Prishtinë, 2 tetor 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph, nga i cili pranoi urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Rudolph, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës.
Krahas diskutimit për zhvillimet politike në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rudolph biseduan për Procesin e Berlinit, në kuadër të të cilit Kosova këtë vit është nikoqire e dy eventeve rajonale: Forumit të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor dhe atij për Financat e Paligjshme. Ata biseduan edhe për Forumin Ekonomik Kosovë–Gjermani, që do të mbahet në fund të muajit tetor.
Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se aktgjykimi ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel.






