Prishtinë, 6 shtator 2026
E nderuara ushtruese e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Drejtësisë, znj. Donika Gërvalla-Schwars
I nderuari ministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla,
I nderuari drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Gazmend Hoxha,
I nderuari drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Petrit Ajeti,
I nderuari zëvendësministër i Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut, z. Astrit Iseni,
I nderuari zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Enver Dugolli dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Gegë Lleshi,
I nderuar z. Antero Lopes, shef i EULEX-it në Kosovë,
Të nderuar ambasadorë dhe ju diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën tonë,
Të dashur familjarë të policëve të rënë në krye të detyrës,
Të nderuar eprorë e zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe ju ushtarakë, oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Kosova është më e sigurtë se asnjëherë më parë, sepse edhe Policia e shtetit është më e fortë se kurrë.
Themelimi i Policisë së Kosovës 27 vjet më parë përkon me çlirimin e vendit tonë. Me sakrifica e mund u ngrit ky institucion ku sot secila e secili që është pjesë e saj, punon e kontribuon me dinjitet dhe përpikëri. Në çdo cep të vendit tërë kohën, Policia është angazhuar për shtet që funksionon e ku ngadhënjen rendi dhe ligji. Krimi i organizuar e rrjetet kriminale, format e frikësimit e të shantazhimit të komuniteteve e qytetarëve, nuk kanë më vend në shoqëri demokratike sikurse e jona, falë edhe punës së palodhshme të institucioneve të sigurisë.
Policia respekton dhe ruan të drejtat e qytetarëve pa dallim duke zbatuar ligjin e shtetit tonë demokratik. Besimi i popullit varet nga shërbimi ynë e bashkë me kushtetutshmërinë ndërtojmë e zgjerojmë legjitimitetin.
Arritjet në sundim të ligjit për paqe e siguri, që rezultuan edhe me shtrirje të sovranitetit e mbrojtje të integritetit territorial, po e shtojnë efikasitetin dhe zgjerimin e shërbimeve publike në veri të vendit. Përgjatë 5 viteve të fundit, krahas rritjes për mbi 50% të buxhetit të Policisë së Kosovës, kemi investuar edhe në rritjen e kapaciteteve për më shumë mbrojtje e siguri: mes tyre janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione dhe baza policore në të gjithë veriun, aty ku më parë nuk kishte asnjë stacion në mbrojtje e ruajtje të kufirit.
Rritja e sigurisë dhe prania e institucioneve shtetërore në veri, tregoi se ishte kyçe edhe për zbulimin e varrezave masive dhe mbetjeve mortore të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit. Në afërsi të tyre u gjetën edhe sasi të mëdha të armatimit e të municionit, të cilat janë dërguar për ekzaminim dhe analizë për lidhjen me krimet dhe masakrat e kryera në ato tri lokacione në Zubin Potok, pra në fshatin Kalluder dhe Jabukë. Pesha e punës së Policisë mbart vlerë morale ndaj kujtesës sonë kombëtare dhe ndaj viktimave të agresionit e gjenocidit të Serbisë.
Përballë të gjitha sfidave që i paraqiten, Policinë do të vazhdojmë ta mbështesim me pajisje moderne, kushte më të mira dhe mbrojtje institucionale, por edhe do t’ia shtojmë forcat përkrah saj. Themelimi i xhandarmërisë shërben edhe si siguresë shtesë për beteja të përbashkëta, ku ajo do të ketë mandat të qartë: sigurimin e vijës kufitare tokësore, ujore dhe ajrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës; operacione kundër grupeve terroriste dhe të armatosura, përfshirë ato me karakter paraushtarak; parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të kontrabandës ndërkufitare dhe menaxhimin e situatave të rrezikut të lartë e sigurimin e infrastrukturës kritike.
Kjo strukturë do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës në mënyrë që sukseset në fushën e sigurisë t’i shtojmë dhe të parandalojmë çdo lloj tentative destabilizuese që vjen nga fqinji ynë verior.
Të nderuar të pranishëm,
Mirënjohjen më të thellë dhe kujtimin e përjetshëm duhet t’ia dedikojmë atyre të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Në mesin e zyrtarëve policorë që humbën jetën me uniformën e Policisë mbi supe, janë edhe heronjtë tanë, Heronjtë e Kosovës, Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku. Beteja e tyre ishte e përbashkët e terreni gjithashtu, pra veriu i Kosovës. Aty ku Republika u sfidua për shumë gjatë dhe u cenua integriteti ynë territorial e sovraniteti shtetëror. Ata janë një prej frymëzimeve kryesore të çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës. Andaj, le të përkushtohemi çdo ditë ta bëjmë maksimumin që Policia të vazhdojë ta ngrejë standardin e saj, t’i ofrojë siguri secilit qytetar të Republikës dhe të vazhdojë ta mbrojë çdo pëllëmbë të shtetit.
E për ata të cilët gjatë përvojës së tyre kanë përjetuar humbjen e papritur, të paparashikuar e tragjike të kolegëve të tyre nga radhët e Policisë së Kosovës, ju shpreh solidaritetin tim dhe porosinë që asnjëherë të mos i harroni ata, por t’ia dedikoni atyre çdo moment të përpjekjes tuaj kudo tërë kohën.
6 shtatori është dita e Policisë, e secilit prej jush, e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. E atyre që angazhohen përditë dhe luftojnë fort që Kosova të ketë jetë e zhvillim të sigurt dhe në paqe, që shteti të ketë mbrojtje, siguri e dinjitet.
Urime 27 vjetori i Policisë së Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të saj!
Rroftë Republika dhe Policia e Kosovës!