Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik
Prishtinë, 21 nëntor 2012
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, znj Mimoza Kusari Lila
Të nderuar zëvendëskryeministra
Të nderuar ministra
Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,
Të nderuar pjesëmarrës
Përfaqësues të medieve
Sot kam kënaqësinë e veçantë të marrë pjesë në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Qeveria e Republikës së Kosovës për aq sa është e përkushtuar në realizimin e prioriteteve strategjike në rrafshin politik, është e përkushtuar edhe në realizimin e prioriteteve të saj strategjike në rrafshin ekonomik.
Angazhimet në të dy rrafshet kanë një qëllim: ngritjen e mirëqenies shoqërore dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në rrafshin ekonomik, unë kam vendosur që me përkushtimin dhe sinqeritetin më të lartë të krijoj kushtet për fuqizimin e sektorit privat, si motorë të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar ndryshimin në Politikën Fiskale në vitin 2009, dhe sivjet ka miratuar Pakon Fiskale në favor të sektorit privat, gjithnjë duke ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makro-fiskale.
Po ashtu, Qeveria së shpejti do të përfundojë Rrugën e Kombit dhe do të fillojë me projektet tjera në infrastrukturën rrugore.
Sivjet, ne si Qeveri kemi zotuar 10 milionë euro për Programin e Lidershipit Transformues, me qëllim të përgatitjes së një gjenerate të re të liderëve kosovarë të profesioneve të ndryshme.
Së fundi, pas përpjekjeve të gjata dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ky anëtarësim i yni në BERZH duhet të jetë një moment kthese në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Si rezultat i kësaj, norma mesatare e rritjes ekonomike është vlerësuar të jetë rreth 4 për qind, normë kjo që është rreth dy herë më e lartë se ajo e vendeve tjera fqinje.
Ky është progres. Progres në rritjen e mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Megjithatë, ekonomia e Kosovës ende ballafaqohet me sfida, siç janë të ardhurat për kokë banori, norma e papunësisë është ende relativisht e lartë dhe ka vartësi të lartë nga importi.
Këto sfida, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i trajtoj përmes fuqizimit të sektorit privat.
Prandaj, roli dhe obligimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që të krijojë një platformë që sektori privat të zhvillohet, të fuqizohet dhe të jetë i suksesshëm në krijimin e vendeve të reja të punës.
Për të koordinuar këto angazhime, Qeveria e Republikës së Kosovës, siç edhe e dini, ka themeluar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Dëshiroj të falënderoj zëvendëskryeministren Mimoza Kusari Lila për punën e saj të shkëlqyer në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ministrat përkatës.
Gjithnjë duke u mbështetur në platformën reformatore të zhvillimit ekonomik, ky Këshill deri më tani ka organizuar dhe harmonizuar aktivitete të institucioneve shtetërore, për përmirësimin e mjedisit afarist dhe promovim të investimeve, duke u përkujdesur për mirëmbajtjen e konkurrencës lojale.
Ky Këshill, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ka identifikuar sfidat dhe pengesat e të bërit biznes dhe ka filluar implementimin e reformës në sistemin e licencave dhe lejeve në Kosovë.
Gjithashtu, ka identifikuar sfidat dhe reformat e nevojshme që rrjedhin nga Studimi i Fizibilitetit, ka diskutuar përmbajtjen e Pakos së re Fiskale, Ligjin për Investimet e Huaja dhe Strategjinë Minerare.
Ky Këshill po ndihmon sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrjet ndërkombëtare, duke rritur edhe investimet e huaja në vend.
Ky Këshill, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të pavarur, do të identifikojë mundësitë zhvillimore dhe përparësitë krahasuese të Republikës së Kosovës.
Rol tjetër i rëndësishëm i këtij Këshilli ka qenë që përmes punës së tij të ndihmoj që komuniteti i biznesit të përforcojë besimin e tij në institucionet shtetërore.
Të nderuar të pranishëm
Po e përmbyll këtë fjalim duke iu falënderuar për punën e deritanishme dhe duke iu uruar sukses në angazhimet e mëtejme drejt fuqizimit të sektorit privat, përmes përmirësimit të mjedisit afarist dhe promovimit të investimeve.
Po ashtu, i dëshiroj Këshillit bashkëpunim përmbajtjesor me komunitetin e biznesit në nivel qendror, por natyrisht duke punuar edhe në nivelet komunale.
