Mitrovicë e veriut, 9 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u mirëprit në shtëpinë e Xhevdet Halitit, banor i lagjes së Kroit të Vitakut në Komunën e Mitrovicës së veriut dhe njëri nga 102 përfituesit për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive në katër komunat në veri të vendit me financim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Jemi shumë të gëzuar që do t’i keni kushtet e dinjtetshme të jetesës. Ta gëzoni shtëpinë me familje dhe pasardhësit tuaj. Ju dëshiroj të gjitha të mirat në jetë”, tha kryeministri Kurti drejtuar z.Haliti.
Z. Haliti e falënderoi kryeministrin Kurti dhe Qeverinë për mbështetjen e dhënë, teksa u shpreh i kënaqur me nivelin e sigurisë dhe lëvizjen e qarkullimin e lirë në veriun e qytetit të Mitrovicës.














