Kryeministri në detyrë Kurti u prit në parlamentin e Nordrhein-Westfalen

Düsseldorf, 11 maj 2026

Në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur nga përfaqësues të parlamentit të Nordrhein-Westfalen.

Ai fillimisht u prit nga zëdhënësi i Komitetit Kryesor nga SPD, Hartmut Ganzke, dhe kreu i Komitetit për Evropë dhe Çështje Ndërkombëtare, Stefan Engstfeld, dhe më pas nga shefi i Grupit Parlamentar të SPD, Jochen Ott.

Krahas falënderimeve për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës, kryeministri në detyrë Kurti foli për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e diplomacisë parlamentare.

Në takime, u diskutua për mërgatën si urë lidhëse për bashkëpunimin ekonomik e tregtar, e po ashtu për infrastrukturën dhe mobilitetin, përkatësisht rëndësinë e aeroporteve regjionale. Ndërsa arsimi, me theks të veçantë mundësitë për programe të bursave dhe të shkëmbimeve, ishin po ashtu tema të takimit.

Kryeministri në detyrë Kurti foli edhe për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, marrë parasysh se Nordrhein-Westfalen është regjioni kryesor energjetik dhe industrial në Gjermani.

Ai, po ashtu, u shkrua në Librin e Artë të Parlamentit të Nordrhein-Westfalen, i paraparë për nënshkrime nga mysafirë të rangut të lartë që vizitojnë këtë institucion.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors