Prishtinë, 28 korrik 2010
Në mbledhjen e 135-të, të rregullt, të kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar tri udhëzime administrative që dalin nga Ligji për menaxhimin e integruar të kufirit, ka miratuar konceptin e modelit të tregut të energjisë elektrike dhe një varg vendimesh nga fushëveprimi i sajë kushtetues dhe ligjor.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se java e kaluar ka qenë me zhvillime shumë të rëndësishme për Kosovën. Në këtë drejtim ai ka veçuar prezantimin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovë. Opinioni i GJND-së ka arsyetuar pritjet tona dhe është si rezultat i angazhimeve tona për të prezantuar argumentet në favorin e pavarësisë së Kosovës.
Në këtë rast, kryeministri Thaçi ka shprehur falënderimin edhe për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve tjera që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe është shprehur i bindur se tashmë është hapur rruga për njohjet të reja të realitetit në Kosovë edhe nga ato vende që kanë hezituar deri tani ta bëjnë këtë.
Kryeministri Hashim Thaçi ka vlerësuar se edhe vizita e tij, javën e kaluar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka marrë mbështetjen e plotë të Uashingtonit zyrtarë për zhvillimet në Kosovë. Kryeministri është shprehur se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj do të vazhdojnë angazhimet e tyre në proceset e integrimit evropian dhe të bashkëpunimit rajonal me të gjitha vendet.
Në vazhdim, kryeministri Thaçi ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin, pa zhurmë, dhe do të shënojë fitore edhe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Kosova do të fitojë edhe më shumë përkrahej për pavarësinë dhe proceset e saja zhvillimore.
Vendimin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës, për të miratuar në parim Strategjinë e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si një vendim në përputhje me prioritet zhvillimore të Kosovës, dhe si një vendim për të vazhduar reformat në ekonominë e Kosovës. “Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se është koha për futjen e kapitalit privat në Postën dhe Telekomin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.
Qeveria ka vendosur që të plotësojë Strategjinë Legjislative për vitin 2010 me Projektligjin për Qendrën e Kosovës për Siguri Publike, Edukim dhe Zhvillim dhe Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Policinë.
Në mbledhje është miratuar Udhëzimit administrativ për shënjimin e vijës kufitare. Ky Udhëzim Administrativ përcakton mënyrën e shënjimit dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, në përputhje edhe me marrëveshjet ekzistuese ndërkombëtare.
Udhëzimit administrativ për incidentet kufitare, gjithashtu i dalë nga Ligji për menaxhimin e integruar të kufirit, është aprovuar në mbledhjen e sotme. Ky Udhëzim Administrativ përcakton mënyrën e raportimit, hetimit dhe zgjidhjes së incidenteve kufitare. Incidentet kufitare nënkuptojnë aktivitetet që kryhen në zonën afër vijës kufitare apo përgjatë vijës kufitare, të cilat nuk janë të lejuara me marrëveshjet ndërkombëtare apo me legjislacionin shtetëror, si dhe shkeljet tjera të pacenueshmërisë së kufirit shtetëror që kryhen nga organet shtetërore të huaja apo zyrtarët shtetëror të huaj.
Qeveria ka miratuar edhe Udhëzimit administrativ për ndërtimin e ndërtesave brenda zonës së kalimit të kufirit. Ky Udhëzimi Administrativ vendos procedurën e veçantë për miratimin e lejes për ndërtimin e objekteve, ndryshimin e qëllimit të tyre dhe vendosjen e lehtësirave brenda zonës së kalimit te kufirit shtetëror.
Koncepti i Modelit të Tregut të Energjisë Elektrike është aprovuar nga Qeveria në Mbledhjen e sotme. Ky dokument do të ju prezantohet rrethit të ngushtë të kompanive ofertuese për ndërtimin e termocentralit të “Kosova e re”. Ky koncept synon që ta bëjë sektorin e energjisë financiarisht të qëndrueshëm.
Përfaqësimin e Qeverisë në procedurat gjyqësore përkatëse të shpronësimit do ta bëjë Departamenti për Çështje Ligjore- Divizionin për Përfaqësim Gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë, është vendosur në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për organizimin e strukturës së re të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky vendim synon që të funksionalizojë dhe operacionalizojë Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, me qëllim të arritjes së kapaciteteve të plota operacionale.
Në funksion të implementimit të projektit të Autostradës Vërmicë-Merdarë, Qeveria e Kosovës ka marr vendimin preliminar për fillimin procedurave të shpronësimit të ngastrave kadastrale në trasenë nga i bie autostrada.
Me propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeveria ka miratuar Planin e veprimit për procesin e liberalizimit të vizave.
Qeveria ka marrë vendim që të lejohet alkimi i mjeteve nga Buxheti i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për të bashkë financuar renovimin e objekteve që do të shfrytëzohen nga Universiteti i Prizrenit.
