre.
Gjendja e tillë ndikon në zhvillimin normal të shtetit të Kosovës ndërsa direkt prek qytetaret të cilët jetojnë në atë pjesë të territorit.
Popullata serbe e asaj pjese të Kosovës tashmë janë bërë peng e grupeve të interesave kriminale për përfitime personale.
Rreth 40 mijë qytetarë serbë., përfshire gra dhe fëmije, nxënës te shkollave janë bere pre e këtyre grupeve dhe instrument i një politike të grupeve të caktuara politike e shtesore të Beogradit.
Prandaj, po ju garantoj këtu dhe nëpërmjet Kuvendit të Kosovës të gjithë qytetarëve të Kosovës, se masat e ndërmarra në veri nuk janë të drejtuara kundër asnjë qytetari të Kosovës që është brenda kornizave ligjore e asnjë grupi etnik në Kosovë.
Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, është në konflikt me ata që kanë shkelur rendin dhe ligjin.
Të gjitha masat e ndërmarra janë në dobi të qytetarëve të Kosovës që duan të jetojnë lirshëm dhe në mënyrë të ndershme në përputhje me rendin kushtetues.
Ndërsa këto masa, dhe të tjerat që do të ndërmerren, do ta ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirën e veprimit për strukturat e krimit të organizuar, strukturat ilegale serbe që veprojnë në veri të Kosovës.
Fundi i tyre nuk është i largët dhe ata nuk do të mund të fshihen përgjithmonë as prapa fëmijëve dhe as grave të pafajshme të cilat janë nxjerr me dhunë dhe forcë në krye të barrikadave.
Ne dimë ti dallojmë qytetarët e ndershëm nga kriminelët, ne do ti ndihmojmë qytetarët e zakonshëm që të ndërtojnë jetën e tyre pa frikë nga askush, që të ketë rend dhe ligj, demokraci dhe zgjedhje të lira, dhe lidership legjitim, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të investoj në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, do të përdorim vetëm ligjin dhe drejtësinë e merituar për të gjitha strukturat kriminale e ilegale që veprojnë në veri të vendit.
Të nderuar deputetë,
Vendimi i 25 korrikut për marrjen në kontroll nga forcat e Kosovës të vijës kufitare mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë ka ndodhur për herë të parë pas 12 viteve.
Ky vendim dhe veprimet e mëvonshme të institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it kanë nxitur reagime të strukturave kriminale të cilat kanë krijuar situata tensione politike, të manifestuara me barrikada, të vendosura nga strukturat kriminale, që po pengojnë lëvizjen e lirë, si dhe herë pas here me incidente të armatosura.
Prandaj operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit.
Pas suksesit që nga korriku i këtij viti, është plotësisht e qartë dhe botërisht e ditur se Kosova e ka përkrahjen e plotë të botës demokratike.
Vendimi sovran i institucioneve të Republikës së Kosovës, vendimi sovran i Qeverisë së Kosovës, sot e përkrahin në plotëni, që të mos ketë rikthim të situatës së para 25 korrikut, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, NATO, EULEX-i, dhe shtetet tjera demokratike.
Prandaj, më lejoni edhe njëherë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të popullit të Kosovës, të falënderoj presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Obama për mesazhin e qartë për zhvillimet në veri, të falënderoj për mbështetjen e plotë të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, të vendeve të NATO-s, gjithashtu rolin aktiv, dinamik e pozitiv që po e luan EULEX-i tani.
Në agjendën për rend dhe ligj, për jetë të re në veri, sot Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e të gjithë botës demokratike.
Ky unitet veprues i Qeverisë së Kosovës me institucionet e Kosovës, i botës demokratike, ndodhi pikërisht nga përgjegjësia e plotë për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, në përgjegjësitë tona që kemi treguar për respektimin e plotë të standardeve evropiane, që të gjitha çështjet të zgjidhen sipas modelit dhe kritereve evropiane, që të garantojmë jetën e sigurt dhe të barabartë për të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të respektuar në plotëni Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisari, dhe rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Është kërkuar edhe nga ju që të ketë më shumë dinamikë. Pajtohem plotësisht. Çdo ide e juaja është e rëndësishme, do të jetë e mirëpritur.
Prandaj, falënderoj rolin e shumicës së opozitës, për mbështetjen e plotë që i ka dhënë Qeverisë së Kosovës.
Desha t’iu falënderoj edhe njëherë për këtë mundësi që më dhatë, për këtë debat, dhe dëshiroj që t’iu siguroj juve, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se nuk do të ketë kthim mbrapa në kthimin prapa në vendosjen e qetësisë, dhe tërësisë territoriale, që është detyra jonë parësore kushtetuese dhe ligjore.
Për këtë, ju siguroj që nuk do të ketë në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim ndonjë kompromis.
Dëshiroj që të prezantoj disa nga investimet që i ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës në atë pjesë, për të ndryshuar jetën e qytetarëve atje, natyrisht duke ndarë edhe mjete shtesë, qoftë për ndërtimin e shkollave të reja, gjithashtu ka hapur edhe zyrën e Republikës së Kosovës në veri, për të ndërtuar rrugë të reja, kanalizime, ujësjellës, e trotuare.
Mund të përmend ndërtimin e rrugës në Vinarc të Epërm, ndërtimi i rrugës Suhadollë-Vidmriq, ndërtimi i rrugës Vinarc i Poshtëm-Vinarc i Epërm, ndërtimi i rrugës Suhadollë-Kroi i Vitakut, ndërtimi i rrugës Kelmend-Boletin-Zhazhë, ndërtimi i rrugës dhe kanalizimit dhe ujësjellësit në Lagjen e Doktorëve, ndërtimi i ujësjellësit Gushavc-Vinarc, ndërtimi i lidhjeve anësore në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Vinarc, ndërtimi i rrjetit elektrik në Lagjen e Doktorëve, ndërtimi i rrjetittë ujësjellësit në lagjen Kroi i Vitakut, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatrat Vinarc, Gushavc Vidimriq, ndërtimi i ndriçimit publik në Kroin e Vitakut, ndërtimi i rrugëve në lagjen Kroi i Vitakut, rindërtimi i shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut Lagjen e Doktorëve, Lagjen Shtatë Shtatori, ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Koshtovë, Bistricë, Cerajë, ndërtimi i shkollës së re në Lagjen Suhodoll, ndërtimi i 13 shtëpive në Lagjen e Boshnjakëve, ndërtimi i shtatë shtëpive në Suhadollë, rindërtimi i katër shtëpive në Kodrën e Minatorëve, ndërtimi i pesë shtëpive në Lagjen e Doktorëve, sanimi i dëmeve të shkaktuara nga trazirat, pagesa e qirasë për familjet e zhvendosura nga veriu, materiali ndërtimor për ndërtimin e shtatë shtëpive, rruga e Vllahisë.
Këto janë vetëm disa nga projektet e përfunduara atje, ndërsa vitin e kaluar kemi ndarë pesë milion euro tjera shtesë, për të investuar edhe në pjesën tjetër të komunave tjera.
Në të njëjtën kohë, kemi ndarë para dy jave edhe një milion euro shtesë, dhe do të ndajmë edhe fonde tjera, në mënyrë që të investojmë në çdo cep të territorit të Kosovës.
Këto fshatra dhe emrat e rrugës që u përmenden, se kishte edhe pak reagime, për ata që nuk i dinë, janë të gjitha në pjesën veriore të Kosovës.
Ju faleminderit!