Vushtrri, Zubin Potok, 26 korrik 2026
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 26 Korrikut, Ditës Memoriale për Policët e Rënë në Detyrë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi familjen Heroit të Kosovës, Enver Zymeri.
Pas vizitës në Vushtrri, kryeministri Kurti u ndal në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, duke bërë homazhe dhe vendosur lule te lapidari i ngritur në vendin e rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymeri.
Polici i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymeri, ra heroikisht në krye të detyrës më 26 korrik të vitit 2011, gjatë një aksioni për sundim të ligjit të ligjit, sovranitet shtetëror dhe integritet territorial.
“Është nder por edhe obligim i yni që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë për nga sakrifica edhe vetëmohimi. Sot, gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke ju falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosen sundim të ligjit, paqe, siguri, për të gjithë pa dallim”, theksoi kryeministri.
Më 26 Korrik 2023, kampi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë mori emrin e Heroit Enver Zymeri.
Lavdi Heroit të Kosovës Enver Zymeri dhe të gjithë policëve të rënë në detyrë!
Prononcimi i plotë i Kryeministrit në detyrë Kurti:
Faleminderit të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës. Është nder por edhe obligim i yni që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë për nga sakrifica edhe vetëmohimi.
Sot, gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke ju falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosen sundim të ligjit, paqe, siguri, për të gjithë pa dallim.
Sot janë bërë 15 vjet prej rënies heroike të Enver Zymerit, por njëkohësisht këto ditë e shënojmë edhe 20-mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër – Lepenc i cili furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Republikës sonë, e poashtu edhe termoelektranat në Obiliq, të cilat na furnizojnë me energji elektrike.
Për këtë rastin e dytë, siç e dimë tre veta janë në burg, edhe ka një proces të drejtësisë kundër tyre, ndërkaq për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau Heroin e Kosovës, Enver Zymerin, natyrisht që herët ose vonë drejtësia do të veprojë sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar, prandaj edhe prokuroria e gjyqësia jonë e kanë mbështetjen tonë, edhe e kanë detyrën e tyre.
Edhe njëherë, sot në Ditën Memoriale të policëve të rënë në krye të detyrës, lavdi Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë policëve të rënë.













