Kryeministri Thaçi ka marrë pjesë sot në një takim të përbashkët me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar dhe me ambasadorët e shteteve të Kuintit


Image

Prishtinë, 23 janar 2013

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në një takim të përbashkët me Përfaqësuesin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, me ambasadorët e shteteve të Kuintit dhe me përfaqësues tjerë ndërkombëtarë në Kosovë.

Në takim, kryeministri Thaçi ka bërë një prezantim të rezultateve të takimit të fundit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Baroneshën Catherine Ashton dhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.

Duke ruajtur karakterin unitar të sistemit doganor të Kosovës, ne themeluam fondin për zhvillimin e veriut të vendit. Të gjitha të ardhurat nga doganat, akcizat dhe TVSH-ja në pikat 1 dhe 31 do të mblidhen sipas ligjeve të Kosovës dhe do të derdhen në thesarin e shtetit – ka theksuar kryeministri Thaçi.

Më tej z.Thaçi ka sqaruar se në ndërkohë, përfaqësuesi i BE në Prishtinë do të hapë një llogari bankare në një nga bankat komerciale në Prishtinë, ku do të menaxhohen mjetet nga pika 1 dhe 31.

Fondi do të drejtohet nga një bord 3 anëtarësh, një përfaqësues nga komuniteti, një nga Qeveria dhe një nga BE. Vendimet për investimet kapitale dhe infrastrukturore merren me konsensus nga anëtarët e bordit, e në mungesë të tij, vota e përfaqësuesit të BE është përcaktuese – ka sqaruar kryeministri Thaçi.

Kryeministri Thaçi ka theksuar se në takimin në Bruksel është diskutuar edhe për zhbërjen e strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe për organizimin e zgjedhjeve të lira në komunat veriore, bazuar në ligjet e Kosovës.

Por, ka shtuar z.Thaçi, fatkeqësisht, të gjitha këto të arritura nga dialogu kanë rënë nën hijen e zhvillimeve të ditëve të fundit, që u gjeneruan nga heqja e njëanshme e Monumentit në Preshevë.

Unë jam i bindur që ky ka qenë veprim i qëllimshëm i Daçicit, për të zhvendosur vëmendjen dhe për të provokuar relacione në Kosovë – theksoi kryeministri Thaçi, duke potencuar se “përdhosja e varrezave dhe monumenteve në disa vende në Kosovë është e turpshme, e ligë, e papranueshme. Si qeveri e kemi dënuar menjëherë këtë vandalitet dhe kemi kërkuar nga organet e rendit që të bëjnë punën e tyre për të sjellë para drejtësisë kryesit e këtyre veprave të liga”.

Në takimin me ambasadorët e vendeve të Kuintit, kryeministri Thaçi ka theksuar se Serbia i është kthyer sërish skenarit të vjetër për ndarje dhe shkëmbim territoresh.

Veprimet në Preshevë janë pikërisht në funksion të këtij skenari – ka thënë z.Thaçi.

Unë e kam thënë shumë herë, që ne nuk jemi të përgjegjshëm vetëm para vendit tonë, por edhe para rajonit. Nuk kam nevojë të ju flas juve për pasojat katastrofike që do të prodhonte tendenca për ndryshim kufijsh në Ballkan. Andaj, edhe deklarimi i juaj i shpejtë dhe i qartë për këtë çështje është i domosdoshëm – ka kërkuar kryeministri Thaçi.

Kosova i qëndron besnike agjendës së paracaktuar nga zonja Ashton dhe ne besojmë që vetëm dialogu mund të shpie në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe tërë rajonit, – u shpreh në fund të takimit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors