Podujevë, 11 korrik 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka vizituar fermerin Malësor Sejdiu, me ç‘rast pa nga afër fushatën e korrje shirjeve në Komunën e Podujevës.
Duke e vlerësuar si shembull të shkëlqyer të punës, përkushtimit dhe qasjes, kryeministri tha se Sejdiu është model që dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe me mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim i cili është gjithnjë e më modern dhe më konkurrues.
“Sivjet, në Republikën e Kosovës janë mbjellur gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje mund të shkoi edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Ai më tej shtoi se paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme të mbështetjes edhe për sektorë të tjerë strategjikë.
“Për herë të parë kemi vendosur mbështetje shtesë prej 100 eurosh për hektarin e parë të çdo ferme, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat të moshës prej 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë për skemat e pagesave direkte”, tha kryeministri.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit në detyrë Kurti:
Jemi këtu me Malësor Sejdiun, ne nga Qeveria qendrore dhe nga pushteti lokal këtu në Podujevë, në arën e Malësorit prej 140 hektarësh të mbjella me grurë. Puna, përkushtimi dhe qasja e tij janë shembull i shkëlqyer të cilin ne duam ta shohim në mbarë Kosovën. Është model që dëshmon se me investime serioze, planifikim afatgjatë dhe me mbështetje institucionale, bujqësia jonë po merr një drejtim i cili është gjithnjë e më modern dhe më konkurrues.
Sivjet, në Republikën e Kosovës janë mbjellur gjithsej mbi 75 mijë hektarë me drithëra të bardha, prej të cilave afër 72 mijë hektarë janë me grurë. Bazuar në gjendjen në terren dhe kushtet klimatike, presim rendimente mesatare prej 4 deri në 5 ton për hektar, ndërsa procesi i korrjes pritet të përfundojë deri në fund të korrikut ose nëse do të ketë reshje mund të shkoi edhe në javën e parë të gushtit në vise të caktuara të Kosovës.
Por këtu që ndodhemi me Malësorin morëm vesh se rendimenti mesatar për hektar këtu është rreth 6 ton, që do të thotë se është mbi mesataren e nivelit të Kosovës.
Rezultatet e vitit të kaluar na japin besim. Vitin e kaluar janë korrur mbi 78 mijë hektarë, është arritur rendimenti mesatar prej 4.8 ton për hektar dhe janë prodhuar afër 380 mijë ton grurë. Këto rezultate dëshmojnë potencialin e madh të bujqësisë sonë por edhe punën e palodhur të fermerëve tanë.
Këto rezultate nuk ndodhin rastësisht. Ato janë rezultat i përkushtimit të fermerëve dhe i politikave që atyre u japin siguri për të investuar. Pikërisht për këtë arsye, këtë vit flasim për një sezon të mirë dhe flasim për një model të ri të mbështetjes së fermerëve.
Me Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte 2026, kemi ndërtuar një sistem modern, të drejtë dhe stimulues, i cili nuk mbështet vetëm sipërfaqen e mbjellë, por edhe prodhimin, cilësinë, fermerët e rinj, fermat e vogla dhe praktikat e qëndrueshme të prodhimit.
Ky udhëzim do të mundësojë planifikimin edhe më të mirë, dhe harmonizim të kalendarit të punëve bujqësore.
Për prodhuesit e grurit kjo nënkupton pagesë bazë për hektar, mbështetje shtesë për prodhimin e grurit, mbështetje për hektarët e parë të fermës dhe stimulim për fermerët që arrijnë rendimente të larta dhe e dorëzojnë prodhimin sipas kritereve të Programit të Pagesave Direkte. Paketa e subvencioneve për vitin 2026 sjell rritje të konsiderueshme të mbështetjes edhe për sektorë të tjerë strategjikë.
Kësisoj, për sektorin e perimeve e kemi rritur mbështetjen me 30%, duke e çuar subvencionin deri në 1,054 euro për hektar për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur apo në serra. Me 30% është rritur edhe mbështetja për sipërfaqet e mbjella me pemë.
Mbështetja është rritur me 20% për grurin me rendiment të lartë, për mjedrat, patatet, fasulet, mëshqerrat për riprodhim dhe viçat për majmëri. Pra, edhe në blegtori përveçse në bujqësi. Për vreshtat kemi rritur mbështetjen me 10%, ndërkaq vazhdon subvencionimi prej 7 centësh për çdo litër qumështi të dorëzuar.
Për herë të parë kemi vendosur mbështetje shtesë prej 100 eurosh për hektarin e parë të çdo ferme, 100 euro për hektar për plehun artificial, 54 euro për hektar për naftën, si dhe 500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat të moshës prej 18 deri në 29 vjeç që regjistrohen për herë të parë për skemat e pagesave direkte.
Synimi ynë është i qartë: më shumë prodhim vendor, më shumë cilësi, më shumë siguri ushqimore, më shumë të ardhura për fermerin dhe një bujqësi më konkurruese.
Unë e falënderoj fermerin Malësorin për mikpritje, e përgëzoj për punën e madhe që po bën, për kontributin e jashtëzakonshëm që po jep dhe Malësori është dëshmi e materializimit të asaj thënies sonë të famshme ‘sa më shumë bukë në sofrën tonë nga toka jonë’.
Faleminderit Malësor shumë, faleminderit Fahri!












