Prishtinë, 3 tetor 2013
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes zyrtare të Universitetit Publik të Gjilanit “Kadri Zeka”.
Duke folur para një auditoriumi të gjerë në ambientet e ndërtesës së Fakultetit të Edukimit në Gjilan, Kryeministri Thaçi uroi të gjithë studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Gjilanit për fillimin e funksionimit të këtij institucioni dhe siç potencoi kryeministri Thaçi, “të kësaj vepre kaq madhore për Gjilanin dhe Kosovën, për Anamoravën, Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, për Kumanovën e më gjerë”.
Në këtë kuadër, Kryeministri Thaçi ka theksuar se “me hapjen e Universitetit Publik të Gjilanit po fillon një epokë e re që i ka munguar Gjilanit dhe gjithë kësaj treve”.
Në vazhdim të adresimit të tij, Kryeministri Thaçi ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa për angazhimin e madh për realizimin e kësaj nisme, duke i dedikuar një meritë të veçantë kryetarit Mustafa për hapjen e Universitetit Publik të Gjilanit.
“Në udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës kemi marrë vendime të rëndësishme, por vendimet për themelimin e Universiteteve kanë qenë obligim për të ndërtuar kapacitet për zgjerimin e arsimit gjithandej në Kosovë. Ne edhe dje ishim në Mitrovicë ku kemi hapur Universitetin atje, më parë hapëm edhe universitetin në Pejë dhe Prizren dhe sot po hapim Universitetin me emrin e atdhetarit dhe veprimtarit Kadri Zeka. Ishte qëllim yni që përpos Universitetit të Prishtinës të hapim edhe universitete të tjera, prandaj i hapëm universitetet në këto katër qendra” – tha z.Thaçi.
“Hapja e universiteteve është produkt i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, prandaj kështu po i japim mundësi akademike gjithë territorit të Kosovës. Hapja e universitetit këtu i jep kuptim të plotë Gjilanit Evropian. Gjilani këtë e ka merituar edhe sa i përket kontributit në arsim, por edhe luftës për liri etj. Pavarësia e Kosovës ka krijuar rrethana të reja dhe mundësi të reja. Qeveria e Kosovës në programin strategjik ka zhvillimin e balancuar territorial, pse jo edhe përmes hapjes së mundësive të reja” – u shpreh kryeministri Thaçi.
“Hapja e universiteteve në zonat urbane është trend i shteteve evropiane, andaj ne jemi duke punuar si këto shtete të Evropës. Gjilani është shquar për një elitë intelektuale të respektuar, prandaj ne besojmë në kapacitetet e kësaj elite që do të vazhdoj tutje me kontribut në avancimin e Universitetit të Gjilanit, që do të përgatitë kuadro të cilat do të jenë promotor të zhvillimit, përparimit dhe ndërtimit të këtij regjioni. Me këtë universitet do të përgatisim breza të rinj që do të sfidojnë të arriturat e shek. XXI” – tha kryeministri Thaçi.
Duke theksuar mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Universitetin Publik të Gjilanit për të shënuar përherë suksese, Kryeministri Thaçi ka prezantuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndërtimin objektit e ri të Universitetit në Gjilan. “Ju siguroj se Universiteti i Gjilanit do ta ketë objektin më modern prej qendrave universitare në nivel të Kosovës, por edhe më gjerë” siguroi të pranishmit, Kryeministri Thaçi.
Në ceremoninë e hapjes zyrtare të Universitetit Publik të Gjilanit, përveç Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ibrahim Gashi, rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Mazllum Baraliu, ushtruesi i detyrës së rektorit të Universitetit të Gjilanit, Arben Dërmaku, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Basri Musmurati, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, nga deputetët Zenun Pajaziti dhe Arsim Bajrami.
