Kryeministri Thaçi: E tërë qeverisja e ardhshme katër vjeçare do të jetë ekonomi, ekonomi dhe vetëm ekonomi; punësim, punësim dhe vetëm punësim


Image


Image


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 22 maj 2014

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaç ka vizituar sot Kampusin e Inovacionit të Universitetit për Biznes dhe Teknologji, ku ka parë nga afër laboratorët e mekatronikës dhe të teknologjisë informative në këtë institucion të arsimit të lartë.

Kryeministri Thaçi ka mbajtur edhe një fjalë rasti para studentëve. Në vazhdim, po sjellim të plotë fjalën e tij:

I nderuar Rektor i Kolegjit UBT,
I nderuari ministër Beqaj
Të nderuar profesorë,
Të nderuar dhe të dashur studentë,

Ju falënderoj shumë për mikpritjen tuaj. Ne sot jemi këtu para jush, në mesin tuaj, që të diskutojmë për zhvillimet në Kosovës, për hapat tonë të mëtutjeshëm, për të arriturat që i kemi pasur si vend, për synimet se ku ne duam të shkojmë, dhe për hapat që duhet t’i ndërmarrim si shoqëri, ju si studentë, bota akademike, të gjithë.

Siç e dimë të gjithë, ne tanimë kaluam dy sfidat më të rëndësishme që i kemi pasur si vend dhe si shoqëri: e para, sfida më e rëndëssihme, ajo e fitimit të lirisë, dhe e dyta, që të bëjmë Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Tani ne kemi vënë themelet e shtetit tonë. Vendi ynë nderohet dhe respektohet prej familjet euroatlantike, prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Ky edhe është qëllimi, synimi dhe vizioni ynë: që të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, NATO-s, e natyrisht në të ardhmen edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Por, ajo që dëshiroj të them tani është se ne kemi 106 njohje ndërkombëtare. Vendin tonë, shtetin tonë të ri dhe të mundësive të mëdha, e kemi anëtarësuar në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Është moment ky që të fillojmë me sfidën e tretë, për fuqizimin e zhvillimit ekonomik, për krijimin e vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës, pra të punojmë ët gjithë të bashkuar rreth këtyre angazhimeve jetike për ju si studentë, për të rinjtë e Kosovës, për familjet tuaja, për gjithë shoqërinë kosovare.

Tani është koha që të veprojmë, të marrim vendime të mëdha, vendime këto që ndërlidhen për të ardhmen e sigurt dhe me mirëqenie shumë më të lartë për familjet tuaja, për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Për këtë arsye, unë, në muajt e fundit kam vizituar anekënd Kosovës biznese të ndryshme, kompani të ndryshme, kam takuar talent të ndryshëm, kam vizituar fermerë, kam punuar bashkë me ta në fabrika, i kam dëgjuar ata, këshillat, rekomandimet, i kam dëgjuar edhe problemet që i kanë.

Kemi vendosur të prezantojmë për sfidën e tretë, atë që është jetike për vendin tonë dhe çdo shoqëri të lirë në botë, Misionin e Ri, mision që ndërlidhet drejtpërdrejt me fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Misioni i Ri do të përfshijë zhvillimin ekonomik dhe punësimin 2014-2018. Pra, ky është plani i punës sonë, që mendojmë për qeverisjen e ardhshme katër vjeçare, që është Misioni i Ri, Misioni për Zhvillimin Ekonomik dhe Punësim 2014-2018.

Misioni i Ri është një angazhim ky i përbashkët i imi si kryeministër i vendit, i ekipës sime vendore dhe ndërkombëtare, është një mision që ka tejkaluar kornizat partiake. Është një Mision në interesin e çdo qytetari pa dallim, në shërbimin tuaj dhe për ju, studentë të nderuar.

Është një Mision ky i nxjerrë edhe pas vendimeve të mëdha që kemi pasur si Qeveri e Kosovës për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët kosovarë, dhe rritjen e mirëqenies sociale për familjet e tyre.

Por, ajo që ka mbetur për të punuar edhe më tepër për ne si shtet, si institucione edhe shoqëri, është si të krijojmë vende të reja të punës, dhe si të paguajmë më mirë punëtorët?

Për këtë arsye, kemi vendosur që përveç Misionit të Ri, të krijojmë edhe 200 mijë vende të reja të punës për katër vitet e ardhshme të qeverisjes.

Këto 200 mijë vende të reja të punës, do të realizojnë, përveç një bashkëpunimi të ngushtë mes Qeverisë së Kosovës me sektorin privat,  ne do të investojmë përmes Fondit të Punësimit, për çfarë do të flet ministri Beqaj më vonë.

Është një Fond deri në 1.5 miliard euro. Këto mjete do të ndahen për biznese e vogla, të mesme dhe ato të mëdha. Në mënyrë që bizneset të rriten, të rrisin kapacitetet e tyre, të rritet prodhimi, të krijojnë edhe vende të reja të punës, dhe si gjithmonë të paguhen edhe familjet.

Në të njëjtën kohë, unë ju ftoj juve, si të rinj, si studentë, ju që dëshironi që të aplikoni për të hapur biznese të reja. Aplikoni, ju do të jeni përfitues, ju do të hapni biznese të reja, ju do të krijoni vende të reja të punës.

Pra, është një mundësi e madhe që asnjë vend në rajon nuk e ka aplikuar.

Ne kemi besim të plotë, se ashtu si kemi arritur të realizojmë dy objektiva të mëdha madhore për vendin, lirinë e pavarësinë, edhe objektivin e tretë, Misionin e Ri, atë të zhvillimit ekonomik, të krijimit të vendeve të reja të punës, dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve, gjithashtu do ta realizojmë.

E di që nuk është ndonjë angazhim i lehtë, jam shumë i vetëdijshëm. Na duhen vendime të rënda dhe të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë arsye, edhe kemi vendosur të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, që të kemi një Parlament edhe më të fuqishëm,  dhe një mazhorancë edhe më të fuqishme.

Pra, në mënyrë që të marrim vendime të fuqishme, sa më pak politike, e sa më shumë për ekonominë, për të hapur vende të reja të punës, dhe të rritet mirëqenia sociale e qytetarëve të Kosovës.

E tërë qeverisja e ardhshme katër vjeçare do të jetë ekonomi, ekonomi dhe vetëm ekonomi, punësim, punësim dhe vetëm punësim, rritje të mirëqenies sociale, jetë më të mirë për çdo qytetar.

Në të njëjtën kohë, nga Fondi i Punësimit, deri në 1.5 miliard euro, ne kemi planifikuar që 500 milionë euro të ndahen për sektorin e bujqësisë, dhe të hapen 50 mijë vende të reja të punës.

Çdoherë projektet e mëdha na duken si ëndrra, por çdo ëndërr e kemi bërë realitet, edhe kur kanë qenë edhe më të vështira. E kemi pasur ëndrrën të jemi vend i lirë, jemi vend i lirë, e kemi pasur ëndrrën të bëhemi vend i pavarur dhe sovran, jemi vend i pavarur dhe sovran, e kemi ëndërr ta zhvillojmë vendin tonë dhe të krijojmë një vend me standarde, me kritere dhe standarde të Bashkimit Evropian, unë besoj se bashkërisht mund ta realizojmë.

Prandaj, edhe sot, i nderuari rektor, u jam mirënjohës që na keni dhënë këtë mundësi të prezantojmë idetë tona, qëllimet tona, vizionin tonë të ri, të diskutojmë me ju profesorë të nderuar, me ju studentë të nderuar, dhe pastaj ky Mision do të fuqizohet edhe më tepër, dhe më lehtë do ta jetësojmë.

Ju faleminderit.   

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors