Prishtinë, 5 tetor 2009
Pas takimit, kryeministri Thaçi është deklaruar për media. Në vazhdim po prezantojmë thekse nga deklarimi i kryeministrit Thaçi, dhe përgjigjet në pyetjet e gazetarëve
Ishte një drekë shumë e mirë në kuptimin me afirmativ të mundshëm të vlerësimit të progresit në Kosovë, të prezantimit tonë të vazhdimësisë së qeverisjes së mirë, efikase dhe efektive, të transparencës, të sundimit të ligjit, të përgjegjësive tona në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm të tranzicionit, të vazhdimit të njohjeve që do të ndodhin për Kosovën. Prezantuam opinionin tonë për konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit tonë, natyrisht edhe procesin e angazhimeve të tjera, përpos atyre që jemi tash pjesë e FMN-së dhe Bankës Botërore dhe së shpejti do të jemi pjesë Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim Evropian.
Jemi të pa kompromis në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative për ndërtimin e Kosovës, shtet demokratik dhe multietnik.
Jemi në prag të zgjedhjeve të nëntorit, janë këto zgjedhjet e para të lira në Kosovën e pavarur. Të gjithë jemi duke investuar për një organizimin sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që të jenë fer dhe me pjesëmarrje sa më masive.
Është inkurajues edhe participimi i komuniteteve jo shqiptare, në radhë të parë të komunitetit serb, të cilët i kemi ftuar dhe i ftojmë edhe sot për një pjesëmarrje sa me masive në këto zgjedhjeve. Natyrisht që është kërkesë e jona për një vëzhgim më të theksuar dhe për një monitorim ndërkombëtar më të theksuar për zgjedhjet e lira të 15 nëntorit.
Kryeministri Hashim Thaçi është përgjigjur edhe në interesimin e medias lidhur me Raportin e Progresit për vitin 2009, për Kosovën
Grupi Drejtues Ndërkombëtar është i impresionuar më të arriturat e Republikës së Kosovës, më kriteret demokratike që po zbatojmë në funksionalizimin e institucioneve tona demokratike, në angazhimet për ndërtimin demokracisë të re, për ndërtimin e Kosovës multietnike,
Tash kemi pjesëmarrjen më masive të komunitetit serb, që është rezultat i punës së përbashkët të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare për krijimin e një klime që çdo qytetar i Kosovës të ndjehet mirë, por edhe krenar për të jetuar në vendin e vet, në atdheun tonë të përbashkët – Kosovën.
Ne nuk do të nxitohemi me deklarata për Raportin e Progresit, çka është me e rëndësishmja është se ne do t’i mirëpresim në implementimin e pikave që do të paraqiten në Raportin e Progresit. Gjithashtu mirëpresim Udhërrëfyesin Evropian për Republikën e Kosovës dhe kjo ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës, kjo është e arritur historike.
