Kryeministri në detyrë Kurti mori pjesë në hapjen e “AI & Tech International Summit 2026” në Kolegjin AAB

Prishtinë, 3 shtator 2026

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e “AI & Tech International Summit 2026” në Kolegjin AAB, në Prishtinë.

Duke uruar Kolegjin AAB dhe partnerët e tij për këtë organizim dyditor që ka në qendër teknologjinë, inovacionin dhe inteligjencën artificiale, kryeministri Kurti tha se aty bëhen bashkë qeveria, akademia, industria dhe inovatorët për të diskutuar për një nga transformimet më të mëdha të kohës sonë.

“Inteligjenca artificiale po përparon me shpejtësi të jashtëzakonshme. Ajo që vetëm pak vite më parë dukej eksperimentale është duke u bërë shpejtë pjesë e kohës sonë, në mënyrën se si punojmë, mësojmë, kryejmë hulumtime, ndërtojmë biznese dhe kryejmë shërbime publike. Pyetja nuk është më nëse inteligjenca artificiale do të transformojë shoqëritë dhe ekonomitë. Tashmë e ka bërë. Ka pyetje më të rëndësishme: Si ta përdorim për të krijuar mundësi? Si t’i përgatisim qytetarët dhe institucionet? Dhe, si mund të sigurohemi që ky transformim forcon potencialin njerëzor?”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti foli edhe për potencialin e madh të Kosovës, si dhe kapacitetet dhe mundësitë e përshtatjes së teknologjive të reja.

“Transformimi digjital është pjesë qendrore e agjendës kombëtare për zhvillim. Kemi investuar në qasje, infrastrukturë digjitale publike, siguri kibernetike dhe modernizim të administratës publike. Platforma jonë ‘eKosova’ ka sjellë qindra shërbime publike në një mjedis të përbashkët digjital. Tani po lëvizim drejt një gjenerate të re të portalit tonë të shërbimeve ‘eKosova 2.0’, me shërbime më të integruara të përqendruara te përdoruesi dhe të mundësuara nga inteligjenca artificiale”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përshëndeti ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, në periudhën 1998-2002, i cili u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Kolegji AAB. Kryeministri e falënderoi atë për rolin dhe kontributin e çmuar në koordinimin e veprimeve politike dhe ushtarake të Gjermanisë me shtetet tjera intervenuese të NATO-s më 1999.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar ish-Ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë, z. Rudolf Scharping,
I nderuar z. Hajrulla Çeku, Ministër i Arsimit dhe Shkencës,
E nderuar znj. Mimoza Kusari-Lila, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,
I nderuar z. Lulzon Jagxhiu, Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike,
Të nderuar ambasadorë, Ambasadori i Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, dhe Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolf,
I nderuar Ambasador Petrit Malaj nga Shqipëria dhe Bernard Çobaj nga Mali i Zi,
Të nderuar folës kryesorë, veçanërisht i nderuari z. Blerim Olluri, Rektor i Kolegjit AAB,
Të nderuar përfaqësues të akademisë, industrisë së teknologjisë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë,
Të dashur studentë dhe mysafirë,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e madhe t’ju bashkohem sot në “AI & Tech International Summit 2026”.

Urime Kolegjin AAB dhe partnerët e tij për bashkimin e qeverisë, akademisë, industrisë dhe inovatorëve për të diskutuar një nga transformimet më të rëndësishme të kohës sonë.

Inteligjenca artificiale po përparon me shpejtësi të jashtëzakonshme. Ajo që vetëm pak vite më parë dukej eksperimentale, po bëhet me shpejtësi pjesë e kohës sonë, në mënyrën se si punojmë, mësojmë, kryejmë hulumtime, ndërtojmë biznese dhe ofrojmë shërbime publike.

Pyetja nuk është më nëse IA-ja do t’i transformojë shoqëritë dhe ekonomitë tona. Ajo tashmë e ka bërë.

Pyetjet më të rëndësishme janë: Si ta përdorim për të krijuar mundësi? Si t’i përgatisim njerëzit dhe institucionet tona? Dhe si të sigurohemi që ky transformim e fuqizon potencialin njerëzor?

Këto pyetje nuk mund të marrin përgjigje nga qeveritë, industria dhe akademia veçmas. Prandaj tubime të tilla si ky Samit kanë rëndësi.
Për Kosovën, ky transformim përfaqëson një mundësi të veçantë.

Ne jemi një shtet i ri, me një popullsi të re, një sektor dinamik të teknologjisë dhe kapacitet të madh për t’i përvetësuar teknologjitë e reja. Ambicia jonë nuk duhet të jetë thjesht ta ndjekim ndryshimin teknologjik. Ne duhet të marrim pjesë aktive në të dhe të kontribuojmë për të.
Gjatë viteve të fundit, kemi ndërtuar themelet për këtë ambicie.

Transformimi digjital është pjesë qendrore e agjendës sonë kombëtare për zhvillim. Kemi investuar në ndërlidhje, infrastrukturë publike digjitale, siguri kibernetike dhe modernizimin e administratës publike.

Platforma jonë eKosova ka sjellë qindra shërbime publike në një mjedis të përbashkët digjital. Tani po kalojmë drejt gjeneratës së re të portalit tonë të shërbimeve – eKosova 2.0 – me shërbime më të integruara, të përqendruara te përdoruesi dhe të mundësuara nga IA-ja.

Po i ridizajnojmë shërbimet rreth ngjarjeve jetësore, po forcojmë ndërveprueshmërinë dhe infrastrukturën e të dhënave, po modernizojmë rrjetet qeveritare, po kalojmë drejt infrastrukturës në re dhe po investojmë në sigurinë kibernetike.

Këto themele na kanë përgatitur për fazën e ardhshme të transformimit tonë digjital dhe IA-ja do të jetë gjithnjë e më shumë pjesë e tij.
Për qeverinë, IA-ja mund t’i bëjë shërbimet publike më të lehta për t’u qasur, më të personalizuara dhe proaktive. Ajo mund t’i ndihmojë institucionet ta përdorin informacionin në mënyrë më efektive, ta zvogëlojnë barrën administrative dhe ta përmirësojnë vendimmarrjen.
Për ekonominë tonë, IA-ja krijon mundësi që kompanitë e teknologjisë në Kosovë të ngjiten më tej në zinxhirin global të vlerës, nga ofrimi i shërbimeve teknologjike deri te zhvillimi i produkteve dhe platformave të avancuara.

Për arsimin, ajo mund të sjellë si mundësi, ashtu edhe përgjegjësi. Ne duhet t’i përgatisim të rinjtë tanë jo thjesht për ta përdorur teknologjinë, por për të krijuar dhe për të konkurruar në një ekonomi që gjithnjë e më shumë po formësohet nga IA-ja.

Por aftësia teknologjike vetvetiu nuk mjafton.

Ndërsa IA-ja bëhet gjithnjë e më e fuqishme, besimi, llogaridhënia, privatësia, siguria kibernetike, transparenca dhe mbikëqyrja njerëzore bëhen po aq të rëndësishme. Synimi ynë nuk duhet të jetë thjesht ta përvetësojmë IA-në shpejt, por ta përvetësojmë atë me përgjegjësi, në mënyrë strategjike dhe në mënyra që krijojnë vlerë reale për shoqërinë.

Vende si Kosova kanë gjithashtu mundësinë të kapërcejnë teknologjitë dhe mënyrat e punës të trashëguara nga e kaluara. Por kjo kërkon investim në njerëz, bashkëpunim ndërmjet qeverisë, universiteteve dhe sektorit privat, si dhe një mjedis ku të rinjtë mund të eksperimentojnë, të inovojnë dhe të ndërtojnë.

Vendimet që marrim sot do të përcaktojnë nëse thjesht do të konsumojmë teknologji të zhvilluara diku tjetër apo do të bëhemi krijues, inovatorë dhe kontribuues në ekonominë e IA-së.

Me fjalë të tjera, duhet ta përdorim me përgjegjësi, që do të thotë se, përveç fokusimit në shpejtësinë, shkallën dhe optimizimin e pafund, duhet gjithashtu të bëhemi një shoqëri më e mirë përmes përdorimit të IA-së, duke i mundësuar çdo anëtari të saj të zhvillohet dhe të lulëzojë.

Sot, jam shumë i kënaqur që mes nesh është Rudolf Scharping, politikani gjerman nga Partia Socialdemokrate (SPD), i cili shërbeu si Ministër i Mbrojtjes i Gjermanisë nga viti 1998 deri në vitin 2002. Pra, pikërisht gjatë viteve të luftës në Kosovë, në ato kohë të errëta për kontinentin evropian, kur regjimi i Millosheviqit në Serbi po kryente spastrimin etnik të Kosovës dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, dhe kur 19 shtete anëtare të NATO-s ishin të angazhuara në fushatën e bombardimeve mbi Jugosllavi, z. Scharping, si Ministër i Mbrojtjes, luajti një rol të rëndësishëm në koordinimin e veprimeve politike dhe ushtarake të Gjermanisë me vendet e tjera të NATO-s.

Në veçanti, nuk do ta harrojmë kurrë konferencën “Humanities and Stability in Southeast Europe”, e cila u mbajt në Bon, ku më 1 prill 1999 Scharping bëri publike dhe denoncoi planin “Horseshoe”, një projekt gjenocidal të shtetit serb për spastrimin etnik të Kosovës. Prandaj, edhe sot, nga këtu, i themi faleminderit z. Scharping.

Për Kosovën, zgjedhja jonë duhet të jetë e qartë: duhet të jemi ambiciozë.

Duhet të ndërtojmë mbi themelet tona digjitale, të investojmë në njerëzit tanë dhe në ekosistemin teknologjik, dhe të krijojmë kushtet që Kosova të marrë pjesë plotësisht në epokën e ardhshme teknologjike.

Shpresoj që ky Samit të kontribuojë në këtë ambicie përmes ideve, partneriteteve dhe nismave që do të dalin nga këtu.

Ju uroj një “AI & Tech International Summit 2026” produktiv dhe frymëzues.

Ju faleminderit!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors