Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi Institutin për Mjekësi Ligjore

Prishtinë, 27 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schëarz, vizitoi Institutin për Mjekësi Ligjore (IML).

Pas përfundimit të procesit të gërmimeve, të cilat kishin nisur saktësisht një muaj më parë, në IML janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, të gjetura në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.

“Jemi informuar që prej mbetjeve mortore në Jabukë është marrë edhe ADN-ja, për t’u bërë identifikimi. Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë pra, të forenzikës të cilët i kemi parë vet duke u angazhuar në Kalludër të Zubin Potokut”, tha kryeministri.

Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë, përveçse i jep fund pritjes së familjeve, me ankth e vuajtje, i hapë rrugë kërkimit të drejtësisë.

Së fundi, investimi i mbi 814 mijë euro, ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës së IML-së, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit dhe krijimin e kushteve më të mira per ofrimin e shërbimeve mjeko ligjore.

Janë rehabilituar dhe modernizuar salla e Autopsisë, Laboratorët e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe Antropologjisë, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive si dhe janë bërë investime në hapësirat për ekzaminime klinike mjeko ligjore.

“Bashkë me zëvendëskryeministren dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne jemi të interesuar që ta rrisim performancën e IML-së, edhe IML-ja çdo vit të ngritët për nga cilësia dhe rezultatet e punës dhe të marrim edhe vlerësimet më të larta ndërkombëtare”, shtoi ai.

Deklarimi i kryeministrit Kurti:

Faleminderit shumë për këtë mikpritje. Ne jemi falënderues e mirënjohës për rolin edhe kontributin tuaj ndër vite. Në veçanti duam të fokusohemi tek këto tri gërmimet e fundit, dy në Kalludër dhe një në Jabukë.

Është bërë saktësisht një muaj prej se u zbuluan. Dhe në njërin vend janë 13 trupa, pastaj në tjetrin 6 dhe në Jabukë 4. Jemi informuar që prej mbetjeve mortore në Jabukë është marrë edhe ADN-ja, për t’u bërë identifikimi. Procesi ka hyrë në një fazë të re dhe ky është rezultat i institucioneve tona në përgjithësi, prej Policisë, AKI-së, Ministrisë së Drejtësisë, IML-së në veçanti, por edhe ekspertëve mjekoligjorë pra, të forenzikës të cilët i kemi parë vet duke u angazhuar në Kalludër të Zubin Potokut.


Dëshirojmë që të shprehim mbështetjen tonë për punën që bëhet. E dimë që i kemi edhe mbi 1500 të pagjetur. Ndoshta ka edhe varreza të tjera masive në veri të vendit, i cili më herët ka qenë i pa qasshëm për organet tona të sigurisë e të ndjekjes.

Është zbuluar edhe sasi e madhe e armatimit dhe municionit rrotull atyre vendeve ku janë bërë gërmimet, ku janë gjetur varrezat masive.

Pra, në njërën anë është aspekti i zbardhjes së fatit të të zhdukurve me dhunë dhe e identifikimit të tyre, në mënyrë që të përfundoj ankthi dhe vuajtja e familjeve dhe të mund të kenë varrim dinjitoz dhe varret të kenë edhe emër e mbiemër.

Në anën tjetër është edhe aspekti i luftimit të krimit, edhe i paqes e i sigurisë, sepse sa më shumë që kemi krime të pazbardhura aq më shumë ka pasiguri dhe aq ma pak ka drejtësi. Andaj, këto janë të gjitha hallkat e ndërlidhura të funksionimit demokratik të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Bashkë me zëvendëskryeministren dhe me ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ne jemi të interesuar që ta rrisim performancën e IML-së, edhe IML-ja çdo vit të ngritët për nga cilësia dhe rezultatet e punës dhe të marrim edhe vlerësimet më të larta ndërkombëtare.


Në anën tjetër, është e rëndësishme që të adresojmë edhe ndonjë kritikë që ekziston, ose ndonjë defekt që na ka ndodhur në të kaluarën, prej lajmeve të ndryshme të paverifikueshme plotësisht, po shpeshherë dashakeqe për zhdukje të mostrave e deri tek ajo avaria që ndodhi me shpërthimin e zjarrit apo edhe me pretendimet për kushte të papërshtatshme, përbrenda IML-së.


Pra, nuk jemi dy palë, jemi në të njëjtën anë. Por siç thuhet ”na ndihmoni, t’ju ndihmojmë”, në mënyrë që edhe performanca, por në anën tjetër edhe reputacioni i IML-së te ngritet për shkak se çfarëdo besimi i qytetarëve në kohë, pra cilindo rast lidhur me institucionet e drejtësisë, varet shumë edhe nga përshtypja që kanë qytetarët për IML-në.

Se shqyrtimet kryesore në seancat gjyqësore, në proceset e ndryshme penale e kanë në thelb të tyre pikërisht ekspertizën e IML-së. Dënimi ose mos dënimi dhe shkalla e ndëshkimit varet shumë prej ekspertizës së këtij instituti.

Prandaj, për neve është shumë e rëndësishme që nëpërmjet lartësimit të IML-së ne ta shtojmë edhe besimin në sistemin e drejtësisë.

Edhe njëherë faleminderit shumë për mikpritjen!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors