Prishtinë, 4 gusht 2026
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në mbledhjen e parë me Komitetin Organizativ të Lojërave Mesdhetare.
Duke i cilësuar Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 një nga projektet më të rëndësishme që Kosova do të realizojë në vitet e ardhshme, kryeministri Kurti tha se për herë të parë, vendi ynë do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke sjellë së bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut.
“Për Kosovën, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitetin tonë organizativ, për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive dhe për ta prezantuar vendin tonë para një audience të gjerë ndërkombëtare”, tha ai.
Në fjalën hyrëse, para anëtarëve të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare, kryeministri Kurti theksoi se Prishtina 2030 është projekt i përbashkët, me rëndësi shtetërore e kombëtare, i cili kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të secilit prej nesh.
Përkitazi me këtë, ai tha se suksesi ynë nuk do të matet vetëm me organizimin e një ngjarjeje sportive, por do të matet me mënyrën se si ndërtojmë institucione më të forta, zhvillojmë infrastrukturë moderne, krijojmë besim tek partnerët tanë ndërkombëtarë dhe lëmë trashëgimi të qëndrueshme për vendin tonë.
Kryeministri Kurti shprehu përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që ky proces të zhvillohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional, transparencës, llogaridhënies dhe standardeve më të larta të menaxhimit, duke theksuar se kjo është rruga e vetme për të ndërtuar besim, për të garantuar vazhdimësi dhe për të siguruar që çdo vendim të jetë në funksion të suksesit të projektit.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar kolegë nga Qeveria, ministra e zëvendësministra,
I nderuari president i Komitetit Olimpik të Kosovës,
I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës,
Të nderuar anëtarë të Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Ju falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim të parë të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë një prej projekteve më të rëndësishme që Kosova do të realizojë në vitet e ardhshme. Për herë të parë, vendi ynë do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmase, duke sjellë së bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vende të ndryshme të Mesdheut. Për Kosovën, kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitetin tonë organizativ, për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive dhe për ta prezantuar vendin tonë para një audience të gjerë ndërkombëtare.
Prishtina 2030 është projekt i përbashkët, me rëndësi shtetërore e kombëtare, i cili kërkon vizion afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe angazhim të secilit prej nesh. Suksesi ynë nuk do të matet vetëm me organizimin e një ngjarjeje sportive. Ai do të matet me mënyrën se si ndërtojmë institucione më të forta, zhvillojmë infrastrukturë moderne, krijojmë besim tek partnerët tanë ndërkombëtarë dhe lëmë trashëgimi të qëndrueshme për vendin tonë.
Pikërisht për këtë arsye, Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare ka rol të veçantë. Ne nuk jemi këtu për të përfaqësuar institucione të ndara, por për të vepruar si mekanizëm i përbashkët koordinues, ku secili institucion kontribuon me përgjegjësitë e veta drejt qëllimit të përbashkët.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar që ky proces të zhvillohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional, transparencës, llogaridhënies dhe standardeve më të larta të menaxhimit. Kjo është rruga e vetme për të ndërtuar besim, për të garantuar vazhdimësi dhe për të siguruar që çdo vendim të jetë në funksion të suksesit të projektit.
Jam i bindur që secili prej nesh e kupton përgjegjësinë të cilën e kemi marrë. Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 nuk janë vetëm projekt i sportit. Janë projekt strategjik shtetëror dhe një mundësi për të dëshmuar aftësinë tonë për të organizuar ngjarje ndërkombëtare sipas standardeve më të larta.
Prandaj, pres që puna jonë të karakterizohet nga bashkëpunimi, nga bashkërendimi, profesionalizmi dhe përgjegjësia institucionale. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë ta realizojmë me sukses këtë projekt dhe ta përfaqësojmë denjësisht Republikën e Kosovës.
Ju faleminderit të gjithëve dhe ju dëshiroj punë të mbarë.





