Prishtinë, 13 mars 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar një telegram kryeministrit të Turqisë, Ahmet Davutoglu, duke i shprehur ngushëllime pas sulmit terrorist në Ankara, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz të pafajshëm dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.
Kryeministri Isa Mustafa, shprehu pikëllimin e thellë dhe solidaritetin e qytetarëve e të Qeverisë së Kosovës me popullin turk dhe me familjarët e viktimave e të plagosurve, në këtë akt të rëndë terrorist.
Në telegram, kryeministri Isa Mustafa thekson se terrorizmi tashmë është kërcënim serioz për të gjitha vendet, duke shprehur përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në luftën e përbashkët globale të botës demokratike, të udhëhequra nga SHBA-të, kundër të gjitha formave të radikalizmit të dhunshëm dhe terrorizimit.
