Shën Stefan, Mali i Zi, 23 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, dje është takuar me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renaud-Basso.
Kryeministri Kurti dhe Presidentja Renaud-Basso vazhduan diskutimin, nga takimi i fundit në prill në Londër, për forcimin e bashkëpunimit dhe projektet infrastrukturore e ekonomike në Kosovë.
“Në këtë mandat të ri, synojmë që partneritetet tona për investime t’i ndërtojmë mbi prioritetet strategjike të Kosovës: sigurinë energjetike dhe atë ujore, mbrojtjen, transportin e qëndrueshëm dhe infrastrukturën”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se BERZH-i mbetet partner i rëndësishëm edhe në rrugën tonë evropiane.
Që nga anëtarësimi i Kosovës në vitin 2012, Banka ka dhënë përkrahje financiare rreth 967 milionë euro në 151 projekte, në sektorin publik dhe në atë privat.




