Prishtinë, 3 tetor 2014
I nderuar ministër Krasniqi,
Të nderuar zëvendësministra,
Të nderuar të pranishëm,
Sot për mua është një kënaqësi e veçantë të jem këtu me ju, në këtë forum të rëndësishëm për dialogun kulturor në Evropë dhe më gjerë; dhe të rëndësishëm për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe të rajonit.
Është kënaqësi dhe nder për Prishtinën dhe për Kosovën që këtë vit të jenë nikoqirë të sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian, si një vend ideal, i ngritur mbi vlerat e diversitetit kulturor dhe të dialogut dhe bashkëpunimit mes kulturave të ndryshme.
Kosova ka qenë vet viktimë e mendësisë së përjashtimit të “tjetrës” pasi ka qenë mu diskursi i promovuar në rrafshin kulturor, ai që i ka paraprirë edhe diskursit përjashtues politik e që në fund solli edhe luftën dhe shkatërrimin. Prandaj, promovimi i dialogut mes kulturave, promovimi i tolerancës dhe bashkëpunimit në mes kulturave, janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin në politikë si dhe për të ndërguar urat e tolerancës dhe bashkëjetesës.
Kosova mund të shikojë prapa dhe të kujtojë ditë të mira të zhvillimit të artit e të kulturës.
Në vitet e 80-ta, artistët dhe personalitetet e kulturës, përkundër faktit që duhej t’i nënshtroheshin censurës së regjimit të atëhershëm, mundoheshin të mbanin hapin me zhvillimet në botën e artit e të kulturës rreth e qark globit; ishin pjesë e debatit kulturor e artistik në botë dhe pjesëmarrës dhe kontribuues aktiv në të.
Kjo përvojë e ndërpreu hovin e zhvillimit të artit dhe të kulturës në Kosovë si dhe komunikimin e Kosovës me botën e artit dhe kulturës përtej kufijve të saj.
Arti dhe kultura nuk u shua në Kosovë as gjatë viteve 90. Ajo u bë forumi ku shprehej dëshpërimi dhe zemërimi me të tashmen por edhe shpresa dhe guximi për të ardhmen. Por, izolimi në të cilin u fut Kosova e bëri të vështirë përçimin e këtij mesazhi përtej kufijve të Kosovës.
Sot, pasi janë vënë themelet e shtetit të Kosovës, shoqëria kosovare mund të kthejë sytë përpara dhe të shikojë me optimizëm kah e ardhmja.
Bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor do të jetë një nga çelësat kryesorë për të hapur dyert e Evropës për Kosovën dhe për shtetet e tjera të rajonit.
Kultura dhe arti sot trajtohen nga politika si një nga kushtet për zhvillimin e shoqërisë. Prandaj, vëmendje e posaçme është vënë në politikat për kulturën dhe artin, duke filluar nga dyfishimi i fondeve për kulturën e artin e deri te përkrahja për pavarësimin dhe qëndrueshmërinë e artit dhe kulturës por edhe mbrojtjen me ligj të punës së artistëve dhe të profesionistëve të kulturës.
Kosova është kthyer në një prodhues kualitativ por edhe në një konsumues të pasionuar e të etur të artit e të kulturës duke sjellë kështu prezantime e bashkëpunime të rëndësishme të artistëve të vendit me kolegët e tyre nga rajoni e më gjerë.
Madje, bashkëpunimi në mesë artistëve dhe personaliteteve të kulturës nga Kosova me homologët e tyre nga rajoni e më gjerë ka tejkaluar edhe në kuantitet e edhe në kualitet bashkëpunimin e politikanëve dhe të diplomatëve.
Filharmonia e Kosovës bashkëpunon me Filharmoninë e Maqedonisë, Baleti Kombëtar i Kosovës bashkëpunon me Operën dhe Baletin Kombëtar të Shqipërisë, teatrot e Kosovë bashkëpunojnë me simotrat nga Mali i Zi, Bosnja e Kroacia. Emrat si Dokufest, Pri-Film-Fest, KamerFest apo Prishtina-Xhez-Festival, janë forume të njohura për artistë nga e tërë bota.
Por edhe artistët nga Kosova janë bërë të njohur në Berlinale, në Festivalin e Filmit në Kanë, në Montro-Xhez-Festival apo Sandens-Film-Festival.
Mbajtja e Sesionit të 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian në Kosovë është një testament i rivendosjes së komunikimit dhe të bashkëpunimit mes artit dhe kulturës në Kosovë dhe në Evropë. Ky rrugëtim vetëm sa ka filluar dhe do të bëhet edhe më intensiv dhe më përmbajtjesor.
Normalisht, ky rrugëtim nuk është pa sfida, sfida që sikur edhe në të kaluarën më së shumti rrjedhin nga politika. Kosova, ndonëse shtet që gati 6 vite, ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet e Evropës.
Kjo e pengon komunikimin mes Kosovës dhe shteteve dhe popujve të Evropës.
Por, edhe këtu, deri sa politikanët kosovarë kërkojnë rrugë e mënyra për të arritur deri te homologët e tyre nga e vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, artistët dhe personalitetet e kulturës kanë arritur që jo vetëm të vejnë ura komunikimi por edhe të përçojnë mesazhin se Kosova është dhe dëshiron të mbetet vend ku diversiteti kulturor konsiderohet si pasuri dhe thelb i identitetit dhe qenies.
Politikanëve dhe politikës nuk u mbetet tjetër vetëm që të mbështesin dhe përkrahin artistë të tillë dhe ura të tilla komunikimi.
Ju faleminderit.
