Prishtinë, 27 maj 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kolegë, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës me rastin e festës së Kurban Bajramit, ku u mirëprit nga Myftiu Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorë.
Teksa falënderoi Myftiun Tërnava dhe Bashkësinë Islame për rolin dhe kontributin në shoqëri, kryeministri në detyrë Kurti uroi besimtarët për këtë festë, duke kujtuar ata që sakrifikuan që Kosova të jetë e lirë dhe prosperuese.
Deklarimi i plotë i kryeministrit në detyrë Kurti:
Vizitën e parë për festën e Kurban Bajramit, si për çdo vjet, edhe sivjet vijmë te Bashkësia Islame e Kosovës për t’ia uruar Myftiut Naim Tërnava dhe bashkëpunëtorëve të tij këtë festë të sakrificës, e cila na e përkujton, e vazhdimisht na e mëson, që edhe sakrifica është festë. Sepse ne i gëzojmë të mirat dhe frytet e atyre të cilët kanë sakrifikuar para nesh dhe kanë mundësuar që ne të kemi liri e prosperitet.
Para së gjithash, dëshmorët e martirët e kombit. Ku ne asnjëherë nuk e harrojmë që aty janë edhe 37 imamë, hoxhallarë, nga lufta çlirimtare bartëse e së cilës ishte UÇK-ja, e deri tek ajo që bëjmë sot si institucione të shtetit, si Bashkësi Islame, si shoqatë “Bereqeti”, që qytetarëve të Republikës t’ju dalim në ndihmë për çdo nevojë që kanë, meqenëse Kurban Bajrami është festë e cila na obligon të ndihmojmë njëri-tjetrin, të përkujdesemi për njëri-tjetrin, të tregojmë solidaritet, bujari, dashamirësi, për të mirën e përgjithshme duke mos e lënë asnjeri prapa!
Edhe njëherë urime Kurban Bajrami! Me fat, e përhajr siç themi në mënyrë popullore, të gjithë qytetarëve!










