Kryeministri në detyrë Kurti organizoi takim me zyrtarë publikë në Ballkonin e Hapur

Prishtinë, 28 gusht 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi takimin tashmë të rregullt me zyrtarë publikë të Zyrës së Kryeministrit, në Ballkonin e Hapur të Qeverisë.

I shoqëruar nga Shefja e Stafit të Zyrës së Kryeministrit, Flora Macula, kryeministri Kurti i falënderoi zyrtarët për punën, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe nevojën për punë ekipore, pa dallime.

“Duhet të punojmë bashkë pavarësisht a jemi politik apo administrativ, sepse nuk mundemi njëri pa tjetrin. As administrata nuk bën pa politikën, por as politika s’ia del dot pa administratën. Andaj, ndërveproni, komunikoni, me respekt të ndërsjellë e mbi të gjitha angazhohuni bashkë me Florën për punë ekipore”, tha ai.

Teksa tha se të punosh do të thotë të kesh vullnet për të marrë përgjegjësi, kryeministri shtoi është shumë e rëndësishme që të gjitha punët të kryhen jo vetëm mirë, por edhe në kohë.

“Jemi staf politik e staf administrativ, por në të njëjtën kohë na lidh shërbimi publik. Asnjëri prej nesh nuk jemi për vetveten tonë, jemi për atë që bëjmë për të tjerët. Jemi përcaktuar për sektorin publik, për shtetin e pavarur, për Republikën demokratike, andaj jo vetëm funksioni, por edhe kuptimi ynë në këto pozita është veçse në atë çfarë bëjmë për qytetarët e Republikës, të cilët i kanë pritjet shumë të larta prej neve dhe sa mirë që është kështu”, tha kryeministri.

Shefja e Stafit, Flora Macula, theksoi rëndësinë komunikimit, ndërveprimit dhe punës së bashku, me qëllim shërbimin për qytetarët.

“Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur, çfarëdo që keni nevojë, gjithë nga ju vetëm më shkruani apo më trokitni në derë, unë jam aty me ju shërby ju, e ne jemi të gjithë me i shërby kryeministrit edhe Qeverisë, për një vend më të mirë për qytetarët dhe për një vend që gjithkush e ndjen veten mirë, pa dallim gjinie, pa dallim moshe, pa dallim religjioni apo nacionaliteti”, tha ajo.

Fjala e Kryeministrit në detyrë Kurti:

Të nderuar kolegë,

Mirëmëngjesi të gjithëve, nga të gjitha zyrat e të gjitha kateve të kësaj ndërtese pranë Ballkonit të Hapur.

Ky në përgjithësi është një vend shumë i rëndësishëm, në të cilën merren vendime të vlefshme, bëhen punë të mëdha dhe zhvillohen ngjarje prej takimeve të larta shtetërore, e deri të protestat VIP.

Unë jam këtu bashkë me Shefen e Stafit, Flora Maculën, dhe ju inkurajoj të gjithave dhe të gjithëve që të komunikoni sa më shumë me të. Flora është nga Mitrovica. Flora ka punuar shumë vite jashtë vendit në punë të rëndësishme menaxheriale, me projekte shumë milionëshe, me organizata me qindra njerëz në tri kontinente dhe prej një përvoje kaq të gjatë është kthyer në Kosovë, dhe tash do të punojë bashkë me mua. Edhe me stafin civil edhe me stafin administrativ.

Duhet të punojmë bashkë pavarësisht a jemi politik apo administrativ, sepse nuk mundemi njëri pa tjetrin. As administrata nuk bën pa politikën, por as politika s’ia del dot pa administratën. Andaj, ndërveproni, komunikoni, me respekt të ndërsjellë e mbi të gjitha angazhohuni bashkë me Florën për punë ekipore.

Është e rëndësishme që secili individ të jetë i përgjegjshëm, por edhe më e rëndësishme se kaq është që rezultatet të njihen e të dihen, si fryte të punës ekipore.

Ajo çka çalon në shoqërinë tonë edhe më shumë se në shtetin tonë, janë të arriturat ekipore. Kemi shumë suksese individuale, jo veç në sport, por edhe në politikë e institucione, na mungojnë rezultatet, të arriturat ekipore. Dhe prandaj e kemi Florën këtu që t’ju ndihmoj të krijoni ekipe që bashkëveprojnë dhe të cilat sjellin rezultate të cilat e mbajnë vulën e një ekipi me disa persona, të një skuadre dhe jo vetëm të një emri të përveçëm.

Tjetra që dua të theksoj sot, është që të jesh i përgjegjshëm do të thotë të duash të marrësh përgjegjësi. Kjo, po ashtu, tek ne nuk është çdoherë evidente.

Unë e di që të gjithë ne punojmë shumë, mirëpo jo të gjithë ne tërë kohën kemi vullnet për të marrë përgjegjësi.

E të punosh do të thotë të kesh vullnet për të marrë përgjegjësi. E marrja e përgjegjësisë në anën tjetër nënkupton që punët duhet t’i kryejmë e të mos i lëmë për nesër a pasnesër. Çdo punë e cila është dashur të kryhet sot dhe ka ngelur e pa kryer shndërrohet pengesë nesër për punën e nesërme e të pasnesërme.

Pra, shumë e rëndësishme që të gjitha punët të kryhen jo vetëm mirë, por edhe në kohë. E ato bëhen më së shumti e më së miri atëherë kur janë punë ekipore, dhe atëherë kur secili anëtar i ekipit ka vullnet për të marrë përgjegjësi, dhe ky është veçse fillimi i të qenit i përgjegjshëm.

Jemi staf politik e staf administrativ, por në të njëjtën kohë na lidh shërbimi publik. Asnjëri prej nesh nuk jemi për vetveten tonë, jemi për atë që bëjmë për të tjerët.

Jemi përcaktuar për sektorin publik, për shtetin e pavarur, për Republikën demokratike, andaj jo vetëm funksioni, por edhe kuptimi ynë në këto pozita është veçse në atë çfarë bëjmë për qytetarët e Republikës, të cilët i kanë pritjet shumë të larta prej neve dhe sa mirë që është kështu.

Nuk jemi një qeveri e cila mundohet t’i menaxhoj pritjet, përkundrazi mundohet t’i emancipoj qytetarët. Le të kërkojnë prej neve gjithnjë e më shumë e sa më shumë që mund të imagjinojnë, sepse kjo na cytë edhe neve që të punojmë më mirë për ta.

Ju e dini që në këtë ndërtesë jemi të ndarë për nga lartësia dhe me zyre, jemi në lartësi të ndryshme e me mure ndërmjet, po këtu jemi edhe bashkë edhe në rrafsh dhe është një shans që të njiheni më mirë, të komunikoni edhe jashtë detyrave të përditshme, por gjithashtu edhe që, të inkurajoni njëri tjetrin në formimin e ekipeve të ndryshme që duhet ta rrisin edhe sasinë, por edhe ta ngrisim cilësinë e punës. Pas kësaj vere me vapë shpresoj që na pret një vjeshtë me freski.

Do të kemi stabilitet institucional. Nuk ka qeveri tjetër në këtë vend, në këtë dekadë, dhe gjithashtu do të kemi më shumë se sa stabilitet ekonomik, për shkak se do të kemi rritje stabile ekonomike.

Unë ju falënderoj shumë për angazhimin që bëni, përbrenda të cilit ka me siguri shumë mund e përpjekje që nuk dihet.

Ju falënderoj shumë për kontributin, madje edhe për atë që nuk njihet. Por të jeni të bindur që do të jemi në shërbim t’juajin që të jeni gjithnjë e më shumë në shërbim të popullit të Kosovës dhe për këtë llogaritni në Qeverinë e Republikës, por në veçanti në mua si Kryeministër dhe në Shefen tonë të Stafit nga Mitrovica, Flora Maculën.

Fjala e Shefes së Stafit, Flora Macula:

Faleminderit kryeministër. Mirëmëngjesi të gjithëve,

Mirëmëngjesi, edhe me ata që bashkëpunoj ngushtë por edhe me ata që s’kam arrit ende me fillu bashkëpunimin, por e kemi kohën përpara dhe me siguri do të bashkëpunojmë. Veç desha të ju falënderoj për punën e shkëlqyeshme që e bëni.

Përvoja ime disa mujore me administratën është, që në qoftë se kërkoj diçka, në qoftë se nuk kthehet për pesë minuta, brenda orës me siguri po. Kështu që ju falënderoj shumë për gatishmërinë, edhe punën që e bëni të shkëlqyeshme.

Gjithashtu e falënderoj edhe stafin në Zyrën e Kryeministrit, politik, të cilët janë të ri, me mendje të hapur, edhe të gatshëm gjithashtu me kontribu si gjithë ne, për një qëllim që t’i shërbejmë popullit të Kosovës.

Unë jam një gjeneratë më e vjetër, e cila kam shkuar nëpër të gjitha ato situatat më të vështira, e ju disa më të ri ndoshta keni qenë të vegjël, ose s’keni qenë hiç, po veç po ju them, ne e kemi pas ëndërr këtë, edhe kurrë s’kam besu që do ta mbërrijmë. Mos harroni duhet me mbajtë këtë. E mbahet vetëm me punë. E puna nuk bëhet në izolim, ndryshe ju, ndryshe ata, por duhet së bashku. E kemi një qëllim.

E unë po ju them, dera ime do të jetë gjithmonë e hapur, çfarëdo që keni nevojë, gjithë nga ju vetëm më shkruani apo më trokitni në derë, unë jam aty me ju shërby ju, e ne jemi të gjithë me i shërby kryeministrit edhe Qeverisë, për një vend më të mirë për qytetarët dhe për një vend që gjithkush e ndjen veten mirë, pa dallim gjinie, pa dallim moshe, pa dallim religjioni apo nacionaliteti.

Këtë e kemi për detyrë se këtu jemi ne, e mendoj që edhe sytë e popullit janë te ne. E ne duhet me arsyetu atë punë. Unë jam këtu t’ju shërbejë sa të kem shnetë.

Ju faleminderit shumë që jeni këtu, edhe për kontributin që nuk është i dukshëm, por është kritik që institucionet të funksionojnë. Faleminderit shumë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors