Prishtinë, 26 korrik 2026
Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, bëri homazhe te lapidari i zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
“Dita e sotme përputhet me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymerit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial, po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë pa dallim, por dora kriminale e strukturave të Serbisë, qëlloi për vdekje mbi të, dhe që prej atëherë Enver Zymerin ne e kujtojmë si Hero të Kosovës, si hero të shtetësisë tonë e të pavarësisë tonë, i cili po zbatonte ligjin, dhe me rënien e tij frymëzoi e inspiroi shumë e shumë policë të Kosovës, që ishin në detyrë por edhe të tillë që t’i bashkohen asaj”, tha kryeministri Kurti.
Ai më tej shtoi se Republika e Kosovës është më e sigurt se kurrë më parë edhe për shkak se Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë.
Kryeministri tha se Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë më 5 nëntor të vitit 2022, kur afër 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën në mënyrë kolektive në veri të Ibrit me urdhër të Beogradit, por tutje theksoi se “qëllimi i tyre dështoi meqenëse nuk është rrënuar shumë etnia si përbërje e policisë tonë, dhe as nuk është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional siç kanë synuar ata”.
“Në këto vitet e fundit në disa valë të rekrutimeve të reja janë rreth 200 policë të komunitetit serb të cilët janë inkuadruar në policinë tonë, dhe në kuadër të kësaj force të gjithmbarshme e cila është e përbërë prej 10 mijë pjesëtarëve, kontribuojnë që në Kosovë të sundoi ligji, të ketë paqe e qetësi, të ketë të drejta e siguri, për të gjithë qytetarët njësoj dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet”, tha kryeministri në detyrë Kurti.
Prononcimi i plotë i Kryeministrit në detyrë Kurti:
Bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu, sot ditën e filluam me homazhe te varri i Adem Demaçit, simbolit të rezistencës, Mandelës sonë e Mandelës evropian, i cili i ka kaluar 28 vjet në burgjet e ish-Jugosllavisë e të Serbisë, dhe të cilit sot ja shënojmë 8-vjetorin e ndarjes nga jeta.
Dhe prej atje erdhëm këtu, tek memoriali për policët të rënë në krye të detyrës, për nder të tyre bashkë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha dhe me kolegë tjerë nga ekzekutivi i Republikës dhe Policia e shtetit.
Dita e sotme përputhet me 15-vjetorin e vrasjes së Enver Zymerit, i cili po zbatonte ligjin e Republikës, po mbronte integritetin territorial, po garantonte siguri, paqe e të drejta për të gjithë pa dallim, por dora kriminale e strukturave të Serbisë, qëlloi për vdekje mbi të, dhe që prej atëherë Enver Zymberin ne e kujtojmë si Hero të Kosovës, si hero të shtetësisë tonë e të pavarësisë tonë, i cili po zbatonte ligjin, dhe me rënien e tij frymëzoi e inspiroi shumë e shumë policë të Kosovës, që ishin në detyrë, por edhe të tillë që t’i bashkohen asaj.
Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë pikërisht më datën 5 nëntor të vitit 2022, atëherë kur afër 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën në mënyrë kolektive në veri të Ibrit me urdhër të Beogradit. Mirëpo qëllimi i tyre dështoi meqenëse nuk është rrënuar shumë etnia si përbërje e policisë tonë, dhe as nuk është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional siç kanë synuar ata.
Republika e Kosovës është më e sigurt se kurrë më parë edhe për shkak se Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë.
Në këto vitet e fundit në disa valë të rekrutimeve të reja janë rreth 200 policë të komunitetit serb të cilët janë inkuadruar në policinë tonë, dhe në kuadër të kësaj force të gjithmbarshme e cila është e përbërë prej 10 mijë pjesëtarëve, kontribuojnë që në Kosovë të sundoi ligji, të ketë paqe e qetësi, të ketë të drejta e siguri, për të gjithë qytetarët njësoj dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet.
Për këto 25 vjet në krye të detyrës kanë rënë gjithsej 25 policë dhe ne sot me mall e dhimbje e pikëllim i përkujtojmë që të gjithë ata. Por, njëkohësisht jemi edhe krenar se çfarë policësh ka shteti ynë dhe çfarë shembulli të mirë me vetëmohimin e tyre ata kanë dhënë për të gjithë zyrtarët policorë, por do të thosha edhe zyrtarët shtetërorë e qytetarët e Kosovës.
Lavdi të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës!








