Kryeministri Thaçi i ka dërguar një telegram urimi të gjithë mësimdhënësve të Republikës së Kosovës, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit


Image

Prishtinë, 7 mars 2010

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dërguar një telegram urimi të gjithë mësimdhënësve të Republikës së Kosovës, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit

Në telegram thuhet:

Të nderuar mësimdhënës,

7 marsi, Dita e Mësuesit është një ditë e shënuar për gjithë qytetarët e vendit tonë. Është ditë e madhe, ditë në të cilën kujtojmë të gjithë mësimdhënësit e Republikës sonë, që në ditët më të vështira mbajtën gjallë arsimin shqip, duke sakrifikuar shumë që tek të gjithë brezat të kultivohet dija, edukimi dhe vlerat më të larta kombëtare.

Tash e dy vite, Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet më kryesore të saj e ka avancimin përmbajtësor të kushteve dhe të cilësisë në edukim. Duke e vlerësuar lartë angazhimin e pamohueshëm të të gjithë mësimdhënësve në të gjitha periudhat, Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të ngritjes së pagave për mësimdhënësit e të gjitha niveleve, si dhe për ngritjen e cilësisë në arsim.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se shtylla kryesore e shtetit tonë të ri është fuqizimi i dijes, si parakusht kryesor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe integrimin e Kosovës në institucionet euroatlantike. Në këtë drejtim, kontributi i mësimdhënësve të vendit tonë është mëse i domosdoshëm.

Në këtë ditë të shënuar, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke uruar të gjithë mësimdhënësit e Kosovës, jam i nderuar të ritheksoj përkushtimin tim dhe të qeverisë që drejtoj për vazhdimësinë e fuqishme të reformave në të gjitha nivelet e arsimit, duke krijuar kështu kushte dhe mundësi të mëdha për të gjithë qytetarët tanë.
 

Hashim Thaçi,

Kryeministër i Republikës së Kosovës

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors