Kryeministri në detyrë Kurti priti të Dërguarin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Sorensen

Prishtinë, 24 korrik 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen.

Në takim u diskutuan zhvillimet në raport me Bashkimin Evropian, situata në rajonin e Ballkanit perëndimor si dhe çështjet e dialogut: momenti aktual në këtë proces e pikëpamjet rreth rrugës përpara.

Në këtë kontekst, Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës, i përmbahet angazhimit konstruktiv, ajo punon dhe synon paqe të qëndrueshme, siguri euro-atlantike, stabilitet afatgjatë e fqinjësi të mirë evropiane.

Duke iu përgjigjur të dërguarit Sorensen lidhur me çështjen e ngritur prej tij për kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë të dorëhequr, Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Kosovës afirmon dhe insiston në kushtetutshmëri dhe ligjshmëri, barazi të qytetarëve e përfshirje të të gjitha komuniteteve. Të punësuarit në institucionet e Republikës, janë dhe duhet të jenë nga të gjitha etnitë, e të karakterizohen nga kompetenca profesionale dhe integriteti etik, përfshirë këtu policinë, gjyqësorin e prokurorinë e shtetit. Dorëheqjet kolektive të para katër viteve në veri të Ibrit kishin pikërisht si synim rrënimin e përbërjes shumetnike të sistemit tonë demokratik. Tani, rruga përpara është ajo që e përcaktojnë Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, e cila në rastin e sistemit gjyqësor nënkupton ruajtjen e shumetnisë, por njëkohësisht edhe garantimin e pavarësisë dhe cilësisë së drejtësisë.

Në takim u adresuan edhe tema të tjera aktuale nga procesi i dialogut, duke potencuar rëndësinë e respektimit dhe mosshkeljes së Marrëveshjes Bazike të Brukselit e të Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors