Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në Turneun Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”

Has, 21 qershor 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, mbrëmë mori pjesë në natën finale të Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit”.

Para të pranishmëve, kryeministri tha se dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit tonë dhe në rrënjët e lirisë tonë.

“Për ta përmbyllur finalen e Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit” këtu në Kodrën e Pajtimit, s’ka dyshim që është më shumë se një turne sportiv ky në të cilin po marrim pjesë bashkë. Është një akt kujtese, është shprehje mirënjohje, dhe dëshmi që sakrifica e brezave të tërë vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive të shoqërisë e të popullit tonë, dhe ne dëshirojmë t’i promovojmë vlerat e shëndosha edhe për brezat e ri e për ata që do të vijnë pas nesh”, tha kryeministri në detyrë Kurti.

Duke u bërë thirrje rinisë që të merren sa më shumë me sport, kryeministri ju dëshiroi shumë suksese në të ardhmen dhe tha se Qeveria do të jetë pranë tyre për iniciativa sportive dhe jo vetëm.

Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:

Të dashur hasjanë, është kënaqësi që jam sot në mesin e juaj, bashkë me ministrin e Sportit dhe të Rinisë, Blerim Gashanin, pastaj me kryetarin e Hasit, nga ana tjetër e kufirit, por i njëjti Has, se nuk ka dy tre Hasa, një Has kemi, kryetarin Miftar Dauti dhe gjithashtu me mikun tonë e kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Thaçi.

Të nderuar organizatorë të “Javës së Dëshmorëve në Has”, dëshmorët ndodhen në themelet e shtetit tonë. Ndodhen në rrënjët e lirisë tonë.

Andaj ne ata kurrë nuk i harrojmë, gjithmonë i përkujtojmë sepse amanetet, idealet e tyre, na prijnë drejt së ardhmes, ndërkaq gjaku i tyre është ai i cili na mban të fuqishëm edhe historinë tonë, por edhe të tashmen tonë.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar. Lavdi luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për ta përmbyllur finalen e Turneut Tradicional të Futbollit “Java e Dëshmorëve të Hasit” këtu në Kodrën e Pajtimit, s’ka dyshim që është më shumë se një turne sportiv ky në të cilin po marrim pjesë bashkë. Është një akt kujtese, është shprehje mirënjohje, dhe dëshmi që sakrifica e brezave të tërë vazhdon të jetojë në vetëdijen kolektive të shoqërisë e të popullit tonë, dhe ne dëshirojmë t’i promovojmë vlerat e shëndosha edhe për brezat e ri e për ata që do të vijnë pas nesh.

Pra, duke respektuar dëshmorët ne themi që çdo ditë e bëjmë forcimin e shtetit, e mbrojmë demokracinë e vendit, i ruajmë kufijtë e Republikës, dhe punojmë për një shoqëri më të drejtë e më të zhvilluar.

Prandaj, edhe ato dy vajza të vogla që me uniformën e FSK-së, e me flamurin kombëtar shqiptar dhe atë të Republikës së Kosovës, i këndonin ushtrisë tonë, janë dëshmia më e mirë që e ardhmja jonë do të jetë edhe më e sigurt, edhe më e ndritshme se e tashmja jonë.

E ne gjithashtu, bashkë me ministrin Blerim Gashani, dëshirojmë që t’i japim hov sportit, e në veçanti futbollit si sporti më i popullarizuar, sepse nuk ka kundërvënie më të mirë ndaj pasivitetit të rinisë, ndaj obsesionit me rrjetet sociale dhe me përqendrimin shumorësh gjatë ditës në telefona, se sa futbolli.

Besoj që të gjithë e dimë se nuk mundemi edhe me luajt futboll edhe me këqyr në telefon. Prandaj, sa më shumë që të merren me sport rinia, prej fëmijërisë aq më mirë do të jetë.

E mua mu bë zemra mal kur këtu e pash një 72 vjeçar, 72 vjeçarin Adem Brahaj. Ademi prej Gjonajve i ramë në Berlin, e i cili është kthyer tash në vendlindje dhe nuk ndalet duke luajt futboll. Prandaj, të gjithë ju që thoni u djersita s’po mundem ma, ose po pritoj, kujtojeni Adem Brahajn, 72 vjeçar.

Pra, sporti është edukim, sporti është disiplinë, sporti është përkushtim dhe sporti na bën bashkë. Sepse sportin nuk mundesh me luajt me vetveten por duhet bashkë me të tjerët, ta kesh edhe një ekip kundërshtar dhe t’i kesh edhe tifozët që të ndihmojnë që të fitosh garën.

Por, kjo natyrisht nuk na paraqet neve vetëm entuziast të sportit, por gjithashtu edhe një Qeveri e Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, që do t’i mbështet, e keni fjalën tonë, zotimin tonë do t’i mbështet të gjitha iniciativat e këtilla sportive të cilat ua mësojnë rinisë dhe jo vetëm, shpirtin e garës, fitoren me dinjitet, por edhe humbjen me respekt. Sepse pas çdo humbje është një fitore e ardhshme, sepse në atë ti ke mësuar se si të fitosh.

Edhe sonte e dimë Xhevdet që janë dy ekipe, të dyja s’mundem me fitu. Nuk mundet me fitu edhe Dardania edhe Lagja e Shehut. Por ta dimë që o Dardania o Lagja e Shehut do të fitojë sonte.

Por i përgëzoj të gjithë lojtarët, ekipet, trajnerët të cilët kanë ardhur deri në këtë pikë dhe do të na e sjellin një finale, edhe një finale tjetër të cilën nuk do ta harrojmë kurrë.

Ju faleminderit shumë për ftesën, e ju dëshiroj shumë suksese në të ardhmen. E do të na keni pranë për iniciativa sportive dhe jo vetëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors