Kukaj, 26 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë në fshatin Kukaj të Prishtinës mori pjesë në hapjen zyrtare të SERPENTINE 2026, një hapësirë e re shumëdisiplinare për art dhe kulturë, me një program që bashkon teatrin bashkëkohor, muzikën, instalacionet artistike e zanore dhe forma të tjera të krijimit artistik.
Pasi tha se u hap një kapitull i ri për artin dhe kulturën në Kosovë, kryeministri Kurti foli për hapësirën e re kulturore në fshatin Kukaj.
“SERPENTINE nuk është thjesht një objekt ku zhvillohen ngjarje kulturore. Me tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike, ajo krijon kushte që arti të lindë, të zhvillohet dhe të prezantohet në të njëjtin vend. Ajo hap gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunimin e artistëve nga Kosova me ata nga rajoni dhe Evropa”, tha ai.
Kryeministri tha se është veçanërisht domethënëse që ky zhvillim po ndodh pikërisht në këtë fshat të vogël që ka dëshmuar se përmasa e një vendi nuk përcakton madhësinë e jetës kulturore që mund të krijohet në të.
“Dy hapësira kulturore në një fshat të vogël janë një pasuri e madhe për gjithë Kosovën. Ato janë të ndryshme në karakter, por plotësojnë njëra-tjetrën bukur: EtnoFest-i e mban të gjallë lidhjen me trashëgiminë, traditën dhe kujtesën tonë kulturore, ndërkaq SERPENTINE krijon një terren të ri për teatrin bashkëkohor, instalacionin, muzikën, eksperimentimin dhe format e reja të shprehjes artistike”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti uroi themelueset e SERPENTINE, Arta dhe Ilirjana Arifi dhe ekipin e tyre, ndërsa shprehu mirënjohje për profesorin Fadil Hysaj dhe të gjithë të përfshirët që, nëpërmjet EtnoFest-it, prej vitesh e kanë bërë Kukajn një emër të njohur të kulturës.
Fjala e plotë e Kryeministrit në detyrë Kurti:
Kam emocione, është mirë besoj. E kundërta do të ishte e çuditshme dhe do të duhej të kërkohej falje nëse nuk ka emocione.
Sonte, në Kukaj, po e hapim bashkërisht një kapitull të ri për artin dhe kulturën në Kosovë.
Me SERPENTINE — GENESIS, hapësirë e re multidisiplinare po nis zyrtarisht programi i saj i plotë artistik, duke i dhënë Kukajt edhe një adresë të rëndësishme të krijimtarisë, të eksperimentimit dhe të takimit ndërmjet artistëve dhe publikut.
SERPENTINE nuk është thjesht një objekt ku zhvillohen ngjarje kulturore. Me tri hapësira teatrore, instalacione permanente artistike e zanore, “Muzeun Emocional”, “Shtëpitë e Kujtimeve”, “Akuariumin e Kujtesës” dhe programin e rezidencave artistike, ajo krijon kushte që arti të lindë, të zhvillohet dhe të prezantohet në të njëjtin vend. Ajo hap gjithashtu mundësi të reja për bashkëpunimin e artistëve nga Kosova me ata nga rajoni dhe Evropa.
Edhe vetë emri SERPENTINE – GENESIS bartë një simbolikë të veçantë: serpentine na kujton rrugën që gjarpëron, që ndryshon kahje vazhdimisht për të ecur përpara, që zbulon horizonte të reja për t’u ngritur më lart, ndërsa genesis shënon zanafillën, origjinën, prejardhjen, lindjen e diçkaje dhe pikërisht këtu në Kukaj, një rrugëtim i ri kulturor po merr jetë.
Është veçanërisht domethënëse që kjo po ndodh pikërisht në fshatin Kukaj.
Ky fshat i vogël tashmë ka dëshmuar se madhësia e një vendi nuk përcakton madhësinë e jetës kulturore që mund të krijohet në të. Për vite me radhë, EtnoFest-i, i themeluar nga profesori dhe regjisori Fadil Hysaj, e i organizuar e mirëmbajtur nga Sheqerie Buqaj, e ka shndërruar Kukajn në një vend takimi të traditës me artin, të kujtesës me krijimtarinë dhe të brezave mes tyre. Në oborret, shtëpitë dhe hapësirat e EtnoFestit, kultura jonë është ruajtur jo duke u mbyllur në të kaluarën, por duke u jetuar, gjallëruar, interpretuar dhe përcjellë te gjeneratat më të reja.
Sot, me ardhjen e SERPENTINE, Kukaj fiton një dimension të ri.
Dy hapësira kulturore në një fshat të vogël janë një pasuri e madhe për gjithë Kosovën. Ato janë të ndryshme në karakter, por plotësojnë njëra-tjetrën bukur: EtnoFest-i e mban të gjallë lidhjen me trashëgiminë, traditën dhe kujtesën tonë kulturore, ndërkaq SERPENTINE krijon një terren të ri për teatrin bashkëkohor, instalacionin, muzikën, eksperimentimin dhe format e reja të shprehjes artistike.
Në njërën hapësirë, kujtesa trashëgohet dhe riinterpretohet; në tjetrën, prej saj ndërtohen forma artistike. Pikërisht ky bashkëjetim ndërmjet trashëgimisë dhe bashkëkohores, e bën Kukajn një rast të veçantë në hartën kulturore të Republikës sonë.
Kultura nuk është luks dhe as zbukurim i shoqërisë. Ajo është mënyra se si një popull e ruan kujtesën e vet, e kupton të tashmen dhe krijon imagjinatën për të ardhmen. Prandaj, çdo hapësirë e re për artistët, çdo skenë e re, çdo festival dhe çdo institucion kulturor, është investim në shoqërinë tonë dhe në brezat që vijnë.
Urime themeluesve, Ilirianës dhe Artës dhe ekipit SERPENTINE, artistëve e krijuesve që do t’i japin jetë kësaj hapësire. Mirënjohje edhe profesor Fadil Hysajt dhe të gjithë atyre që, përmes EtnoFest-it, prej vitesh e kanë bërë Kukajn një emër të njohur të kulturës sonë.
Sot, Kukaj na e dëshmon këtë edhe një herë: me dy hapësira të rëndësishme kulturore, po bëhet pra një vend ku trashëgimia ruhet fort, arti krijohet pandalshëm dhe e ardhmja imagjinohet bukur.
Ju faleminderit për ftesën e vëmendjen.


















