Zubin Potok, 4 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e përfundimit të projektit madhor të rehabilitimit të kanalit kryesor të Ibër Lepencit, “Siguria ujore dhe mbrojtja e kanalit”, në Zubin Potok.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e kanalit të Ibër Lepencit dhe investimit që rritë sigurinë e tij.
“Përmes këtij projekti në vlerë prej 18 milionë euro, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit si dhe është ndërtuar një buffer rezervuar ose rezervuar kompenzues me kapacitet 30 mijë metra kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente”, tha ai.
Ai theksoi se mbrojtja e kanalit nuk është thjeshtë një çështje lokale dhe as vetëm teknike, por mbrojtje e jetës së përditshme të Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara.
“Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut, ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet esenciale të vazhdojnë të ofrohen me cilësinë e duhur pandërprerë”, theksoi kryeministri.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara znj. Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë,
Të nderuar zëvendësministra Getoar Mjeku dhe Triera Kasumi Berisha,
I nderuar Faruk Mujka, kryeshef i Ndërmarrjes Ibër Lepenc,
Të nderuar anëtarë dhe udhëheqës të Bordit,
Të nderuar gazetarë,
Zonjë dhe zotërinj,
Qytetarë të Zubin Potokut,
Të nderuar të pranishëm,
Sot po e përurojmë përfundimin e një projekti madhor të Ibër Lepencit, “Siguria Ujore dhe Mbrojtja e Kanalit”.
Pranë kësaj pjese të kanalit të ujit që tani nuk është më i dukshëm dhe për një arsye të mirë, sepse është rehabilituar, dhe me kërkesë të banorëve këtu është mbuluar për ta rritur sigurinë për të gjithë.
Prej se është ndërtuar në vitet e ’80-ta, ky kanal ka qenë infrastrukturë jetike për Republikën e Kosovës. Kanali që nis në këtë komunë dhe i përshkon 49 kilometra deri në Prishtinë, siguron ujin për Termocentralet tona, që prodhojnë deri në 90 për qind të energjisë sonë, për tokën bujqësore në rrafshin e Kosovës dhe për fabrikat e ujit të pijes që furnizojnë 9 komuna me mbi 500 mijë banorë.
Prandaj, mbrojtja e tij nuk është thjeshtë një çështje lokale dhe as vetëm teknike. Është mbrojtje e jetës së përditshme të Republikës, e dritës në shtëpi, e ujit nga rubineti, e prodhimit në ekonomi dhe e bukës nga ara.
Përmes këtij projekti në vlerë prej 18 milionë euro, janë rehabilituar 37 segmente kyçe përgjatë 49 kilometrave të kanalit si dhe është ndërtuar një “buffer” rezervuar ose rezervuar kompenzues me kapacitet 30 mijë metra kub, i cili mundëson furnizim emergjent për termocentralet ose ujësjellësit në rast nevoje emergjente.
Ky projekt dëshmon se Republika jonë nuk mjaftohet me reagimin ndaj rrezikut, ajo ndërton kapacitete që rreziku të parandalohet dhe shërbimet esenciale të vazhdojnë të ofrohen me cilësinë e duhur pandërprerë.
Në zgjodhëm që përurimin e projektit ta bëjmë pikërisht në këtë vend, ku kanali dikur ka qenë rrezik për banorët, por ku sot ndërmarrja Ibër Lepenc, investon në infrastrukturë, punëson qytetarët dhe e përmbush misionin e vet për shtetin.
Komuna e Zubin Potokut e zë një vend të veçantë në Republikën e Kosovës. Ndërmarrja Ibër Lepenc ushtron një pjesë të mirë të veprimtarisë së saj pikërisht në këtë komunë, duke punësuar rreth 60 banorë të kësaj zone, shumica nga komuniteti serb.
Pastaj, këtu në Zubin Potok ndodhet liqeni i Ujmanit, me 350 milionë metra kub ujë e mund të arrijë 370 milionë metra kub ujë. Kësisoj Ujmani ka ujë sa gati tri herë rezervat e Batllavës, Badovcit e Radoniqit, marrë së bashku.
Në Zubin Potok ndodhet edhe hidrocentrali i Ujmanit, më i madhi në vendin tonë me kapacitet prej 35 MW.
Mbulimi i këtij segmenti prej 400 metrash ka qenë komponent i veçantë i projektit. Ndërmarrja e ka paraparë këtë komponentë për sigurinë e kanalit dhe për të mirën e banorëve të Zubin Potokut, si dhe ka financuar tërësisht me mjetet e veta rreth 1.1 milion euro.
Si rezultat kanali do të jetë më i sigurt dhe më i mbrojtur ndaj çdo dëmtimi. Ndërsa sipërfaqja e mbuluar do të jetë në dispozicion si hapësirë publike për aktivitetet e komunitetit.
Ky është investim në ujë, por njëkohësisht është investim në sigurinë kombëtare, në sigurinë publike dhe në besimin e qytetarëve pavarësisht etnisë e vendbanimit, dhe dëshmi se shteti është i pranishëm aty ku jeta e përditshme varet prej tij.
Ndërmarrja Ibër Lepenc do të vazhdojë te përmbush misionin e vet dhe t’ju shërbejë qytetarëve të të gjitha komuniteteve pa dallim.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të investojë në veri jo vetëm me fjalë të largëta por me siguri të afërt, vende pune, shërbime publike cilësore dhe hapësira publike ku qytetarët trajtohen e takohen si të barabartë.
Urime përfundimi i projektit. Faleminderit punëtorëve, inxhinierëve, ndërmarrjes Iber Lepenci, Bankës Botërore, Ministrisë së Ekonomisë, dhe të gjithë atyre që e bënë të mundur këtë ditë të gëzueshme.
Faleminderit!













