Prishtinë, 29 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion gjithëpërfshirës me rreth 70 përfaqësues shqiptarë nga Lugina e Preshevës, Medvegjës, Bujanocit dhe Pazarit të Ri, nga fusha të ndryshme si politikë, arsim, shëndetësi, sport, art e kulturë e media.
Pasi u uroi mirëseardhje, kryeministri tha se Presheva, Bujanoci, Medvegja, por edhe Sanaxhaku, nuk janë temë e rastit. Nuk janë çështje që ngrihet vetëm kur ka krizë. Janë përgjegjësi e përhershme politike, institucionale dhe kombëtare.
“Sepse prej vitesh kemi të bëjmë me model diskriminimi i cili shfaqet me nën-përfaqësim në polici, në gjyqësor, në administratë, në punësim, në pasivizimin e adresave, në përdorimin e gjuhës shqipe dhe në qasjen e pabarabartë në institucione publike. Por, shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë. Shihet në sjellje. Shihet në mënyrën se si reagon shteti”, tha Kryeministri.
Duke folur rreth vizitës së Presidentit të Serbisë Vuciq në Medvegjë e në Bujanoc, kryeministri tha se Presidenti Vuçiq vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe në Medvegjë, në Bujanoc, në një fshat të Preshevës duke përdorur gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve.
Kryeministri foli edhe për investimet, për mbështetjen si dhe për qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të cilën tha se e kemi ndërtuar në tri rrafshe.
Rrafshi i parë është që qytetarët që vijnë nga këto treva të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës; Rrafshi i dytë është krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm që përkujdesen për pozitën e shqiptarëve atje ku ata jetojnë; dhe Rrafshi i tretë është avokimi ndërkombëtar.
Kryeministri në detyrë Kurti, me këtë rast, tha se po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ai t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, atë që vetë Evropa e konsideron themelore: sundim të ligjit, barazi, mosdiskriminim, dhe mbrojtje efektive e pakicave.
“Dhe nuk mjafton që ne ta dimë se ekziston diskriminimi. Duhet ta dijë edhe Brukseli, Washingtoni e Strasburgu. Dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standardet demokratike dhe për të drejtat e njeriut”, tha Kryeministri në detyrë Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
I nderuari Deputet, Shaip Kamberi,
E nderuara Kryetare e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani,
I nderuari Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi,
Të nderuar koordinatorë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë dhe në Pazarin e Ri, Arben Ferati dhe Amina Nura,
Të nderuar përfaqësues të tjerë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, dhe Pazari i Ri,
Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të mediave, kulturës, sportit, studentë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Ju falënderoj që jeni sot këtu dhe mirë se erdhët në Qeverinë tonë e të tuajën.
Për ne, Presheva, Bujanoci, Medvegja, por edhe Sanaxhaku, nuk janë temë e rastit. Nuk janë çështje që ngrihet vetëm kur ka krizë. Janë përgjegjësi e përhershme politike, institucionale dhe kombëtare.
Sepse prej vitesh kemi të bëjmë me model diskriminimi i cili shfaqet me nën-përfaqësim në polici, në gjyqësor, në administratë, në punësim, në pasivizimin e adresave, në përdorimin e gjuhës shqipe dhe në qasjen e pabarabartë në institucione publike. Por, shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë. Shihet në sjellje. Shihet në mënyrën se si reagon shteti.
Pikërisht një javë më parë, kur Presidenti i Serbisë Vuçiq vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe në Medvegjë, në Bujanoc, në një fshat të Preshevës duke përdorur gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve dhe më pas është dëgjuar premtimi nga Vuçiqi për punësim nga BIA për 48 orë.
Dhe ky kontrast është i rëndë. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nën-përfaqësim. Kur dikush përdor gjuhë përçmuese ndaj shqiptarëve, dëgjon premtim për punësim. Ky është tregues i klimës. Është mesazh. Është mënyra se si shqiptaret e këtyre viseve e përjetojnë shtetin. Dhe pikërisht për këtë arsye, sot jam këtu jo vetëm për t’ju folur, por për të bashkëbiseduar.
Qasjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës e kemi ndërtuar në tri rrafshe.
Rrafshi i parë është që qytetarët që vijnë nga këto treva të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës.
Kemi punuar në arsim, në shëndetësi, në licencim profesional, në specializime, në të drejta pronësore dhe në dokumentacion. Kemi siguruar trajtim të barabartë për pacientët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Kemi krijuar mundësi për licencimin e profesionistëve shëndetësorë. Dhe këtë vit kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm: specialistët nga Lugina janë barazuar me specialistët nga Kosova, ashtu sikurse që kemi vepruar më herët me studentët.
Juristëve nga Lugina me lejeqëndrim në Kosovë ua kemi mundësuar aplikimin për provimin e jurisprudencës e për të drejtat pronësore. Kemi punuar për qëndrimin e përhershëm të qytetarëve të pa dokumentuar e të pasivizuarit.
Dhe kemi punuar që Konkurset e bursave nga Ministria e Arsimit të jenë të qasshme për të gjithë studiuesit. Që konkurset nga Ministria e Kulturës gjithashtu të jenë të qasshëm edhe për juve.
Pra, synimi ynë është që qytetari shqiptar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kur vjen në Kosovë, të ketë sa më pak barriera dhe sa më shumë barazi.
Rrafshi i dytë është krijimi i mekanizmave të qëndrueshëm që përkujdesen për pozitën e shqiptarëve atje ku ata jetojnë.
Për herë të parë kemi krijuar linjë të rregullt buxhetore. Në vitin 2020 kemi ndarë 500 mijë euro për përballimin e pandemisë. Në vitin 2021 kemi ndarë 100 mijë euro pas vërshimeve në Preshevë dhe 100 mijë euro pas vërshimeve në Bujanoc.
Mbështetja financiare është rritur nga 2 milionë në vitet 2022 e 2023 në 3 milionë euro në buxhetin e vitit 2024, dhe në 4 milionë euro nga viti 2025, e natyrisht edhe në vitin 2026.
Kemi siguruar tekste shkollore dhe mjetet për parashkollorë në gjuhën shqipe për mijëra nxënës për çdo vit që nga viti 2022.
Në vitin 2022 kemi mbështetur 107 studentë me bursa e që për çdo vit është rritur dhe varësisht nga aplikimet e gjithë përfshirja deri 756 bursa në vitin e kaluar
Në vitin 2023 kemi filluar edhe bursa për gjimnazistët dhe fëmijët jetim.
Kemi mbështetur kulturën. Trashëgiminë kulturore. Sportin. Median. Organizatat qytetare. Fëmijët me nevoja të veçanta.
Në korrik të vitit 2025 kemi ndarë 580 mijë euro për bashkëfinancimin e Shkollës së Muzikës dhe Muzeut në Preshevë.
Në vitin 2022 kemi nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Dhe përmes këtij bashkëpunimi është ndërtuar një mekanizëm i rregullt institucional. Për gjitha këto vendime. Për këtë bashkëpunim e falënderoj posaçërisht kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Rrafshi i tretë është avokimi ndërkombëtar.
Sepse shumë nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk zgjidhen vetëm me mbështetje financiare.
Diskriminimi është institucional, është politik, është administrativ, është gjuhësor.
Është në punësim. Është në polici. Është në gjyqësor. Është me pasivizimin e adresave. Është në përfaqësimin e dobët në institucionet publike.
Për këtë arsye kemi mbështetur avokimin ndërkombëtar. Në Bruksel. Në Ëashington. Në Neë York, në Parlamentin Evropian. Në Këshillin e Evropës dhe në kryeqytetet më të rëndësishme evropiane.
Sepse diskriminimi që nuk dokumentohet, relativizohet. Diskriminimi që nuk matet, minimizohet. Diskriminimi që nuk ndërkombëtarizohet, ngelet problem lokal.
Dhe ne nuk duam që pozita e shqiptarëve në Serbi të trajtohet si problem lokal, sepse është çështje e të drejtave të njeriut, e sundimit të ligjit. Dhe e përgjegjësisë së një shteti kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Dhe pikërisht këtu vjen çështja për të cilën jemi mbledhur sot. Kemi dy transfere të bllokuara në janar të këtij viti, në vlerë prej 304,511 euro dhe prill po të këtij viti, në vlerë prej 1,837,511 euro, apo më shumë se gjashtë fishi i shifrës paraprake.
Pas këtyre mjeteve qëndron një arkitekturë e tërë programesh të rëndësishme për jetën e shqiptarëve,
- Janë 78 projekte të aprovuara në art, kulturë dhe trashëgimi kulturore.
- Janë 23 projekte në sport.
- Janë 13 projekte për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare.
- Janë 7 organizata që punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta.
- Janë edhe 15 aplikantë të vlerësuar në fushën e informimit dhe të mediave në gjuhën shqipe.
Vetëm këto përbëjnë 136 projekte dhe organizata të aprovuara. - Janë edhe 61 aplikime dhe familje të aprovuara për nxënësit që kanë humbur njërin ose të dy prindërit.
Por kjo është vetëm një pjesë. Sepse këto mjete përfshijnë edhe - programin e librave falas për nxënësit e shkollave fillore.
- Programin e praktikës profesionale të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
- Programin për zgjerimin dhe mirëmbajtjen e zyrave të Këshillit në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe në Pazarin e Ri.
- Dhe programin për avokimin e të drejtave të shqiptarëve në qendrat ndërkombëtare.
Pra, nuk po flasim vetëm për organizata të cilët kanë fituar projekte.
Po flasim për nxënës. Për studentë. Për praktikantë. Për fëmijë me nevoja të veçanta. Për sportistë. Për artistë. Për media. Për aktivistë e për institucione.
Dhe për vetë kapacitetin e shqiptarëve për t’u organizuar e për ta përfaqësuar vetveten e tyre.
Kjo është arsyeja pse bllokimi i mjeteve nuk mund të matet vetëm me vlerën shumës në euro.
Dëmi i vërtetë matet me mundësitë që humben. Me librin që nuk mund të arrij te nxënësi. Me praktikën që nuk e fillon i riu. Me projektin kulturor që mbetet veçse në letër. Me klubin që nuk e realizon aktivitetin. Me median që nuk e zhvillon programin në shqip. Me familjen që nuk e merr mbështetjen.
Dhe me Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilit i bllokohet mundësia për të ushtruar në praktikë kompetencat të cilat vetë ligji ia njeh.
Mjetet janë transparente.
- Dihet nga vijnë.
- Dihet sa janë.
- Dihet për çfarë janë.
- Dihet përmes cilit institucion duhet të kalojnë ato.
- Dihet kush janë përfituesit.
- Pra dihet ku do të përfundojnë ato.
Prandaj, kjo nuk mund të paraqitet si çështje teknike bankare atëherë kur publikisht një ministër i Serbisë konfirmoi se mjetet janë bllokuar dhe se ishin kthyer.
Është përgjegjësi institucionale. Dhe Serbia duhet të japë përgjigje.
Prandaj, mjetet duhet të zhbllokohen. Duhet të arrijnë në llogarinë bankare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Projektet e aprovuara duhet të realizohen. Programet duhet të vazhdojnë. Dhe kjo praktikë nuk duhet të përsëritet.
Dhe po kërkojmë nga Bashkimi Evropian që ai t’i kërkojë Serbisë, si vend kandidat për anëtarësim, atë që vetë Evropa e konsideron themelore: sundim të ligjit, barazi, mosdiskriminim, dhe mbrojtje efektive e pakicave.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen. Është përgjegjësi e jonë kombëtare, që shqiptarët nga këto treva të jenë sa më të barabartë me qytetarët e Kosovës kur vijnë këtu.
Që të ndërtojmë mekanizma të qëndrueshëm që e mbështesin jetën shqiptare atje ku ajo zhvillohet çdo ditë.
Dhe që diskriminimin sistematik ndaj tyre ta dokumentojmë, ta ndërkombëtarizojmë dhe ta bëjmë pjesë të përgjegjësisë së Serbisë para partnerëve ndërkombëtarë.
Sepse nuk mjafton që një shqiptar nga Presheva të trajtohet mirë në Prishtinë. Duhet të ketë të drejta edhe në Preshevë.
Nuk mjafton që një student nga Bujanoci të marrë bursë në Kosovë. Duhet të ketë perspektivë edhe në Bujanoc.
Nuk mjafton që një mjek nga Medvegja të licencohet në Kosovë. Duhet të ketë mundësi të punojë me dinjitet, në profesionin e vet, edhe atje, në Medvegjë.
Nuk mjafton që një i ri i Pazarit të Ri të ndjek kurset e gjuhës shqipe. Duhet ta ketë edhe mundësin ta ruaj, ta mbroj, ta gjallërojë identitetin e vet kombëtar e kulturor.
Dhe nuk mjafton që ne ta dimë se ekziston diskriminimi. Duhet ta dijë edhe Brukseli, Washingtoni e Strasburgu. Dhe çdo institucion që e vlerëson Serbinë për standardet demokratike dhe për të drejtat e njeriut.
Të nderuar të pranishëm,
Motra e vëllezër,
Sot jam këtu për të bashkëbiseduar. Për t’i marrë drejtpërdrejtë nga ju problemet praktike, konkrete. Për t’i kthyer ato në veprim institucional. Dhe, për të vazhduar këtë politikë me edhe më shumë qartësi, më shumë mekanizma dhe më shumë përgjegjësi.
Mjetet duhet të zhbllokohen. Projektet duhet të realizohen. Barazia duhet të zbatohet. Dhe të drejtat e shqiptarëve duhet të mbrohen aty ku ata jetojnë.
Ju faleminderit shumë për pjesëmarrjen dhe për vëmendjen tuaj!



















