Prishtinë, 8 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Sportit dhe Rinisë, Daulina Osmani, dje priti në takim ish-futbollistin, Xhevdet Muriqi, i cili ishte i shoqëruar nga deputeti Bylbyl Sokoli.
Njoftimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Dje prita në zyrë Xhevdet Muriqin, futbollistin e brezit të artë të Prishtinës së viteve të 80-ta. Pas 28 vjet jetë e punë në Kroaci dhe 12 të tjera në Gjermani, Xhevdet Muriqi është rikthyer vjet për të jetuar në Kosovë. Biseda jonë e përzemërt na ktheu te ndeshjet dhe emocionet e asaj kohe. Te stadiumi i mbushur përplot, te publiku që jetonte me lojën dhe te golat që ende i kujtojmë. Folëm edhe për vëllain e tij, Fadil Muriqin që jeton në Australi, për kolegët, Fadil Vokrrin, Kujtim Shalën, trajnerin Qiro Bllazheviq dhe të tjerët.
FC Prishtina na mblidhte në stadium, por edhe pranë radios e televizorit. Fitoret dhe sukseset e klubit, por edhe ngecjet e humbjet, i ndienim e përjetonim si tonat. Ishte futboll, ishte edhe krenari.
Nga ndeshjet e së kaluarës, kaluam edhe tek ato që po i ndjekim sot. Biseduam për paraqitjet e fundit të Kosovës, për ngritjen e përfaqësueses dhe për ndeshjet e radhës që na presin gjatë nëntorit.






