Prishtinë, 21 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, dhe kryeshefin për Arsim në këtë komunë, Agim Hasani.
Rexhepi dhe Hasani shprehën mbështetjen për përkushtimin e Kryeministrit Kurti për përbashkimin e subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në “Koalicionin Shqiptar”, i cili garon me numrin 17 në zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Përfaqësimi i fuqishëm dhe dinjitoz kërkon përgjegjësi ndaj interesit të përbashkët, bashkërendim dhe qëndrueshmëri në mbrojtjen e të drejtave. Barazia, arsimi në gjuhën shqipe dhe mundësia për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje mbeten në themel të këtij angazhimi.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të qëndrojë në përkrahje të secilit shqiptar e secilës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.



