Prishtinë, 10 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konferencës së 9-të të Ambasadorëve, me temë “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, partneritet dhe zhvillim”.
Në këtë ngjarje të rëndësishme tradicionale të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kryeministri Kurti i falënderoi përfaqësuesit diplomatikë të Republikës Kosovës në vende të ndryshme gjithandej botës, për shërbimin me profesionalizëm, integritet dhe përkushtim.
Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përdorimit të diplomacisë publike për të promovuar interesat tona kombëtare dhe për të forcuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
“Mjedisi ndërkombëtar në të cilin ndërveproni është bërë shumë kompleks. Roli juaj si ambasadorë shkon përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet. Gjithnjë e më shumë kërkohet angazhim më i madh me akterë jo-shtetërorë si gazetarë, universitete, biznese, shoqëri civile dhe qytetarë nëpërmjet formave të ndryshme të diplomacisë publike dhe të komunikimit digjital. Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal; ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin”, tha ai.
Kryeministri Kurti foli edhe për sfidat me të cilat po përballet rendi botëror, tensionet gjeopolitike dhe kërcënimet e ndryshme ndaj paqes dhe stabilitetit. E po ashtu, për arritjet e Republikës së Kosovës të cilat e pasqyrojnë aftësinë e shtetit tonë për të funksionuar në mënyrë efektive, duke forcuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Në politikën e jashtme, gjatë vitit 2025 kemi marrë njohjet e reja nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, duke i dhënë momentum një procesi që për disa vite kishte ngecur përtej mundësive tona. Pasaporta e Kosovës është fuqizuar dukshëm dhe sivjet në 2026 radhitet në vendin e 57-të, krahasuar me vendin e 108-të në vitin 2021. Kemi shënuar përparim të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, duke çuar tutje procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe duke aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, kemi siguruar anëtarësimin në 15 organizata të huaja duke zgjeruar integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë”, theksoi kryeministri.
Ai foli edhe për përparimin e shënuar, falë të cilit Kosova nuk ndodhet më në listat e vendeve të konsideruara si të brishta e të cenueshme, dhe që e bën Kosovën një akter edhe më të besueshëm në arenën globale.
“Paralelisht me këto arritje, si qeveri kemi punuar për të renditur Kosovën ndër ekonomitë me ritmin më të madh të rritjes ekonomike. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova parashihet të mbetet vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë – me rreth 4%. Kemi dyfishuar eksportet duke e përmirësuar raportin eksport-import nga 1:9 sa ishte në 1:6 sa është. Gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë shumën prej 1 miliard eurosh. Të hyrat buxhetore janë rritur e bashkë me to edhe shpenzimet kapitale”, tha ai.
Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:
E nderuara Ushtruese e Detyrës e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu,
I nderuari zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, z. Glauk Konjufca,
I nderuari zëvendëskryeministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, z. Fikrim Damka,
I nderuar zëvendësministër i Punëve të Jashtme, z. Kreshnik Ahmeti,
Të nderuar ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq,
Të nderuar ambasadorë e ambasadore dhe përfaqësues të misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot në Konferencën e IX-të të Ambasadorëve, një ngjarje e cila ka për qëllim diskutimin e zhvillimeve të fundit gjeopolitike e rajonale, planifikimin e hapave të ardhshëm, si dhe bashkërendimin e aktiviteteve tona të përbashkëta. Gjithashtu, me këtë rast vlerësojmë publikisht angazhimin diplomatik të të gjithë juve që me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet i shërbeni vendit tonë çdo ditë, madje shpesh larg syrit të publikut dhe larg vëmendjes që marrin zyrtarët tjerë publikë. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, unë ju falënderoj për punën tuaj si përfaqësues të Republikës sonë në botë.
Mjedisi ndërkombëtar në të cilin ndërveproni është bërë shumë kompleks. Roli juaj si ambasadorë shkon përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet. Gjithnjë e më shumë kërkohet angazhim më i madh me akterë jo-shtetërorë si gazetarë, universitete, biznese, shoqëri civile dhe qytetarë nëpërmjet formave të ndryshme të diplomacisë publike dhe të komunikimit digjital. Angazhimi përtej marrëdhënieve tradicionale shtet me shtet imponon më shumë se sa përfaqësim formal; ai kërkon punë të vazhdueshme për të krijuar kontakte, për të ndërtuar partneritete dhe për të hapur mundësi të reja për vendin.
Rendi botëror po përballet me sfida të shumta e vështirësi të papara më herët, përfshirë këtu tensione gjeopolitike dhe kërcënime të ndryshme ndaj paqes dhe stabilitetit. Konteksti global i sigurisë, i karakterizuar nga konkurrenca në rritje e fuqive të mëdha po bëhet çdoherë e më i paparashikueshëm. Ndryshimet e shpejta dhe një rivalitet në rritje për ndikim global ekonomik e bëjnë botën më të fragmentuar dhe paqen më të cenueshme. Ndërkaq, zhvillimet teknologjike, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale dhe të informatikës kuantike, pritet të ndryshojnë mënyrën se si shtetet e përkufizojnë dhe garantojnë sigurinë e tyre kombëtare në të ardhmen.
Që nga koha e agresionit rus kundër Ukrainës, supozimet e dikurshme mbi paqen dhe stabilitetin të ndërtuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, nuk qëndrojnë më. Përdorimi i forcës ushtarake, kapaciteteve kibernetike, fushatave dezinformuese dhe ndikimit politik të Rusisë te vendet tjera ka nxjerrë në sipërfaqe natyrën në zhvillim e sipër të konflikteve moderne. Përmes veprimeve të saj, Rusia ka demonstruar se këto konflikte zhvillohen përtej fushëbetejave duke uzurpuar hapësirën digjitale dhe duke prodhuar forma të reja të kërcënimeve hibride.
Fushatat e koordinuara të dezinformimit, propagandës dhe manipulimit të informacionit e bëjnë më të vështirë punën tuaj si Ambasadorë. Si diplomatë shpesh gjendeni në vijën e parë të ballafaqimit me narrativat e rreme dhe në përpjekje për të promovuar të vërtetën në një mjedis digjital gjithnjë e më të kontestuar. Manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në informacion ndryshon edhe mënyrën e të bërit diplomaci. Diplomatët e ditëve të sotme duhet të merren edhe me menaxhimin e informacionit, edhe me luftimin e dezinformimit, e edhe me ruajtjen e besimit nga publiku. Është tejet e rëndësishme që t’i identifikoni dhe t’i kundërshtoni narrativat e rreme. Kjo mund të bëhet më së miri duke ofruar informacion të mbështetur në fakte për arritjet tona dhe duke u angazhuar me akterë të ndryshëm jo-shtetërorë edhe në platformat digjitale në kohë reale.
Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshi ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon. Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjeshtë përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj, dëshmojnë vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejmë të kapaciteteve ushtarake për arritjen e po këtij qëllimi.
Në kontekstin aktual global e rajonal, Kosova ka zgjedhur të qëndrojë e të përqendrojë gjithë angazhimin e saj në forcimin e institucioneve demokratike, rritjen e kapaciteteve të sigurisë, si dhe thellimin e partneriteteve ndërkombëtare. Për Kosovën, kjo nënkupton vazhdimësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë të cilët ndajnë të njëjta vlera dhe që mbeten të përkushtuar për të ruajtur një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Partneriteti i Kosovës me NATO-n si dhe angazhimi përmes programeve të ndryshme të bashkëpunimit me Aleancën janë shtylla kryesore drejt konsolidimit të kapaciteteve të sigurisë, ndërkaq prania dhe roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon mbeten faktor kyç për ruajtjen dhe garantimin e stabilitetit rajonal.
Roli ynë diplomatik merr një rëndësi të veçantë në këtë periudhë, jo vetëm për të mbrojtur interesat tona kombëtare por, edhe për të prezantuar një Kosovë të zhvilluar e prosperuese, të besueshme dhe të gatshme të kontribuojë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët rajonal evropian e ndërkombëtar. Marrëveshja trilaterale ushtarake me Shqipërinë dhe Kroacinë, marrëveshjet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar, dhe shtete tjera, misionet e përbashkëta me ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikë dhe Mbretërisë së Bashkuar përbëjnë dëshminë më të qartë të angazhimit tonë në promovimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Arritjet konkrete në planin tonë të brendshëm pasqyrojnë aftësinë e shtetit tonë për të funksionuar në mënyrë efektive, duke forcuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë. Raportet ndërkombëtare nga Freedom House, World Justice Project, dhe të tjera, evidentojnë progresin e vendit duke e pozicionuar Kosovën në një trend pozitiv të zhvillimit dhe të konsolidimit demokratik.
Në politikën e jashtme, gjatë vitit 2025 kemi marrë njohjet e reja nga Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, duke i dhënë momentum një procesi që për disa vite kishte ngecur përtej mundësive tona. Pasaporta e Kosovës është fuqizuar dukshëm dhe sivjet në 2026 radhitet në vendin e 57-të, krahasuar me vendin e 108-të në vitin 2021. Kemi shënuar përparim të rëndësishëm në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit, duke çuar tutje procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, duke avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe duke aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Njëkohësisht, kemi siguruar anëtarësimin në 15 organizata të huaja duke zgjeruar integrimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.
Paralelisht me këto arritje, si qeveri kemi punuar për të renditur Kosovën ndër ekonomitë me ritmin më të madh të rritjes ekonomike. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova parashihet të mbetet vendi me rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë – me rreth 4%. Kemi dyfishuar eksportet duke e përmirësuar raportin eksport-import nga 1:9 sa ishte në 1:6 sa është. Gjatë vitit të kaluar investimet e huaja direkte kanë kaluar për herë të parë shumën prej 1 miliard eurosh. Të hyrat buxhetore janë rritur e bashkë me to edhe shpenzimet kapitale. Gjithë ky progres e bën Kosovën një akter edhe më të besueshëm në arenën globale, andaj nuk është e rastësisht që tash nuk ndodhemi më në vendet e konsideruara si të brishta e të cenueshme.
Gjatë muajit të kaluar, Bashkimi Evropian ka dërguar njoftimin zyrtar se Kosova do të përfitojë 206.4 milionë euro nga fondet e saj në kuadër të programeve IPA për vitet 2026 dhe 2027. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të investohen në projekte infrastrukturore si energji, mjedis, menaxhim të kufijve, si dhe qeverisje të mirë dhe avancim në sundimin e ligjit. Do të vazhdojmë angazhimin tonë për t’i siguruar Kosovës statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, për të filluar negociatat për anëtarësim duke vijuar njëkohësisht zbatimin e reformave të cilat rrjedhin nga procesi i integrimit evropian.
Të nderuar ambasadore dhe ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,
E nisa fjalën time duke vënë theksin te përdorimi i diplomacisë publike për të promovuar interesat tona kombëtare dhe për të forcuar imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Aftësia e një vendi për të avancuar interesat e tij në arenën ndërkombëtare nuk varet vetëm nga fuqia e tij ushtarake dhe ekonomike, por edhe nga kapaciteti i tij për të krijuar partneritete, për t’i mirëmbajtur ato, për t’iu përmbajtur normave ndërkombëtare si dhe për t’i promovuar ato.
Diversiteti kulturor, një popullsi e re dhe e aftë për ta përdoruar teknologjinë informative si dhe një diasporë e madhe me vullnet të paepur dhe përkushtim të padiskutueshëm për të kontribuar në zhvillimin e vendit, e bëjnë Kosovën një shtet me potencial të konsiderueshëm për diplomaci publike. Në kuadër të aktiviteteve tuaja, ju ftoj të promovoni sa më shumë artistët tanë, shkencëtarët tanë, shkëmbimet kulturore e arsimore, potencialin e diasporës, si dhe iniciativat të cilat pasqyrojnë vlerat, identitetin dhe arritjet e Kosovës.
Më lejoni që të përmbyllë këtë fjalim duke ju falënderuar edhe njëherë për angazhimin tuaj të vazhdueshëm në shërbim të Kosovës. Ju uroj një qëndrim sa më të këndshëm e të bukur në vend dhe shpresoj të festojmë së bashku sukseset e radhës të tjera e të reja të Republikës së Kosovës.
Faleminderit!

















