Kryeministri Kurti priti në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ismaili

Prishtinë, 3 nëntor 2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili.

Në takim u bisedua për finalizimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe dorëzimin formal te Këshilli Evropian i Pagesave (EPC), pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Kryeministri Kurti u informua nga Guvernatori Ismaili se sektori financiar është stabil dhe se Banka Qendrore e Kosovës ka qëndrueshmëri financiare. Po ashtu, u njoftua lidhur me përparimin në reformat e përqendruara në forcimin e mbikëqyrjes financiare, modernizimin e infrastrukturës financiare dhe përafrimin e kornizës rregullative me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, kryeministri u informua lidhur me zhvillimin e sistemit të pagesave të shpejta – TIPS Clone, që krahas SEPA-s, do të ndikojë në uljen e kostove të transaksioneve dhe rritjen e efikasitetit të pagesave.

Në takim u theksua rëndësia e bashkërendimit të institucioneve mbi zbatimin e reformave dhe angazhimeve të ndërmarra nga Republika e Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes dhe përafrimin e mëtejmë të legjislacionit me BE-në.

Kryeministri Kurti dhe Guvernatori Ismaili shprehën vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me synim përmbushjen e prioriteteve strategjike për qëndrueshmëri financiare, modernizim të sektorit dhe përparim në integrimin evropian, duke respektuar mandatin dhe pavarësinë e Bankës Qendrore të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors