New York, 20 shtator 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me delegacionin, zhvilloi në Connecticut një takim me investitorë amerikanë dhe shqiptarë, si dhe një darkë pune në New York me veprimtarë e personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan, gjatë qëndrimit të tij në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Takimi i parë u mbajt në Westchester, në rezidencën e Richard Lukajt, në një mbrëmje të organizuar bashkë me Data4X dhe Ed e Barbara Hammel, ku ishin të pranishëm investitorë dhe politikanë amerikanë, ndër ta edhe Luke Bronin, ish-kryetar i Hartfordit, si dhe pjesëtarë të diasporës shqiptaro-amerikane.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin e tyre në lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës dhe theksoi se miqësia mes dy vendeve është e fortë në politikë e në ndjenjë, duke shtuar se ajo duhet të thellohet ekonomikisht edhe më tej.
Kryeministri foli për zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin, e po ashtu edhe për heqjen e të gjitha detyrimeve doganore për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 1 gushti i vitit të kaluar dhe gatishmërinë për një marrëveshje tregtare mes dy vendeve. Ai përmendi gjithashtu Kompaktin me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në sektorin e energjisë.
Duke thënë se Kosova i pret si partnerë, kryeministri Kurti falënderoi mërgatën për mbështetjen e vazhdueshme dhe i ftoi që të investojnë në atdhe.
Pas takimit në Westchester, në Manhattan, kryeministri Kurti dhe delegacioni i Republikës së Kosovës morën pjesë në darkë pune me veprimtarë dhe personalitete të shquara të komunitetit shqiptaro-amerikan, organizuar nga veprimtari i kamotshëm Bruno Selimaj.
Mbrëmja nisi me një program të veçantë artistik nga kori dhe orkestra e fëmijëve “Kanga Jonë”, nën udhëheqjen e Blerina Selimaj. Me interpretimin e këngëve “Lule Bore”, “Globi” dhe “Moj e Bukura Shqipëri”, fëmijët sollën në zemër të Manhattan-it gjuhën, kulturën dhe këngën shqipe.
Në bashkëbisedim u theksua roli i pazëvendësueshëm i mërgatës shqiptare në SHBA ndër dekada për Kosovën, si dhe për mundësitë e angazhimit edhe më të madh në investime, diplomaci publike, kulturë, arsim dhe forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti falënderoi Bruno Selimajn për mikpritjen e përzemërt dhe për kontributin e madh për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Ai veçoi edhe simbolikën e veçantë të këtij angazhimi gjysmëshekullor, duke rikujtuar se veprimtaria e familjes Selimaj në gastronominë e New York-ut nisi në vitin 1978, pikërisht në vitin kur shqiptarët shënonin 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ai shprehu mirënjohje edhe për kontributin e brezave të shqiptaro-amerikanëve, të cilët përmes punës, organizimit dhe përkushtimit të tyre kanë mbajtur gjallë lidhjen me atdheun dhe kanë ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.




















