Kryeministri në detyrë Kurti vizitoi hidrocentralin e Ujmanit

Zubin Potok, 4 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeshefi i Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, vizitoi sot hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Kurti tha se “ndonëse rëndësia e Ibër Lepencit është te furnizimi me ujë për industrinë, bujqësinë dhe ujësjellësin për amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes”.

Ai theksoi se nga viti 2022 ndërmarrja në vazhdimësi ka dal në fitim financiar.

“Në vitin 2025 Ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim, fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Duhet theksuar që ndërmarrja ka dal me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit”, tha ai, duke shtuar se në katërvjeçarin 2022-2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4.3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018-2021, ka pasur 13.8 milionë euro humbje. Pra, nga 13.8 milionë euro humbje në katërvjeçarin para qeverisjes sonë, në katërvjeçarin e qeverisjes sonë është kaluar në 4.3 milionë euro fitim”.

Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:

Jemi këtu në Hidrocentralin e Ujmanit në komunën e Zubin Potokut. Hidrocentrali i ka dy turbina, secila prej tyre është me kapacitet prej 17.5 MW dhe gjithsej pra 35 MW. Ka filluar të ndërtohet në vitin 1977, vitin e ardhshëm bëhen 50 vjet dhe është përfunduar në vitin 1981.

Hidrocentrali është pjesë e njësisë punuese të Ujmanit, e cila hynë në kuadër të Departamentit të ujit dhe të gjenerimit. Janë 24 punëtorë që operojnë me hidrocentralin, duke përfshirë këtu tre inxhinierë. Njësia e Ujmanit i ka gjithsej 35 punëtorë, të gjithë janë nga komuniteti serb, të punësuar në Ndërmarrjen “Ibër Lepenc”, me konkurs, sipas legjislacionit të Kosovës dhe ne kishim rastin që t’i takojmë disa prej tyre, me ç’rast i falënderuam për punën dhe kontributin dhe u dëshiruam çdo të mirë.

Ndonëse rëndësia e “Ibër Lepencit” është te furnizimi me ujë për industrinë, bujqësinë dhe ujësjellësin për amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të ndërmarrjes. Gjatë viti 2025, pra vitit të kaluar, Hidrocentrali ka prodhuar gjithsej 70 GWh energji, ndërkaq këtu mësuam që për 7 muaj sivjet, tashmë janë prodhuar 60 GWh.

Në vitin 2025, ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim, fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Duhet theksuar që ndërmarrja ka dal me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit.

Në katërvjeçarin 2022-2025, ndërmarrja ka shënuar fitim rreth 4.3 milionë euro, ndërkaq në katërvjeçarin paraprak, 2018-2021, ka pasur 13.8 milionë euro humbje. Pra, nga 13.8 milionë euro humbje në katërvjeçarin para qeverisjes sonë, në katërvjeçarin e qeverisjes sonë është kaluar në 4.3 milionë euro fitim.

Prej viti 2024 ‘Ibër Lepenci” tregton në bursën e përbashkët energjetike Kosovë-Shqipëri “ALPEX”, që i ka mundësuar ndërmarrjes të risë dhe të stabilizoj të hyrat. Në vitin 2024 “Ibër Lepenci” ka nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit me Agjencinë Zhvillimore të Francës (AFD) dhe Ndërmarrjen SCP për të siguruar një studim fizibiliteti për modernizimin e skemës së ujitjes, rehabilitimin dhe rritjen e efiçiencës së hidrocentralit, mundësi të reja gjeneruese, si dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore.

Ndërkaq, me përkrahjen e Bankës Botërore ka filluar studimi i diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit, me ç’rast raporti përfundimtar dorëzohet në shtator sivjet. Ndërmarrja pastaj do të aplikoj për asistencë teknike për dizajnin e detajuar përmes fondit të WBIF.

Unë falënderoj ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, zëvendësit e saj Getoar Mjekun dhe Triera Kasumi, pastaj kryeshefin e “Ibër Lepenci”, Faruk Mujka, dhe të gjithë punëtorët e inxhinierët shqiptarë e serbë, të cilët po e lartësojnë këtë hidrocentral duke mundësuar prodhim gjithnjë e më të madh të energjisë elektrike.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors