Prishtinë, 16 prill 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot.
Në takim, kryeministri Kurti e falënderoi zëvendëskryeministrin dhe ministrin Prévot për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të Belgjikës para dhe pas luftës, si dhe para dhe pas pavarësisë. Ai veçoi strehimin e refugjatëve shqiptarë gjatë luftës dhe kontributin në forcat e KFOR-it.
Në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe me Belgjikën, vend në të cilin kemi një mërgatë të mirë-integruar, kryeministri Kurti theksoi që Republika e Kosovës është e interesuar që të thellojë bashkëpunimin ekonomik dhe të krijojë lehtësira.
Duke përmendur marrëveshjen për eliminimin e tatimit të dyfishtë, e nënshkruar së fundmi në margjinat e Takimeve Pranverore në Washington DC, kryeministri Kurti shprehu vullnetin edhe për marrëveshje të reja me Belgjikën, në sektorë të ndryshëm.
Kryeministri Kurti tha se Brukseli, si kryeqytet i trefishtë, është qendër tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet i yni strategjik dhe avancimi i aplikimit, nëpërmjet dhënies së statusit të shtetit kandidat, duhet të jetë hapi i radhës në këtë drejtim. Krahas kësaj, ai tha se Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë, e angazhuar dhe e përkushtuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.














