Kryeministri Thaçi: Ju ftoj të gjithëve pa dallime partiake të nxjerrim konkluzionet e përbashkëta, për një trup të përbashkët të Qeverisë, të opozitës dhe të shoqërisë civile, në mënyrë që të kemi sukses të përbashkët


Image

Thekse nga paraqitja e tretë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 7 mars 2011

Të nderuar deputetë,

Natyrisht ne sot jemi këtu për të diskutuar dhe për të gjetur rrugë që të ecim përpara bashkërisht.

Puna më e lehtë është për të etiketuar apo për të prezantuar gjëra që fare nuk përputhen me realitetin.

Ne të gjithë i dimë të bërat e Serbisë në Kosovë . Dhe nuk ka demagogji më të madhe se sa ti tregojmë njëri tjetrit se çka ka bërë Serbia në Kosovë. Ky nuk është një seminar që i takon të kaluarës por ky është një Kuvend që debaton për të ardhmen tonë.

Më herët këtu u diskutuar se Serbia u largua edhe në Rambuje nga negociatat atëherë, por Kosova së bashku me SHBA, BE dhe NATO-n arriti falë sakrificave tona t’a fitoj lirinë. Serbia u largua nga negociatat, ndodhën bombardimet.

Serbia u largua edhe nga negociatat në Vjenë. Kosova u bë vend i pavarur dhe sovran. Sebia edhe mund të largohet nga ky dialog , por Kosova do të bëhet anëtare e BE dhe NATO-s. Ne duhet të fokusohemi në agjendën tonë, rreth përgatitjeve të cilat duhet të intensifikohen.

Nuk dëshiroj që tani të diskutojmë rreth mobilizimit që kemi pasur në kohën e luftës, gjatë kohës së Rambujesë, por sa i përket përgatitjes së Kosovës për në Vjenë, atëherë PDK ishte në opozitë dhe ne kemi marr përgjegjësitë tona si parti opozitare në mbështetje të institucioneve në mënyrë që të ndihmojmë vendit dhe gjithë qytetarëve dhe ka qenë suksesi i përbashkët. U përmendën këtu komandanti legjendar Adem Jashari dhe presidenti Rugova. Unë përmend komandantin Adem Jasharin dhe presidentin Rugova për shtetin e jo për fushatë as për poena politik , as për spote politike.

E ritheksoj përgatitjet për dialog kanë filluar vitin e kaluar , ndërsa dialogu do të fillojë të ardhmen e afërt. Ne do të dëshironim që kjo çështje të përmbyllet shumë shpejt, por nuk jemi ne si Prishtinë që t’i vejmë kushte as SHBA-ve, as BE-së as NATO-s. Kjo është agjendë ndërkombëtare apo detyrim i Kosovës dhe Serbisë për paqe në rajon, dhe ky është realitet.

U tha se niveli i përfaqësimit shumë i lartë. Ne realisht shpesh herë kemi befasuar, por duke u konsultuar. Kjo është përgjigja ime.

Unë ju ftoj të gjithëve pa dallime partiake dhe etnike, gjithë sa jemi në këtë Kuvend të nxjerrim konkluzionet e përbashkëta, për një trup të përbashkët të Qeverisë, të opozitës dhe të shoqërisë civile , në mënyrë që të kemi sukses të përbashkët. Tani është konfirmuar se edhe shoqëria civile do të kyçet në këto grupe punuese. Kjo nuk është vetëm përgjegjësi ekskluzive e Qeverisë së Kosovës, por e të gjithëve.

U përmend këtu edhe se po largohemi nga Tirana. Tirana ka përshëndetur fuqishëm dialogun. Edhe Qeveria edhe kryeministri Berisha, edhe presidenti Topi edhe Kuvendi dhe të gjitha forcat politike në Shqipëri. Tirana është unike në mbështetje të Prishtinës për dialogun me Serbinë dhe në mbështetje të SHBA-ve dhe BE-së.

Prandaj, unë dëshiroj të theksoj edhe një herë se secili nga ne duhet të ketë reflektimin më të respektuar të përgjegjësisë shtetërore që të fillojmë ndërtimin e trupës së përbashkët, grupeve punuese të përbashkëta, të punojmë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit dhe integrimin në NATO dhe në BE , ndërsa sa i përket orientimeve të ndryshme të Kosovës në raport me botën zotimi im ka qenë të kaluarën dhe sot do të jetë për gjithmonë bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe BE-në dhe në këtë drejtim për aq sa unë do të jam në politikë nuk do të ketë luhatje të perspektivës së Republikës së Kosovës.
 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors