Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në takimin për procesin e liberalizimit të vizave: Procesi i Riintegrimit të Personave të Riintegruar
Prishtinë, 7 prill 2011
Të nderuar zëvendëskryeministra.
Të nderuar ministra,
I nderuari z.Sinno, u.d. Udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të KE-së
Të nderuar kryetarë të komunave të Republikës së Kosovës
Më lejoni që fillimisht t’ju falënderoj për praninë tuaj në këtë takim, një takim ky i rëndësisë së veçantë rreth procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar.
Pas përfundimit të studimit të fizibilitetit për vitin 2009, Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e dy proceseve shuam të rëndësishme për të ardhmen e raporteve tona me Bashkimin Evropian, fillimit të procesit për liberalizim të vizave, si dhe atë për marrëveshje për tregti të lirë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Janë këto dy procese, në kuadër të të cilave Qeveria e Republikës së Kosovës, por edhe Bashkimi Evropian do të mat performancën e institucioneve në të dy nivelet.
Sot, do të diskutojmë rreth procesit të liberalizimit të vizave.
Siç është bërë tani e njohur për shumicën nga ne, ky proces është ngushtësisht i ndërlidhur dhe varet nga raporti i progresit që ne si institucione të Republikës së Kosovës do të shënojmë në fushën e riintegrimit të qytetarëve tanë që janë riatdhesuar apo pritet të riatdhesohen në bazë të legjislacionit të vendit tonë apo të marrëveshjeve bilaterale që kemi nënshkruar me shtete anëtare të Bashkimit Evropian.
Ju tani më jeni të njohur me angazhimet tona ën drejtim të zhvillimit të kapaciteteve për tu përball me këtë proces kompleks.
Në nivel qendror janë ndërmarrë një numër masash, duke filluar nga forcimi i kornizës ligjore, përmes Ligjit për Ripranim dhe marrëveshjeve bilaterale me vendet përkatëse. Pastaj, është përmirësuar korniza strategjike përmes miratimit të strategjisë dhe planit të veprimit për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Është funksionalizuar bordi ekzekutiv. Kemi hapur zyrën në aeroport për regjistrimin e personave të riatdhesuar, si dhe zyrën për riintegrim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, e cila gjendet pranë ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme ka forcuar kapacitetet e veta institucionale për këtë fushë duke punësuar staf profesional që të merret me këtë problematikë, si dhe ka organizuar trajnimet e nevojshme për ta, që të jenë të gatshëm dhe në dispozicionin tuaj.
Për t’u siguruar që procesi nuk do të ngecë për shkak të mungesave financiare, kemi themeluar fond të posaçëm për nevojat e procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar, të cilët vetëm për këtë vit i kemi flokuar rreth 3.5 milionë euro dhe jemi zotuar se të njëjtën shumë ta ndajmë edhe për tri vitet tjera.
Të nderuar të pranishëm,
Së bashku me partnerët tanë, me Komisionin Evropian, ndaj mendimin që është arritur nivel i konsiderueshëm progresi në angazhimin e institucioneve qendrore për të përmirësuar performancën në drejtim të menaxhimit të procesit të riintegrimit.
Ajo se ku është ngecur, është demonstrimi i shkallës së njëjtë të angazhimit në nivel lokal. Pra, kërkohet një angazhim edhe më i madh, i përpiktë, i qartë, i saktë i gjithë juve në nivel lokal, sepse i gjithë procesi është i ndërlidhur nga niveli qendror deri në nivelin lokal dhe duhet të kemi një koordinim të saktë, të mirë, funksional dhe efiktiv.
Neve na është thënë qartë dhe shumë hapur dhe me të drejt, se pa demonstruar shkallë të lartë të angazhimit në nivel komunal të të gjitha komunave të Republikës së Kosovës, sidomos sa i përket procesit të riintegrimit të personave të riatdhesuar të Kosovës, nuk do të mund tu ofrohet udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave.
Por, ne jemi me besim të plotë se kjo gjë do të tejkalohet dhe ne do të arrijmë objektivin tonë.
Si rezultat, mesazhi që dëshiroj të përçoj sot, është se, kërkohet përkushtim serioz nga ana juaj për të vënë procesin e riintegrimin të personave të riatdhesuar në krye të listës së prioriteteve të secilës komunë që ju udhëhiqni, gjë që do të ndihmonte në fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave.
Të nderuar të pranishëm,
Para së gjithash, ju kryetarë të komunave,
Kërkesa ime e parë që ju drejtohet juve është që të angazhoheni personalisht në arritjen e progresit sa më të lartë, të siguroheni që secili institucion komunal t’ju përgjigjet juve, të jetë sa më i familjarizuar me legjislacionin në fuqi, strategjinë relevante, por edhe kornizën institucionale relevante si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, të dizajnuar për tu përballur me këtë proces shumë të rëndësishëm, si dhe të mbani shënime dhe të raportoni saktë, drejt, me kohë, shpejt, sa më detajisht për të gjitha të arriturat tuaja.
Në këtë drejtim, niveli qendror, pra Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbështesë me trajnime, por edhe me aktivitete tjera sensibilizuese.
Unë falënderoj Komisionin Evropian për mbështetjen e plotë që po na jep në këtë drejtim, por edhe këshillat adekuate.
Ajo çfarë pres nga ju, është që të angazhoheni ju dhe zyrtarët tuaj, dhe si kryetar të komunave ta përcillni vetë personalisht gjithë këtë proces, për të mundësuar qasje sa më të lehtë për personat e riatdhesuar në shërbimet publike siç janë: regjistrimi civil, gjendja civile, regjistrimi i fëmijëve në shkolla, regjistrimi i tyre në qendrat komunale të punësimit dhe shërbimeve sociale, në ato të shëndetësisë, si dhe t’u ndihmohet në qasje të papenguar në prona, respektivisht t’i sigurohet secilit kulm mbi kokë.
Sa i përket mundësive tuaja, ne i njohim, por Qeveria e Republikës së Kosovës do ët jetë në mbështetjen tuaj të plotë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet e veta profesionale, por edhe financiare.
Të gjitha këto duhet ët arrihen në pajtim me ligin, strategjinë dhe planin e veprimit që përmenda më herët.
Gjithashtu, kërkoj nga ju që me angazhimin tuaj të ngrisni shkallën e angazhimit në drejtim të asistimit të qytetarëve të riatdhesuar për shfrytëzimin e së drejtës së tyre për të përfituar kur kanë nevojë nga fondi për riintegrim.
Të nderuar të pranishëm,
Siç përmenda më herët, një shumë e mjaftueshme e mjeteve është ndarë për këtë qëllim dhe pritet angazhim më i lartë nga ana juaj dhe komunave që ju udhëhiqni për shfrytëzimin e saj, në mënyrë që të plotësohen nevojat e qytetarëve të kthyer.
Sidoqoftë, ky inkurajim për të shfrytëzuar këto fonde, përcillet nga ana jonë me kërkesën time, që të respektohen në mënyrë strikte si kritere të vëna për qasjen në këtë fond, por të gjitha normat ligjore për menaxhimin e parasë publike.
Kërkesë tjetër imja, është që të siguroheni që të implementohet rregullorja që kemi nxjerrë për funksionimin e zyrave komunale për komunitete dhe kthim, si dhe gjithë dokumentacionit që rrjedh nga ajo.
Pra, pres nga ju, kryetarë të nderuar, t’i funksionalizoni këto zyra dhe t’i fuqizoni ato me të gjitha mjetet e nevojshme.
Për më tepër, se si do të shkojë puna në këtë drejtim, unë, nga sot propozoj që çdo javë apo dhjetë ditë të kemi nga një takim, në mënyrë që ju të informoni dhe raportoni.
Për më tepër, presim që të sigurohemi që të raportoni në nivel qendror në mënyrë të detajuar, sistematike, dhe i gjithë ky progres të shënohet.
Gjuha me të cilën do të komunikojmë, është gjuha e numrave dhe statistikave konkrete, indikatorëve dhe vlerësimeve konkrete.
Nuk do të komunikojmë thjesht për vlerësime të thata, por me shifra dhe fakte dhe gjendjen reale faktike për secilën komunë veç e veç.
Më lejoni që duke ju falënderuar për pranin tuaj këtu, ripërsëris kërkesën time që të merrni këtë proces shuam seriozisht, të siguroheni që të jenë implementuar të gjitha konkluzionet që dalin nga ky takim, si dhe angazhoni stafin tuaj për këtë proces.
Në pjesën e parë të këtij viti, partnerët tanë të Bashkimit Evropian do të dërgojnë një ekip vlerësues për të parë progresin e shënuar në drejtim të përmbushjes së kërkesave që dalin në fushën e liberalizimit të vizave dhe ky komision vlerësues nuk do të ketë takime vetëm me nivelin qendror, por edhe me ju, dhe nuk do të ketë takime vetëm aty ku ne preferojmë, por do të zgjedhin vetë komunat që do të vizitojnë.
Ajo çfarë pres është që vlerësimi i këtij misioni do të jetë pozitiv, sidomos sa i përket nivelit komunal, në konsolidimin e tij për t’u përballë më riintegrimin e qytetarëve të riatdhesuar.
Faleminderit!
