Kryeministri Thaçi: Do të jemi shumë të përgjegjshëm që të respektojmë kontributin e jashtëzakonshëm të pensionistëve të Kosovës


Image


Image

Prishtinë, 5 tetor 2012

Po ju sjellim të plotë deklaratën e kryeministrit  Hashim Thaçi:

Siç e dini dje Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për rritjen e pensioneve në lartësi deri në 40 për qind.

Është një përkushtim dhe një premtim që e kemi dhënë më herët. Ndjehem tepër mirë dhe jashtëzakonisht krenar që ai premtim po realizohet sot.

Pas rritjes së pagave për të gjithë punëtorët e arsimit për 50 për qind, punëtorët e shëndetësisë – 30 për qind, gjithë shërbyesve civil – 30 për qind, pjesëtarëve të FSK-së – 40 për qind, Policisë së Kosovës- 40 për qind, familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës- 50 për qind, zjarrfikësve – 50 për qind, gjyqtarëve të Kosovës mbi 100 për qind, vendimi i radhës është që të rriten pensionet e të gjithë kontributpaguesve në total  deri në 40 për qind.

Dëshiroj të theksoj se kjo nuk do të jetë rritja e fundit gjatë këtij mandati për pagat e punëtorëve dhe pensionistëve të Kosovës.

Do të jemi shumë të përgjegjshëm që të respektojmë kontributin e jashtëzakonshëm të pensionistëve të Kosovës, në procesin shtetndërtimit, të lirisë, pavarësisë dhe zhvillimit të vendit. Është një kontribut i jashtëzakonshëm dhe historik dhe natyrisht që institucionet e Republikës së Kosovës gjithmonë do të kenë obligime shtetërore ndaj tyre.

Rritja për pensionistët kontributpagues do të jetë në lartësi prej 40 për qind. Rritja 26.25 do të paguhet që nga 1 janari 2012 ndërsa lartësia tjetër e rritjes së këtij pensioni do të paguhet nga data 1 nga janari 2013.

Pensionet  bazë do të rriten në vlerë prej 33.3 për qind, dhe lartësia prej 11.1 për qind e rritjes së këtij pensioni do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga data 1 janari 2013.

Pensionet e aftësisë së kufizuar do të rriten në lartësi prej 33.3 për qind, ku lartësia prej 11.1 për qind e rritjes së këtij pensioni do t’u paguhet shfrytëzuesve që nga 1 janari 2012, kurse lartësia tjetër e rritjes do t’iu paguhet që nga data 1 janari 2013.

Tani kërkohet një angazhim i gjithanshëm i të gjitha institucioneve dhe jemi duke punuar me këmbëngulje edhe me përfaqësuesit e pensionistëve të Republikës së Kosovës që Ligji për pensionet të plotësohet me disa amendamente shtesë. Këto amendamente janë në përputhshmëri të plotë me nevojat, kërkesat dhe sugjerimet e pensionistëve të Kosovës, por edhe me mundësitë buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në mënyrë që të përfshihen edhe disa privilegje tjera që pensionistët mendojnë se duhet të përfshihen në ligj.

Tash është çështje procedurale dhe e disa debateve tona të brendshme dhe unë besoj dhe jam shumë optimist se Ligji do të kaloj edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors