Prishtinë, 26 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Inspektoratin Policor të Kosovës, institucion për të cilin tha se është tejet i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe në themel të besimit publik në Republikën e Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë Kurti tha se viteve të fundit IPK-ja ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim ndaj veprimeve të policisë sonë.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, tha ai.
Kryeministri në detyrë Kurti theksoi se Inspektorati Policor i Kosovës e ka forcuar praninë institucionale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit, duke rritur qasjen, besimin dhe barazinë institucionale për të gjithë qytetarët.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
Faleminderit shumë për këtë mundësi sot. Më lejoni që t’ju përshëndes të gjithëve.
Të nderuar drejtues dhe zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës,
I nderuar ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,
U nderuar kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj,
Zonja dhe zotërinj,
Është nder të jem sot këtu. Ju faleminderit për pritjen, në këtë institucion, i cili është tejet i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe i cili ndodhet në themel të besimit publik në Republikën e Kosovës.
Në çdo shtet demokratik forca e institucioneve të sigurisë matet jo vetëm me kapacitetin e tyre operacional, por edhe me integritetin, llogaridhënien dhe kontrollin e brendshëm që ato e ushtrojnë mbi veten e tyre, sepse integriteti është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve në shtet. E, Inspektorati Policor i Kosovës është pikërisht institucioni, i cili e garanton këtë parim. Është mekanizmi, i cili siguron se ligji zbatohet brenda vetë sistemit të sigurisë dhe se askush nuk është mbi ligjin pa përjashtim, pa privilegje, pa diskriminim.
Mandati i tij është i qartë dhe i pa kompromis. Hetim, inspektim, disiplinë dhe referim i çdo rasti ku cenohet integriteti i Policisë së Kosovës.
Ky është një rol thelbësor për funksionimin e shtetit të së drejtës, e që nga fillimi i mandatit për ne ka qenë qenësore forcimi i integritetit të institucioneve.
Rezultatet e punës së IPK-së në vitet e fundit flasin qartë: IPK ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme institucionale për çdo shqetësim ndaj veprimeve të policisë sonë.
Janë trajtuar mijëra raste dhe ankesa çdo vit, me hetime profesionale dhe me masa konkrete disiplinore, por edhe penale kur është konstatuar shkelja e ligjit.
Përmes operacioneve të rëndësishme, përfshirë Pika dhe Pika 2, janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të përfshirë në raste të korruspionit apo të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke dërguar kësisoj një mesazh të qartë institucional: Ligji zbatohet pa përjashtim.
IPK e ka forcuar praninë e saj institucionale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri të vendit tonë, duke rritur qasjen, besimin dhe barazinë institucionale për të gjithë qytetarët.
Gjithashtu është rritur ndjeshëm edhe raportimi qytetarë përmes linjës së kaltër dhe mekanizimeve të komunikimit publik, duke dëshmuar rritjen e besimit në institucion.
Në aspektin ndërkombëtar, Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar arritje të rëndësishme, përfshirë anëtarësimin në organizata profesionale ndërkombëtare të hetuesve të brendshëm, si dhe vlerësime të larta nga partnerë strategjikë për standardet profesionale dhe integritetin institucional. Në të njëjtën kohë digjitalizimi i proceseve dhe rritja e transparencës e kanë forcuar efikasitetin dhe llogaridhënien e brendshme të institucionit.
Një hap i rëndësishëm është edhe pilot projekti për platformën elektronike të vlerësimit të performancës së stacioneve policore, i cili vendos një standard të ri që është i matshëm për performancë dhe për transparencë në sistemin e sigurisë. Prandaj, edhe sot mesazhi është i qartë, Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për ta mbështetur IPK-në në çdo dimension: në fuqizimin e kapaciteteve profesionale; në garantimin e pavarësisë funksionale; në përmirësimin e kornizës ligjore, dhe në modernizimin teknologjik të saj.
Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët.
Në fund dua të theksoj që integriteti është standardi i detyrueshëm i shtetit. Është obligim moral dhe mbi të gjitha obligim ligjor. Ky kontroll institucional është një nga forcat më të mëdha të demokracisë sonë. E, me këtë rast dua të shpreh vlerësimin më të lartë për të gjithë zyrtarët e IPK-së, të cilët besojnë në rolin e tyre të rëndësishëm në mbrojtjen e integritetit shtetëror dhe të besimit qytetarë.
Ankesat e qytetarëve duhet përherë t’i konsiderojmë si kërkesa për bashkëpunim ë me shtetin. Dhe ne jemi të interesuar që të bashkëpunojmë me qytetarët, sepse atyre ju shërbejmë. Puna juaj është me rëndësi të veçantë dhe shtetndërtuese.
Ju faleminderit shumë për përkushtimin kontributin, profesionalizmin dhe vendosmërinë tuaj, e në këtë rrugëtim do të jemi gjithnjë bashkë.
Ju faleminderit!













