Kryeministri Thaçi: Agjenda ime ka qenë, është dhe do të mbetet Kosova zhvillimore, moderne, Kosova e integruar në NATO dhe Bashkim Evropian


Image


Image


Image

Prishtinë, 20 prill 2011

Kryeministri Thaçi pas ligjëratës që ka mbajtur në Kolegjin AAB-Riinvest, është përgjigjur edhe në shumë pyetje që kishin të bëjnë me programin e qeverisë, si dhe disa provokimeve nga ana e disa pjesëtarëve të një partie politike. Në vazhdim po i japim disa nga përgjigjet e kryeministrit Thaçi:

Kryeministri Thaçi:

Të nderuar profesorë,
Të nderuar studentë

Edhe të tjerë që kanë ardhur nga selitë e ndonjë partie politike,
Ne kemi prezantuar edhe më herët programin dhe vizionin e Qeverisë së republikës së Kosovës, një program ky dhe vizion, i cili është përkrahur, besuar, por edhe votuar nga qytetari i Republikës së Kosovës dhe tani unë kam obligim ta implementoj dhe do ta bëj atë.

Agjenda ime, ka qenë, është dhe do të mbetet Kosova zhvillimore, moderne, Kosova e integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Pikërisht, pse ne po zhvillojmë demokracinë, një sistem të vlerave që na kanë munguar më herët, një sistem të vlerave dhe mendimeve të ndryshme, prandaj në këtë drejtim e theksoj se këto prioritete janë të nxjerra nga Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, program ky, të cilin e kam prezantuar anekënd, në çdo qytet e fshat, në çdo cep të territorit të Kosovës, fillimisht para qytetarëve  dhe tash është kanalizuar, po institucionalizohet, është aprovuar në qeveri dhe unë kam dashur dhe dua, sepse jam ithtar i debatit dhe dëgjimit të mendimeve plotësuese të ndryshme edhe jashtë qeverisë, në kuadër të kësaj të botës akademike, juve të nderuar profesorë dhe studentë.

Ky plan, për dallim nga planet e mëhershme të qeverive, është i bazuar në shifra, fakte, periudha kohore dhe është shumë i qartë.

Është një projekt që i ka munguar më herët Kosovës.

Unë e di se gjëra të tilla janë ngritur edhe më herët në debate të ndryshme, dhe pikërisht për këtë arsye jam sot këtu në Universitetin e respektuar AAB-Riinvest, të njerëzve që i kanë dhënë shumë këtij vendi, në kuptimin e dijes.

Edhe kur kam prezantuar projektet e infrastrukturës rrugore për modernizimin dhe zhvillimin e Kosovës, e di se ndokush që nuk i beson dhe nuk guxon me marr vendime, nuk guxon të mendojnë për ndryshime të mëdha, ka menduar dhe theksuar se, këto janë vetëm vija në drejtimin Merdare-Vermicë, por atje sot ka filluar edhe asfaltimi i autostradës më moderne në rajon.

Tash, do të fillojë së realizuari projekti Shkup – Ferizaj – Aeroport, në drejtim të Mitrovicës, përmes procesit të partneritetit publiko-privat. Do të vazhdojë në drejtim të Pejës dhe të Mitrovicës.

Tash fushata është kryer dhe jemi secili më i lirë për të folur, ne veçanti unë jam shumë i lirë, sepse, atë që e kam premtuar e kam realizuar për 45 ditë sa i përket rritjes së pagave për të gjithë punëtorët kosovarë.

Edhe atëherë ndokush dhe, ju kujtohen këtu debatet që kanë qenë, kanë thënë se ai nuk është plan, ai nuk mund të realizohet, është e pamenduar, është fushatë elektorale. Po, ka qenë premtim elektoral imi, por sot është vepër e Qeverisë së Kosovës dhe ndihem tepër mirë që nëse krahasojmë periudhën 2007-2011, të ardhurat e sektorëve të caktuar të punëtorisë kosovare, janë rritur më tepër se çdo vendi në rajon dhe,  prioritet imi ka qenë që punëtorët kosovarë të mos mbesin në nivel të ndihmave sociale, por të kenë paga meritore të dinjitetshme në nivel të rajonit fillimisht, e të ecim drejt trendeve të vendeve moderne të shteteve perëndimore dhe, do t’ia arrij.

Në vitin 2007, profesori i shkollës së mesme ka marrë pagë mesatare 235 euro, në 2011-tën, 439 euro, 86 për qind më tepër.

Shërbyesit civilë, rroga mesatare ka qenë 228 euro, ndërsa në vitin 2011, 365 euro, 56 për qind më tepër.

Shëndetësia, 234 euro, 475 në vitin 2011, 87 për qind më tepër.

Administrata Tatimore, 350 euro, 463 në vitin 2011, ose 37 për qind më tepër.

Dogana, 367 euro në vitin 2007, në vitin 2011 504 euro, 37 për qind më tepër.

Gjyqësia, 586 euro në vitin 2007, në vitin 2011, 1080 euro, 84 për qind
Unë besoj se përpos pjesës profesionale, Universiteti dhe shkolla është për edukatë dhe mirësjellje.

Policia e Kosovës në vitin 2007 ka marrë 246 euro, në vitin 2011 456 euro, 85 për qind më tepër.

Ndërsa, për punëtorët universitarë në vitin 2007 kanë marr 501 euro, ndërsa në vitin 2011, 1143 euro, apo 128 për qind.

Ne jetojmë në jetën demokratike dhe unë, edhe njerëzve të universitetit ju kisha lutur kush dëshiron, le ta marr fjalën, le të ngrit çfarëdo çështje që të ketë, por natyrisht se duhet respektuar aspekti profesional edhe edukativ, edhe i mirësjelljes dhe jam i hapur për çfarëdo, çfarëdo komenti që ju mund ta keni. Keni mund ta merrni edhe kryesinë e partisë suaj, nuk ka pasur kurrfarë problemi. Por, për një gjë ju siguroj të gjithëve, të nderuar punëtorë akademikë, studentë dhe gjithë qytetarët se për shtetin e Kosovës nuk do të ketë kthim prapa, për shtetin e Kosovës nuk do të ndërtohet Kosova mbi parimet e së kaluarës të kooperativave bujqësore, por ekonomisë së lirë të tregut, të konkurrencës së lirë, të shtetit modern, pra të një ekonomie të hapur dhe integruese.

Pyetje:
Të gjithë e dimë se ndërtimi i autostradës është një problem kyç, jo lehtë e përballueshme për ekonominë e Kosovës ndërtimi i saj. A mund të na tregoni më gjerësisht se cilat janë vështirësitë që mund të shfaqen drejt realizimit të këtij projekti gjigant?

Kryeministri Thaçi:
Natyrisht se nuk ka qenë e lehtë së realizuari ky projekt, projekt ky i ëndrrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Nuk ka qenë e lehtë kur kemi parasysh se ky projekt implementohet në tërësi nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe unë dëshiroj të theksoj se vetëm para pak ditësh, pikërisht nga zhvillimet politike që ishin, nuk kam dashur që të vizitoj edhe ndërtimin e autostradës, që të mos merr konotacion politik, partiak, apo personifikimit të individit, sepse ai është projekt i vullnetit tuaj dhe është vepër e çdo qytetari të Republikës së Kosovës, dhe ne si lidership e kemi obligim vetëm implementimin e këtyre projekteve. Por, të jeni të bindur se pa vendime të guximshme, pa insistimin tonë këmbëngulës, pa një lobim të fuqishëm tonin në Uashington dhe Bashkim Evropian, nuk do të lejohej realizimi i këtij projekti. Kemi pasur rezerva edhe nga Banka Botërore edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por ky ka qenë qëllimi, vendimi ynë dhe nuk ka pasur shmangien në asnjë mënyrë nga ky projekt.
Ju e dini, këtë projekt e kam prezantuar në premtimet elektorale në vitin 2007. Tani ka filluar asfaltimi. Mund të them lirisht se do të jetë një nga autostradat më moderne ndërkombëtare në rajon.
E theksoj se tri seksionet e para do të përmbyllen së punuari dhe gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë e lëvizjes në këto tri seksione, 34 kilometra, pra nga Theranda në drejtim të Morinës më 30 tetor të këtij viti.

Ndërsa, seksioni i katër dhe i pestë, që ndërlidhet deri të Qafa e Duhlës  dhe pastaj në drejtim të Orllatit, pastaj në drejtim të Prishtinës, do të fillojë edhe seksioni i pestë këtë vit dhe do të përmbyllet në vitin e ardhshëm në drejtim të Prishtinës.

Por, unë ju them se nga viti i ardhshëm, në vjeshtë, çdo qytetar i Republikës së Kosovës do të ketë mundësinë të udhëtojë në autostradën e re, Prishtinë-Morinë-Durrës.

Pengesa ka pasur, por janë tejkaluar, ndërsa pengesa sikur këto që dëgjuam këtu, ka pasur edhe në Parlament, por nuk do të jenë pengesa që mund të më ndalin në rrugën time.

Pyetje: Ju, në prioritetet e Qeverisë suaj keni potencuar arsimin, heqjen e TVSH-së për studentët. Sa janë të realizueshme këto?

Kryeministri Thaçi:
Edhe në prioritetet që kemi prezantuar këto ditë, zhvillimi i kapitalit njerëzor, zë një nga prioritetet kryesore dhe e ritheksojmë se investimi në edukim, ne e kuptojmë si investim të drejtpërdrejt në ekonomi. Prandaj, do të vazhdojmë investimet e fuqishme në edukim, lehtësimin e kushteve dhe studimeve për studentë dhe për Universitetin Publik, por edhe për Universitetet Private dhe ritheksoj se të gjitha ato që i kemi prezantuar para opinionit publik, qytetarëve të Kosovës, do t’i realizojmë në afatet e përcaktuara me kohë dhe unë kam besim të plotë.

Pyetje: Cilat janë implikimet eventuale në raport me FMN-në, sa i përket rritjes së pagave?

Kryeministri Thaçi:
Natyrisht se rritja e pagave, por edhe projektet madhore, janë vazhdimisht projekte që diskutohen, debatohen, që ngritën edhe ndonjëherë debate të cilat jo shpesh herë kuptohen drejt. Ju e shihni, dikush flet për bashkim kombëtar, ndërsa është kundër ndërtimit të autostradës.(qesharake).
Edhe këtyre që janë kundër ekonomisë së lirë të tregut dhe fuqizimit të sektorit privat, unë kam theksuar se qytetari ia ka treguar vendin secilit.
Sa i përket raportit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, diskutimet kanë shkuar në drejtim të duhur dhe jemi në një drejtim të angazhimeve që qojnë drejt një përputhje të agjendës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe FMN-së.

Uroj të gjithë punëtorët që kanë marr pagat me rritje dhe kjo gjë nuk do të ketë kthim prapa.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors