Prishtinë, 3 mars 2011
Fjala e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbajtur në seancën e sotme të Kuvendit, lidhur me përgatitjet për fillimin e bisedimeve teknike mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë
Ndjej obligim kushtetues, ligjor, por edhe moral, që në kuadër të transparencës së plotë të proceseve politike që po kalojmë, natyrisht, edhe Kuvendi edhe Qeveria dhe Presidenca, të gjitha institucionet legjitime dhe demokratike të Republikës së Kosovës, por edhe si vend, si qytetar, si institucione, tani më ndodhemi në një proces të vazhdimësisë së mëhershme, para një procesi të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës, për të parë prej përfundimit të luftës dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të fillojmë me normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Kjo është një agjendë euroatlantike që nënkupton vazhdimësi të këtij procesi të filluar dhe zotuar nga institucionet e vendit.
Prandaj dëshiroj të theksoj se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendimet e veta në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për kryerjen e përgjegjësive që kemi për bashkëpunim ndërfqinjësor, duke emëruar edhe njërin nga zëvendëskryeministrat përgjegjës për çështjen e dialogut për çështje praktike me Republikën e Serbisë dhe kemi besim të plotë që do të përmbyllet me njohjet reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të veçanta për tu integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.
Prandaj kjo ishte një informatë për ju, gjithë qytetarët e Kosovës në kuadër të përgjegjësive Kushtetuese, të rritjes së transparencës, por mendoj se fjalën duhet ta ketë edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim unë ju inkurajoj për çdo ide, për çdo debat dhe çdo konkluzë të përbashkët të gjithë spektrit politik.
Ky është interesi shtetëror, i diskutimeve të përbashkëta dhe konkluzioneve të përbashkëta apo të rezolutave, pastaj për implementimin e tyre.
