Në vazhdim po ju sjellim fjalimin e plotë të Kryeministrit Hashim Thaçi
E nderuara presidente Jahjaga
Të nderuar ministra,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar deputetë,
Ekspertë,
Të nderuar mysafirë,
Zonja dhe zotërinj
Duke ju uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, më lejoni t’iu them se ndjehem tepër i privilegjuar që kam mundësinë t’i drejtohem një audience kaq të respektuar të mbledhur sot këtu në Prishtinë.
Kjo konferencë ka bashkuar liderë, politikanë, politkbërës, ekspertë të fushave të ndryshme nga e gjithë bota, për të diskutuar çështjet me rëndësi jo vetëm për rajonin dhe Evropën, mirëpo edhe më gjerë.
Me këtë rast dua të falënderoj shumë Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, të gjithë anëtarët dhe ekspertët e respektuar të këtij Këshilli, duke falënderuar në mënyrë të veçantë ish presidentin Martti Ahtisaari, pastaj Joschka Fischer, Albert Rohan, George Soros, e shumë e shumë të tjerë që e ndihmuan Kosovën dhe rajonin në rrugën drejt lirisë, demokracisë por dhe pavarësisë.
Këtu në mesin tuaj sot takuam personalitete të rëndësishme, që në një formë apo në tjetër kontribuuan për çështjen e Kosovës, dhe rajonit. Prandaj më lejoni që edhe njëherë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, t’iu falënderoj për mbështetjen tuaj për Kosovën, për paqen në Ballkan.
Duke falënderuar shumë organizatorët e kësaj konference, unë ju ftoj që ta shfrytëzoni këtë mundësi për të këmbyer idetë dhe vizionet tuaja, të cilat duhet të jenë në shërbim të thellimit të bashkëpunimit rajonal në Evropën Juglindore, dhe të kontribuojnë për një Evropë të bashkuar e cila është e aftë për tu përballur me sfidat që i kemi përpara.
Ne si liderë, kudo që jemi, qoftë këtu në Prishtinë, Ballkan apo Evropë, apo kudo tjetër në botë, i mirëpresim udhëzimet dhe rekomandimet tuaja të çmuara, të cilat na shërbejnë neve për të marrë vendime të mira, jo vetëm në përputhje me interesat e shteteve që përfaqësojmë, mirëpo edhe me interesat që janë në përputhje me vlerat më të larta njerëzore.
Zonja dhe zotërinj
Ky shekull që kemi filluar, duket se do të vazhdoj të na ballafaqojë me sfida të natyrave të ndryshme.
Kështu, përderisa në njërën anë kemi ende disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor që ballafaqohen me sfidat që kanë të bëjnë me përmbylljet e proceseve të shtetndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë, që nënkupton reforma të thella jo vetëm të sistemit qeverisës, por edhe të gjithë shoqërisë, në anën tjetër kemi shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët janë duke u sfiduar seriozisht nga kriza ekonomike, financiare e cila ka marrë përmasa botërore.
Ditë më parë, kancelaria gjermane Merkel, tha se kriza aktuale financiare që ka përfshirë Bashkimin Evropian, mund të jetë ndër sfidat më të mëdha që ka përjetuar Evropa, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Këtu shpreh vëmendjen time, për rrezikun e përhapjes së krizës ekonomike –financiare dhe në Ballkanin Perëndimor, edhe këtu për momentin efektet e kësaj krize janë dukshëm më të vogla në shtetet e Ballkanit Perëndimor, krahasuar me shtete tjera të Bashkimit Evropian, si Greqia, Irlanda, Portugalia dhe tani së fundi edhe Italia.
Në këtë rast, Bashkimi Evropian dhe akterët tjerë kryesor në botë, nëse nuk gjejnë zgjidhje të përbashkët për të tejkaluar këto sfida, atëherë efektet e saj negative do të vijnë në shprehje edhe në Ballkan.
Prandaj kërkohet nga të gjithë ne, nga të gjitha shtetet e Evropës, që të bashkojmë përpjekjet për të adresuar me sukses këtë situatë.
Zonja dhe zotërinj
Këtu në Kosovë dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, sfidat kanë qenë prezente dhe po vazhdojnë të mbesin ende.
Ato që kanë qenë jetike për ne, e që janë ndërlidhur me vetë ekzistencën tonë, tashmë janë tejkaluar.
Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë mbyllur kapitullin e errët të historisë jo të largët, e cila në të shumtën e kohës ka qenë periudhë e frikës, urrejtjes dhe robërisë.
Ky kapitull i hidhur është mbyllur dhe tejkaluar njëherë e përgjithmonë, falë përpjekjeve të popujve të Ballkanit, por në veçanti falë intervenimit ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, SHBA-së, NATO-s, për të stabilizuar Ballkanin dhe për të vendosur paqen afatgjate.
Bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në të gjitha shtetet e rajonit, e në veçanti në Kosovë.
Ne ju jemi shumë mirënjohës. Ne ju jemi mirënjohës gjithmonë dhe i sigurojmë se investimi i bërë tashmë është shpaguar, me vetë faktin se periudha e luftërave të përgjakshme tashmë është vetëm pjesë e së kaluarës.
Mirëpo ne të gjithë jemi dëshmitar se vetëm liria dhe pavarësia nuk kanë arritur që të zgjidhin të gjitha problemet me të cilat ballafaqohemi.
Pra, sfidat ende mbesin të shumta, mirëpo synimi për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO, synimi për një Evropë të bashkuar e të lirë, dhe e cila jeton në paqe, është faktori kryesor që na motivon neve si lider, që motivon shtetet e rajonit dhe popujt tanë, që të jemi optimistë dhe të shtyjmë përpara reformat e shoqërive tona.
Projekti i Bashkimit Evropian, projekti i Evropës së bashkuar, është projekti më i suksesshëm që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, dhe Kosova njësoj sikur të gjitha shtetet tjera të rajonit, kërkon me të drejtë të jetë pjesë e këtij projekti, në mënyrë meritore, të përgjegjshme, të jap ndihmën e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.
Ne me të drejtë kërkojmë të bëhemi pjesë e rëndësishme e ndërtimit të Evropës së Re, sepse pikërisht në Kosovë në vitin 1999, u testua parimi i drejtë i Evropës së lirisë, barazisë dhe drejtësisë për të gjithë evropianët.
Ishte Kosova ajo që në një masë të madhe bashkoi Bashkimin Evropian, për të krijuar politika të reja, mekanizma të ri, për të ndëshkuar regjimet që cenojnë të drejtat elementare njerëzore.
Kështu ishte atëherë, ndërsa sot përsëri në Kosovë po takohemi për të shikuar drejt së ardhmes sonë, për t’i adresuar sfidat që me vete sjell shekulli i ri.
Kosova është shtet i ri, me institucione të reja, mirëpo me një histori kulture dhe traditë shumë të lashtë.
Jemi shtet evropian, me borxhet më të vogla, dhe jemi shtet ballkanik, me rritjen më të madhe ekonomike.
Nuk ka më dilema, Kosova është shtet funksional. Kosovarët janë të barabartë, dhe për herë të parë, të gjitha komunitetet në Kosovë janë të lira.
Të drejtat e komuniteteve respektohen në kuptimin më afirmativ të mundshëm. Tani ka ardhur koha e krijimit të mundësive të reja, dhe këto mundësi do të krijohen vetëm nëse projekti i integrimeve euro-atlantike mbetet projekt i hapur dhe i realizueshëm.
Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian, do të jetë faktori kyç për paqe dhe siguri jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe më gjerë.
Sa më shpejt që të përmbyllet ky proces, aq më e sigurt do të jetë e ardhmja jonë.
Zonja dhe zotërinj
E thashë edhe më lartë, ne i jemi mirënjohës bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, për ndihmën e dhënë në Kosovë dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.
Por misioni dhe synimi ynë ende është për të punuar edhe më tepër, edhe për të përmbyllur këtë proces në tërësi.
Ky mision mbetet i pa mbaruar deri në anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO të të gjitha shteteve të rajonit.
Prandaj kërkohet ende punë, jo vetëm në Kosovë, por në Serbi, Maqedoni, Bosnje-Hercegovinë dhe vende tjera.
Duhet të sigurohemi se sjellja jonë si shtete që aspirojmë anëtarësim në Bashkim Evropian dhe në NATO, është sjellje e bazuar në parime dhe praktika evropiane dhe perëndimore.
Kjo është e rëndësishme të kuptohet kështu, sepse është e patolerueshme që një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkim Evropian, të përdor standarde të dyfishta.
Këtë e them për të tërhequr vëmendjen tuaj lidhur me standardet që përdor Serbia në raport me Kosovën dhe Bashkimin Evropian.
Përderisa në rastin e parë, Serbia përdor pothuajse të njëjtën qasje që ka përdorur në shekullin e kaluar, pra në raport me Kosovën, ndërsa në rastin e dytë përdor qasje të moderuar evropiane, apo pretenduese moderuese evropiane.
Kjo praktikë duhet të marrë fund. Një shtet që aspiron anëtarësim në Bashkim Evropian, nuk mund të cenoj sovranitetin shtetëror të një shteti tjetër, që gjithashtu synon anëtarësim në Bashkim Evropian.
Prandaj ne kemi filluar dialogun teknik me Serbinë, me qëllimin më të mirë, që të mbyllim kapitullin e marrëdhënieve të hidhura, të gjejmë zgjidhje praktike, në interes të qytetarëve të dy shteteve sovrane, të promovojmë zgjidhje evropiane që na shpijmë kah Evropa e Bashkuar.
Ne do të mbesim faktor i përgjegjshëm dhe konstruktiv si gjithmonë, jo vetëm në kuadër të këtij dialogu teknik, por edhe në kuadër të dialogut më të gjerë me Bashkimin Evropian, për të adaptuar standardet evropiane në qeverisje dhe ekonomi.
Në këtë aspekt, e mirëpres një dialog shumë të hapur e të përgjegjshëm, edhe me të gjithë ju që jini të pranishëm këtu, përfaqësues të shoqërisë civile, të medieve, diplomacive, qeverive dhe ekspertëve që të krijoni dhe formësoni opinionin evropian.
Të nderuar të pranishëm
Prezenca juaj sot këtu është gatishmëri për të adresuar sfidat që kanë rëndësi jetike jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për gjithë rajonin.
Është dëshmia më e mirë që ende ka energji të mjaftueshme për të realizuar projektin e Evropës së Bashkuar, dhe që jeton në paqe.
Kjo konferencë tash e tutje do të mbahet çdo vit, do të jetë tradicionale, dhe jam krenar që Kosova me resurse modeste por me dëshirë të jashtëzakonshme, do të jetë e pranishme dhe kontribuuese e paqes dhe stabilitetit.
Zëri i Kosovës dhe i shteteve të rajonit duhet të dëgjohet, dhe kjo konferencë është një hap i vogël, por i rëndësishëm drejt këtij qëllimi.
Edhe njëherë, më lejoni t’iu falënderoj juve dhe organizatorëve, mysafirëve t’iu dëshiroj mirëseardhje, që në dy ditët e ardhshme të keni debate produktive dhe të thella.
Ju faleminderit shumë!
