Prishtinë, 21 maj 2014
Fjala e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në përurimin e qendrës grumbulluese për ruajtjen, klasifikimin dhe shitjen e prodhimeve bujqësore në fshatin Raushiq të Pejës
I nderuar z.Kelmendi,
E nderuara familje Kelmendi,
Zëvendëskryeministër,
Të nderuar ministra,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ju anëtarë të komunitetit të biznesit këtu në Pejë, Dukagjin dhe nga e gjithë Kosova, që jeni mbledhur sot në këtë ditë të veçantë për Pejën, për familjen Kelmendi, për Dukagjinin, dhe për Kosovën. Urime z.Kelmendi për këtë punë tuajën të shkëlqyeshme që keni bërë.
Më lejoni që në emrin tim personal dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për këtë punë që keni bërë. Ju jeni njeri me përvojë, familje me traditë për biznes, prandaj edhe kompania juaj, kemi besim të plotë, do të ketë sukses të madh.
Derisa ju keni pasur sukses të jashtëzakonshëm edhe në Gjermani, ju do të keni sukses edhe në Kosovë, sepse është krijuar klima e mirë për biznes. Është krijuar një klimë e pranueshme, është një klimë që çdo vend në rajon do ta kishte lakmi.
Investimi juaj, është një investim që do të sjell rritje të kapacitetit për ju, rritje të prodhimit dhe të grumbullimit për ju, dhe në të njëjtën kohë nënkupton hapje të vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale të kësaj treve dhe gjithë Kosovës.
Unë po shoh këtu sot, njerëz të biznesit, punës dhe angazhimeve të mëdha për ekonominë familjare, për ekonominë e shtetit tonë.
Prandaj, ne, si Qeveri e Kosovës jemi të zotuar që pas angazhimeve të mëdha që kemi pasur, për t’i kryer dy obligime të mëdha themeltare për vendin tonë, lirinë dhe pavarësinë. Tani kemi vënë themelet e shtetit tonë. Tani do të vazhdojmë me fuqizimin e zhvillimit ekonomik. Prandaj, edhe kemi dal me projektin e Misionit të Ri, i cili nënkupton drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve.
Kemi planifikuar edhe fondin prej 1.5 miliardë eurosh, mjete këto, që do t’i ndahen bizneseve si të z.Kelmendi, bizneseve të vogla, të mesme dhe të mëdha. Planifikojmë t’i hapim 200 mijë vende të reja të punës. Ndërsa, vetëm për sektorin e bujqësisë, për katër vitet e ardhshme, ne planifikojmë, t’i ndajmë 500 milionë euro dhe hapjen e 50 mijë vendeve të reja të punës.
Një bashkëpunim i mirë i Qeverisë së Kosovës dhe, ju zotohem si kryeministër i vendit, do të sjell sukses të plotë për institucionet tona, për shtetin tonë, për zhvillimin tonë, për krijimin e shumë vendeve të reja të punës, për rritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve, pra, nënkupton një ‘boom’ ekonomik për vendin tonë. Shteti jonë është i ri, i mundësive të mëdha, të cilat duhet t’i shfrytëzojmë të gjithë.
Qeveria duhet t’i krijojë kushtet dhe mundësitë për biznesin, e biznesi duhet të vazhdojë të punojë me këto angazhime të mëdha.
Përpos kompanive aktuale, përfitues nga fondi prej 1.5 miliardë eurosh, do të jenë edhe njerëzit që dëshirojnë të hapin biznese të reja, prandaj, nuk ka vend më të mirë sesa këtu, nga Peja, Dukagjini, t’i ftoj gjithë shpirtin e ri ndërmarrës, sipërmarrës, le të përgatiten për të aplikuar, për të përfituar nga fondi 1.5 miliardë euro, për të hapur biznese të reja, për të krijuar vende të reja të punës.
E nderuara familje Kelmendi, ju uroj sukseset më të mira.
Kemi besim në suksesin tuaj dhe do ta keni përkrahjen e plotë.
