Prishtinë, 8 tetor 2009
Deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me shefin e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Renzo Daviddi
Jam shumë i lumtur që sot, veç është konfirmuar, me kërkesën tonë që Brukseli, Komisioni Evropian, do të dërgojë një trupë raportuese dhe vlerësuese edhe për organizimin e zgjedhjeve të 15 nëntorit.
Ne jemi të përkushtuar fuqishëm të kemi zgjedhje, të lira, fer dhe demokratike, me një pjesëmarrje edhe më të madhe, me një pranueshmëri dhe vlerësim edhe prej qytetarëve të Kosovës dhe prej gjithë komunitetit ndërkombëtar, si një standard shumë i lartë demokratik për ndërtimin e demokracisë së re, institucioneve të reja lokale, legjitime dhe funksionale.
Do të kemi natyrisht edhe prezencë të parlamentarëve evropianë, vëzhgues në kuptimin e mirëfilltë diplomatik, grupe të tjera mbështetëse vendore edhe ndërkombëtare.
Pra, do të kemi një angazhim të përbashkët, që të përmbyllim edhe këtë proces të rëndësishëm të zgjedhjeve të para të lira në Kosovën e pavarur.
Unë dua të besoj fuqishëm se do të kemi sukses të plotë dhe falënderoj z.Renzo Daviddi për mbështetjen dhe mirëkuptimin që kanë treguar në Bruksel për kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
