Kryeministri Thaçi: Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik po ndihmon sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrjet ndërkombëtare, duke rritur edhe investimet e huaja në vend


Image


Image


Image

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik

Prishtinë, 21 nëntor 2012

E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë,  znj Mimoza Kusari Lila

Të nderuar zëvendëskryeministra

Të nderuar ministra

Të nderuar përfaqësues të komunitetit të biznesit,

Të nderuar pjesëmarrës

Përfaqësues të medieve

Sot kam kënaqësinë e veçantë të marrë pjesë në takimin e shtatë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Qeveria e Republikës së Kosovës për aq sa është e përkushtuar në realizimin e prioriteteve strategjike në rrafshin politik, është e përkushtuar edhe në realizimin e prioriteteve të saj strategjike në rrafshin ekonomik.

Angazhimet në të dy rrafshet kanë një qëllim: ngritjen e mirëqenies shoqërore dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në rrafshin ekonomik, unë kam vendosur që me përkushtimin dhe sinqeritetin më të lartë të krijoj kushtet për fuqizimin e sektorit privat, si motorë të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe krijimit  të vendeve të reja të punës.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka realizuar ndryshimin në Politikën Fiskale në vitin 2009, dhe sivjet ka miratuar Pakon Fiskale në favor të sektorit privat, gjithnjë duke ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë makro-fiskale.

Po ashtu, Qeveria së shpejti do të përfundojë Rrugën e Kombit dhe do të fillojë me projektet tjera në infrastrukturën rrugore.

Sivjet, ne si Qeveri kemi zotuar 10 milionë euro për Programin e Lidershipit Transformues, me qëllim të përgatitjes së një gjenerate të re të liderëve kosovarë të profesioneve të ndryshme.

Së fundi, pas përpjekjeve të gjata dhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, Republika e Kosovës është anëtarësuar në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ky anëtarësim i yni në BERZH duhet të jetë një moment kthese në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Si rezultat i kësaj, norma mesatare e rritjes ekonomike është vlerësuar të jetë rreth 4 për qind, normë kjo që është rreth dy herë më e lartë se ajo e vendeve tjera fqinje.

Ky është progres. Progres në rritjen e mirëqenies sociale dhe materiale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, ekonomia e Kosovës ende ballafaqohet me sfida, siç janë të ardhurat për kokë banori, norma e papunësisë është ende relativisht e lartë dhe ka vartësi të lartë nga importi.

Këto sfida, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i trajtoj përmes fuqizimit të sektorit privat.

Prandaj, roli dhe obligimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që të krijojë një platformë që sektori privat të zhvillohet, të fuqizohet dhe të jetë i suksesshëm në krijimin e vendeve të reja të punës.

Për të koordinuar këto angazhime, Qeveria e Republikës së Kosovës, siç edhe e dini, ka themeluar Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Dëshiroj të falënderoj zëvendëskryeministren Mimoza Kusari Lila për punën e saj të shkëlqyer në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë ministrat përkatës.

Gjithnjë duke u mbështetur në platformën reformatore të zhvillimit ekonomik, ky Këshill deri më tani ka organizuar dhe harmonizuar aktivitete të institucioneve shtetërore, për përmirësimin e mjedisit afarist dhe promovim të investimeve, duke u përkujdesur për mirëmbajtjen e konkurrencës lojale.

Ky Këshill, në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, ka identifikuar sfidat dhe pengesat e të bërit biznes dhe ka filluar implementimin e reformës në sistemin e licencave dhe lejeve në Kosovë.

Gjithashtu, ka identifikuar sfidat dhe reformat e nevojshme që rrjedhin nga Studimi i Fizibilitetit, ka diskutuar përmbajtjen e Pakos së re Fiskale, Ligjin për Investimet e Huaja dhe Strategjinë Minerare.

Ky Këshill po ndihmon sektorin privat në krijimin e partneriteteve me ndërmarrjet ndërkombëtare, duke rritur edhe investimet e huaja në vend.

Ky Këshill, në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë të pavarur, do të identifikojë mundësitë zhvillimore dhe përparësitë krahasuese të Republikës së Kosovës.

Rol tjetër i rëndësishëm i këtij Këshilli ka qenë që përmes punës së tij të ndihmoj që komuniteti i biznesit të përforcojë besimin e tij në institucionet shtetërore.

Të nderuar të pranishëm

Po e përmbyll këtë fjalim duke iu falënderuar për punën e deritanishme dhe duke iu uruar sukses në angazhimet e mëtejme drejt fuqizimit të sektorit privat, përmes përmirësimit të mjedisit afarist dhe promovimit të investimeve.

Po ashtu, i dëshiroj Këshillit bashkëpunim përmbajtjesor me komunitetin e biznesit në nivel qendror, por natyrisht duke punuar edhe në nivelet komunale. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors